Papa: Kisha është shenjë pajtimi ndërmjet njerëzimit të fragmentuar

Gjatë audiencës së sotme përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV vazhdoi ciklin kushtuar dokumentave të Koncilit II të Vatikanit, me katekizmin e parë kushtuar Kushtetutës "Lumen gentium". Kisha, pohoi Papa, është mjeti i Zotit për t’i bashkuar njerëzit me veten dhe me njëri-tjetrin: "Gjendja e njerëzimit është fragmentim, të cilin qeniet njerëzore janë të paafta ta riparojnë. Pikërisht në këtë gjendje, veprimi i Jezu Krishtit hyn në lojë, duke i mposhtur forcat e përçarjes".

R.SH. / Vatikan

Kisha është shprehje e planit të Zotit për njerëzimin: "t’i bashkojë njerëzit me veten dhe t'i bashkojë me njëri-tjetrin" falë "veprimit pajtues të Krishtit". Është "sakramenti i shpëtimit" përmes të cilit Ati na bën "pjesëmarrës në jetën e tij të lumnueshme me ushqimin e korpit dhe të gjakut të tij" e edhe shenjë pajtimi ndërmjet popujve në gjirin e njerëzimit të ndarë. Kisha "është korpi i Krishtit të ngjallur dhe populli i vetëm i Zotit shtegtar në histori". Kështu e riinterpretoi Papa Leoni XIV, gjatë katekizmit të tij në audiencën e përgjithshme, sot, më 18 shkurt, në Sheshin e Shën Pjetrit, mesazhin themelor të kushtetutës dogmatike të Koncilit II të Vatikanit mbi Kishën, Lumen Gentium, miratuar më 21 nëntor 1964. Me katekizmin e titulluar "Misteri i Kishës, sakramenti i bashkimit me Zotin dhe i unitetit të të gjithë racës njerëzore", Papa vazhdoi serinë e katekizmit mbi "Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit", që nisi më 7 janar dhe vazhdoi me pesë seanca mbi Dei Verbum.

Në Kishë, të tërhequr nga Dashuria e Krishtit

Papa Leoni XIV kujtoi menjëherë se Koncili II i Vatikanit, për të shpjeguar origjinën e Kishës, përdori termin "mister", duke e marrë atë nga Letrat e Shën Palit, veçanërisht ajo, që ua drejtoi Efesianëve. Pali apostull sigurisht nuk donte të thoshte "se Kisha është diçka e errët, ose e pakuptueshme", por e kundërta. Apostulli i Popujve përdori misterin për të "treguar një realitet, që më parë qe fshehur", ndërsa tani u zbulua”. Plani i Zotit është t’i “bashkojë të gjitha krijesat nëpërmjet veprimit pajtues të Jezu Krishtit”, “realizuar me vdekjen e tij në kryq”.

Kjo provohet, para së gjithash, në asamblenë e mbledhur për kremtimin liturgjik: atje dallimet relativizohen; ajo që ka rëndësi, është të jemi bashkë sepse tërhiqemi nga Dashuria e Krishtit, e cila e shembi murin e ndarjes ndërmjet individëve dhe grupeve shoqërore.

Jezusi na thërret me kryqin e tij dhe mposht çdo ndarje

Për Shën Palin, shpjegoi Papa Leoni XIV, misteri “është manifestim i asaj që Zoti donte të arrinte për të gjithë njerëzimin”. Një njerëzim në “fragmentim”, të cilin qeniet njerëzore nuk janë në gjendje ta riparojnë, edhe pse përpiqen gjithmonë për unitet. Është Jezusi ai që, nëpërmjet Shpirtit Shenjt, “i pushton forcat e ndarjes dhe vetë Përçarësin”. Kur mblidhemi për të festuar, duke besuar në shpalljen e Ungjillit sipas Papës,  tërhiqemi fort “nga kryqi i Krishtit, i cili është manifestimi suprem i dashurisë së Zotit”.

Kjo ndjenjë e thirrur së bashku nga Zoti, është arsyeja pse përdoret termi ekklesia, që do të thotë kuvend njerëzish, që pranojnë se janë thirrur së bashku. Kështu, ekziston njëfarë përkimi ndërmjet këtij misteri dhe Kishës: Kisha është misteri, që u bë i perceptueshëm.

Kisha, shenjë e mjet i bashkimit me Zotin e me gjithë njerëzimin

Një mbledhje që, e dëshiruar nga Zoti, nuk mund të "kufizohet në një grup njerëzish, por është e paracaktuar" për të gjitha qeniet njerëzore: kjo është arsyeja pse Etërit e Koncilit të Dytë të Vatikanit, në fillim të dokumentit Lumen gentium, pohojnë: "Kisha është, në Krishtin, në një farë mënyre, sakramenti, domethënë shenja dhe mjeti i bashkimit të ngushtë me Zotin dhe i unitetit të të gjithë gjinisë njerëzore".

Përdorimi i termit "sakrament" dhe shpjegimi që synon të tregojë se Kisha, në historinë e njerëzimit, është shprehje e asaj që Zoti dëshiron të arrijë; prandaj, duke e parë atë, ne kuptojmë në një farë mase planin e Zotit, misterin: në këtë kuptim, Kisha është shenjë.

Zoti, përmes Kishës, na bën pjesëtarë të jetës së tij të lumnueshme Termi "sakrament" - kujtoi Papa akoma - përfshin edhe termin "vegël", sepse kur Zoti vepron në histori nëpërmjet Kishës, "i përfshin në veprimtarinë  e tij njerëzit që janë të caktuar për veprimin e tij" e, nëpërmjet Kishës, "arrin qëllimin e bashkimit të njerëzve me të dhe ribashkimit të tyre me njëri-tjetrin". Kështu, kjo bëhet përvoja e shpëtimit: në nr. 48 të Lumen Gentium, Koncili pohon se Krishti, "duke u ngjallur nga të vdekurit, dërgoi Shpirtin e tij jetëdhënës mbi apostujt dhe, nëpërmjet tij, themeloi trupin, që është Kisha, si sakrament universal i shpëtimit".

E sot, në të djathtën e Atit, "është vazhdimisht në punë, në botë, për t'u prirë njerëzve drejt Kishës dhe, përmes saj, për t'i bashkuar më ngushtë me veten dhe për t'i bërë pjesëmarrës në jetën e tij të lavdishme nëpërmjet ushqimit të korpit dhe të gjakut të tij". Një tekst që, për Leonin XIV, na lejon të kuptojmë "marrëdhënien ndërmjet veprimit unifikues të Pashkëve të Jezusit, që është misteri i mundimit, i vdekjes dhe i ngjalljes së tij, dhe identitetit të Kishës".

Në të njëjtën kohë, na bën mirënjohës që i përkasim Kishës, korpit të Krishtit të ngjallur dhe popullit të vetëm të Zotit në shtegtim përmes historisë, që jeton si prani shenjtëruese në mes të një njerëzimi ende të përçarë, si shenjë e njëmendtë e unitetit dhe e pajtimit ndërmjet popujve.

18 shkurt 2026, 13:31