Papa, karabinierëve: hierarki e gjallë, komandë dhe bindje në dritën e Ungjillit
R.SH. / Vatikan
Hierarki, komandë, bindje. Këto fjalë shërbejnë si lidhje e etikës ushtarake me atë kishtare, kjo e fundit e transformuar vazhdimisht gjatë shekujve nga "risia" e Ungjillit, e aftë të tejkalojë strukturat dhe skemat e mendimit, pa i përmbysur. "Revolucion" paqësor, që ende sot duket si një ndër rrugët më të larta dhe më të nevojshme për botën bashkëkohore. Pikërisht me këtë fije analogjish Papa Leoni XIV e krijoi përshëndetjen drejtuar karabinierëve të provincës së Romës, të pritur sot paradite, 13 shkurt, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik në Vatikan.
Përvojë sfiduese, por edhe pasuruese e Jubileut
Papën e kënaqi përgjigjja që mori nga anëtarët e karabinierëve gjatë Jubileut të sapopërfunduar: përvojë "veçanërisht me peshë", por edhe "pasuruese", si nga ana njerëzore, ashtu edhe nga ajo profesionale.
Falënderoj Zotin për këtë. Në të vërtetë, ishte e njëjta gjë për të gjithë ne që jetojmë në Romë: dëshmia e turmës së shtegtarëve dha një shembull të mirë.
Në Romë, shpallja e "Lajmit të Mirë"
Nga kohët e fundit, e deri në agimin e krishterimit, Papa Leoni XIV kujtoi se si në Romë, në mjediset e saj të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të ushtrisë, nisi të qarkullonte herët "Lajmi i Mirë" i Jezusit: një mënyrë e re jete dhe të menduari, e frymëzuar nga një Zot i bërë dashuri, mëshirë e falje.
Një vëllazëri ndërmjet të gjithë burrave dhe grave, që i tejkalon të gjitha dallimet shoqërore dhe etnike.
"Revolucioni" i padhunë i Ungjillit
Strukturat organizative, si dhe ushtrimi i autoritetit dhe i disiplinës, janë të përbashkëta për mënyrën e veprimit të ushtrisë e, nëse riinterpretohen në dritën e Ungjillit, edhe për atë të Kishës. Në të vërtetë, gjatë shekujve, vazhdoi Leoni XIV, mesazhi i Jezusit depërtoi në strukturat, kriteret, mënyrat e veprimit dhe të të menduarit të qytetërimeve të shumta.
Këtë nuk e bëri përmes revolucionit të dhunshëm, por përmes transformimit paqësor, nga brenda, përmes ndërgjegjes, kthesës së zemrave. Në këtë mënyrë, Ungjilli përhap "ndjenjën e Zotit e të njeriut", duke riafirmuar respektin "absolut" për jetën dhe personin njerëzor, "së bashku me adhurimin e Zotit dhe vetëm të Atij".
Rizbulimi i "thelbit" të mesazhit të krishterë
Më pas Papa pyeti nëse kjo nuk është pikërisht "çka mund dhe duhet të ndodhë në çdo epokë, madje sot, edhe në botë e në Romë". Përgjigje pohuese, që e gjen themelin e saj në nivelin "më të lartë" të Magjisterit kishtar: në Koncilin II të Vatikanit.
Jemi të thirrur të rizbulojmë thelbin e mesazhit të krishterë dhe stilin e Kishës së posalindur, t'i mishërojmë në botën tonë shumë të ndryshme dhe shumë më komplekse. Por Jezu Krishti është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë!
Duke vepruar me "ndërgjegje të drejtë"
Papa përfundoi duke falënderuar Karabinierët për shërbimin e tyre, veçanërisht në zonën e Vatikanit dhe në qytetin e Romës. E uroi që secili prej tyre t’i kryejë detyrat me "ndërgjegje të pastër", besnik ndaj parimeve të Korpusit të Karabinierëve dhe, si të krishterë, duke iu përmbajtur Ungjillit, "i cili e mbush çdo qëllim dhe çdo veprim me bamirësinë e Krishtit".
