Kërko

UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT-WAR

Papa i përgjigjet thirrjes së dëshpëruar së ipeshkvijve ukrainas për ndihmë.

Barna të ngutshme dhe ngrohës elektrikë. Leoni XIV, nëpërmjet Zyrës së Lëmoshtarisë Papnore, ka ndërmarrë veprime konkrete për të mbështetur popullsinë e Ukrainës të sprovuar rëndë nga lufta që po zgjat tash katër vjet. Gjatë kësaj periudhe të gjatë, Vatikani dhe Kisha vendase kanë treguar gjithmonë afërsi me ata që vuajnë.

R.Sh. Vatikan

Sulmet, shpërngulja e civilëve, gratë me fëmijë të ndarë nga burrat e tyre që janë larguar për në front, shtëpitë e shkatërruara, pamundësia për të shkruar të ardhmen! Nëse nga njëra anë lufta, e cila po shkatërron Ukrainën tash katër vjet, zbulon të këqiat e veta, nga ana tjetër shpalos të vërtetën e zemrave bujare, të njerëzve që shpikin gjëra për të lehtësuar vuajtjet dhe të një Kishe që bëhet nënë për fëmijët në nevojë.

Kërkesa drejtuar Papë Leonit nga disa ipeshkvijë ukrainas, është një "kërkesë e dëshpëruar", lexohet në një deklaratë të Dikasterit për Shërbimin e Lëmoshtarisë. Prelatët janë bërë zëdhënës të një popullsie që vuan pas bombardimeve të fundit, veçanërisht në zonën e Zaporizhës. Papa e dëgjoi britmën e tyre dhe disa ditë më parë dërgoi një kamion përmes Zyrës së Lëmoshtarisë Papale me ilaçet më urgjente për t’i përgjigjur "kësaj nevoje të ngutshme humanitare". "Mbi 1 milion euro", thuhet aty, "është vlera tregtare e kësaj dërgese të jashtëzakonshme, që u bë e mundur mbi të gjitha falë përfshirjes së Fondacionit të Bankës Farmaceutike ETS".

Ndihma që po mbërrin në Ukrainë

Ilaçe por jo vetëm kaq. Në luftë, gjithçka është e nevojshme, dhe i ftohti ukrainas e rrit nevojën për përgjigje urgjente. Ipeshkvi i Kharkiv-Zaporizhzhias, imzot Pavlo Honcharuk, bëri një thirrje prekëse në emër të mbi 800 familjeve – një lagje e tërë – të mbetura pa ngrohje pas operacioneve të fundit ushtarake kundër infrastrukturës energjetike; sulme që kanë shkaktuar dëme të pamundura për t'u riparuar shpejt. Për këtë arsye, ipeshkvi imzot Honcharuk i është drejtuar Kardinalit Konrad Krajewski, ndihmësit të Papës, për ndihmë konkrete për blerjen e pajisjeve të nevojshme për të ftohtin në shtëpitë e tyre.

Sot paradite, më 24 shkurt, ilaçet dhe qindra radiatorë elektrikë të mbushur me vaj, blerë në Itali mbërritën në Zaporizhzhia. Janë më shumë se 1,000 radiatorë që do të sigurojnë ngrohje për këto familje në vështirësi të mëdha, disa të detyruara të gjejnë strehim të improvizuar ose të shkojnë nëpër vende të ngrohura nga gjeneratorët. "Me gjithë vështirësitë logjistike dhe operacionale", njoftoi Lëmoshtaria Papnore, "ndihmat do të shpërndahen shpejt në të gjitha territoret e bombarduara".

Dhurata e Paqes

Kjo është përgjigjja konkrete e Papës për  përvjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, viktimat, "familjet e shkatërruara", "situatën dramatike para syve të të gjithëve" dhe "vuajtjet e papërshkrueshme". Prej këndej buroi edhe lutja e ngutëshme për paqë e Papës, një proces që nuk mund të "shtyhet" sepse është "urgjent". Duhet që armët të heshtin dhe të bëhet thirrje për armëpushim. Leoni XIV kërkon lutje sepse vuajtjet mund të shërohen edhe në këtë mënyrë, dhe sepse është lutja që i përgatit vërtet zemrat për paqe.

24 shkurt 2026, 15:59