Papa: edhe kush nuk ka fe mund të jetë kërkues i Hyjit
R.SH. / Vatikan
“Nuk mund të jetë ateist ai që e do Hyjin, ai që e kërkon Atë me zemër të sinqertë”. Kështu përgjigjet Papa Leoni, duke cituar Shën Augustinin, drejtuar Rokos nga Rexho Kalabria, i cili i dërgoi një letër revistës “Piazza San Pietro”, botuar nga Bazilika e Vatikanit. Papa, në numrin e shkurtit, e falënderon për poezinë dërguar nga Roko i cili kërkon ndihmë dhe pyet nëse është e mundur ta përkufizosh veten si ateist dhe në të njëjtën kohë ta duash Hyjin.
Ta gjesh Hyjin, brenda vetvetes
“Besoj se nuk besoj, absolutisht i sigurt në asgjënë vazhdoj ta dëshiroj fort Hyjin. Drama ime – shton Roko në poezinë e tij – është Hyji! Shqetësimi im është Hyji!”. “Ajo që Ju pohoni – është përgjigjja e Papës – më riktheu menjëherë në mendje atë që shkruan ati im i dashur Shën Augustini te vepra Rrëfimet: ‘Ti ishe brenda meje, dhe unë jashtë. E atje të kërkoja’”. Një citim që vë mirë në dukje se si kërkimi i Hyjit është dëshirë.
Në kërkimin e fytyrës së Tij qëndron dinjiteti i jetës njerëzore
“Problemi i vërtetë i fesë – vijon Leoni XIV – nuk është të besosh apo të mos besosh në Hyjin, por ta kërkosh Atë! Ai e lë veten të gjendet nga zemra që e kërkon dhe, ndoshta, dallimi i duhur që duhet bërë nuk është aq ai mes besimtarëve dhe jobesimtarëve, por mes kërkuesve dhe jokërkuesve të Hyjit”. Prandaj, Papa Leoni XIV shton se dikush mund të mendojë se është besimtar pa e kërkuar fytyrën e Zotit dhe rrjedhimisht pa e dashur Atë; përkundrazi, dikush mund të jetë i bindur se nuk beson dhe në vend të kësaj “të jetë kërkues i zjarrtë i fytyrës së Tij, ta dojë Atë – përfundon ai duke iu drejtuar Rokos – ashtu siç bëni Ju. Ja, ne jemi të gjithë dëshirues të Dashurisë, kërkues të Zotit Dhe këtu qëndron dinjiteti dhe bukuria e jetës sonë”.
