Kërko

Papa: në kontradiktat e kohës sonë, Kisha le të jetë një kështjellë bamirësie

Leoni XIV vizitoi famullinë e Zemrës së Krishtit në Castro Pretorio, pranë stacionit të madh të trenit, pasqyrë e "kontradiktave" të kohës sonë: disa largohen "të çkujdesur” pa shqetësimet e siguruara nga komoditeti, ndërsa të tjerët janë pa strehë; të tjerë akoma dëshirojnë të "punojnë ndershmërisht", por ndeshen me trafikun e paligjshëm të drogës dhe prostitucionin. Ftesa është të jesh "tharm i Ungjillit në brumin e territorit".

R.SH. / Vatikan

Kablloja e një karikuesi baterie varet nga një prizë elektrike, ndërmjet rrëfyesoreve prej druri ndërtuar në kohën e Don Boskos. I habitur nga hapat e nxituar, nuk ka kush faj nëse e harron, me sytë shigjetuar diku tjetër, tërhequr nga vala e energjisë elektrike që rrjedh nëpër navatën qendrore të Bazilikës së Zemrës së Krishtit në Castro Pretorio, në Romë: po kalon Papa Leoni XIV.

"Afërsia" dhe "bamirësia", ripohon, janë pengesa ndaj "dhunës së shfrenuar" që pllakos lagjen, e cila shpesh duket në lajmet më të tmerrshme. Fjalët e tij mbështeten nga historitë e refugjatëve, të sëmurëve, burrave dhe grave të rënduar nga plagë të dukshme. "Vetëm në pak metra, mund të prekni kontradiktat e kësaj kohe. Sepse pranë tyre, janë ata që zvarrisin një karrocë drejt stacionit romak të trenit Termini, me një powerbank të dyfishtë energjie në valixhen e tyre dhe një tren që nuk duhet humbur. Ndoshta është pikërisht në atë karikues të harruar - nga ata pa çati, ose që e gjejnë një të vetëm për një natë - që duket kuptimi më konkret i "afërsisë" së thirrur nga Papa.

Kisha, që nuk është vetëm streha e thirrur nga altari, por një vakt ose ujë i ngrohtë, një prizë për t'u lidhur për disa orë.

Në Kishën 'Sacro Cuore'  në Castro Pretorio, në Romë - vizita e dytë baritore e Papës në famullitë e Romës - e gjithë kjo merr formë. Dhe kur Leoni XIV niset për në Vatikan, në kohë për Engjëllin e Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, shumë mbeten, me një "flakë të vogël" për t'u ngrohur. Me energji baterie të mjaftueshme për një telefonatë. "Papa ishte atje." Për të telefonuar në shtëpi. Kudo që të jetë ajo, kushdo që të përgjigjet.

Mbërritja e Papës

Janë orët e para të së dielës, 22 shkurt. Ajri i ftohtë të pickon. Në Via Marsala, holli i madh që të çon në stacion është i ndaluar, por turma e besimtarëve rrjedh padurim, duke mbushur oborrin përpara bazilikës. Këtu bie në sy flamuri  verdh-e-bardh, ngjyrat e Vatikanit, e shkrimi: "Mirë se vini Papa Leoni XIV", si dhe vetë Papa në plan të parë, e Shën Gjon Bosko në sfond. Famullia krijon "shumë mundësi”, si Qendra e Dëgjimit, ku ata që e kërkojnë, gjejnë mbështetje psikologjike për shqetësimin e tyre; "Banka e Talenteve", vullnetarë që shpërndajnë ushqim dhe pije për të pastrehët të premteve në mbrëmje. Janë të pranishme edhe murgeshat e tre grupeve që frekuentojnë komunitetin famullitar: Bijat e Zojës Ndihmëtare të të Krishterëve, Klariset Françeskane, Misionaret e Krishtit të Ngjallur... Janë edhe fëmijët në orën e katekizmit, të veshur me xhaketa të mëdha, ndoshta sepse janë "të rritur"...Një kontekst ndëretnik dhe shumëfetar që, megjithatë, ofron mundësinë unike për të dëgjuar histori të ndryshme. "Pa naivitet", thonë prindërit.

Çudia e atyre që kanë nevojë

Në orën 8:15, pritja ndërpritet. Një shpërthim i papritur duartrokitjesh përhapet si zjarr në pyll. Leoni XIV hyn në oborrin ngjitur me bazilikën. Telefonat shuhen. Papa zgjat dorën e ua ngul sytë syve të tyre. Nuk flet nga lart. Përkundrazi! Përkulet, rreshtohet me nevojtarët e ndihmuar nga famullia. E buzëqesh! Buzëqeshje që shikohen me habi, përmes të cilave edhe një i rritur mund të bëhet përsëri i vogël. "Një flakë e vogël drite", do të thoshte Leoni XIV pak më vonë në homelinë e tij. Që mund dhe duhet të përhapet, duke filluar nga të rinjtë, të cilëve Papa u drejtohet pasi përfundon takimin  në oborr.

Rigjetja e lirive tona

Ndërmjet turmës janë edhe pesë katekumenë që do të marrin sakramentet Natën e Pashkëve. Papa, në fillim të homelisë, i tregon ata si shenjë e një fillimi, që u përket të gjithëve.

Posaçërisht në këtë Kohë Kreshmësh - jemi të thirrur të rizbulojmë hirin e Pagëzimit, si burim jete që banon brenda nesh dhe që, dinamikisht, na shoqëron me respektin më të madh për lirinë tonë.

Më pas flet për "dramën" e pavarësisë njerëzore, për tundimin e lashtë që kalon nëpër kopshtin e zanafillës dhe Jezusin në shkretëtirë.

Ungjilli duket se i përgjigjet dilemës së lashtë: a mund ta jetoj jetën time plotësisht duke i thënë "po" Zotit? Apo, për të qenë i lirë dhe i lumtur, duhet ta çliroj veten nga Ai?

Kisha, "prani mbrojtëse"

Pyetja nuk është më teorike: merr formë përsëri në gjestet konkrete të atyre që, çdo ditë, zgjedhin të japin nga vetja, përmes organizatave bamirëse që veprojnë pranë bazilikës. Ishte Papa Leoni XIII ai që i kërkoi Shën Gjon Boskos ta ndërtonte atë "në një udhëkryq unik të qytetit, i paracaktuar të bëhet edhe më i rëndësishëm me kalimin e kohës". Papa vëren tek secili besimtar "prani mbrojtëse" dhe afërsi me sfidat që u paraqet Castro Pretorio.

Ka shumë studentë universiteti, udhëtar që vijnë e shkojnë për punë, emigrantë që kërkojnë punësim dhe refugjatë të rinj që kanë gjetur në ndërtesën ngjitur, falë nismës së salezianëve, mundësinë për të takuar bashkëmoshatarë italianë dhe për të realizuar projekte integrimi.

Kontradiktat e lagjes

Papa kujton më tej "vëllezërit që nuk kanë shtëpi", të cilët trokasin në derën e Caritas, në Via Marsala, dhe gjejnë një shtrat në konviktin "Don Luigi Di Liegro".

Vetëm në pak metra, mund të preken kontradiktat e kësaj kohe: qëndrimi i shkujdesur i atyre që largohen dhe mbërrijnë me të gjitha komoditetet dhe ata që nuk kanë strehë; potencialet e shumta për të mirë dhe dhuna e shfrenuar; dëshira për punë të ndershme dhe tregtia e paligjshme e drogës dhe prostitucionit.

Një dikotomi e njohur tashmë në një intervistë me mediat e Vatikanit nga koordinatorja e hosteleve, Luana Melia. "Ne nuk jemi vende që i kronikizojnë vështirësitë, as nuk i importojmë ato në komunitetet lokale. Përkundrazi, duke ofruar shërbime që shkojnë përtej ushqimit dhe strehimit, ndihmojmë në parandalimin e konflikteve dhe situatave shpërthyese".

Lamtumira e Papës

Këto fjalë gërshetohen me ato të Papës, i cili e fton komunitetin të jetë "tharm i Ungjillit në brumin e komunitetit lokal".

Mesha bashkëkremtohet nga një numër i madh meshtarësh. Në fund të liturgjisë eukaristike, Leoni XIV shkon në kapelën e kishës për t'u takuar me bashkësinë saleziane dhe këshillin baritor. Më në fund, ka kohë për një lamtumirë të dëshiruar besimtarëve, që e presin në oborrin e bazilikës, përpara se të niset për në Vatikan. Kur grupet e fundit shpërndahen, karikuesi i baterisë është zhdukur. Dikush e ka shkëputur nga priza, e ka futur në xhep. "Më telefononi pas njëzet vjetësh", këndonte Lucio Dalla. Dikush, sot, e ka shënuar tashmë numrin.

22 shkurt 2026, 14:18