Kërko

Famullia e Santa Maria Regina Pacis në Ostia Lido, të cilën Papa Leoni XIV do ta vizitojë nesër, më 15 shkurt. Famullia e Santa Maria Regina Pacis në Ostia Lido, të cilën Papa Leoni XIV do ta vizitojë nesër, më 15 shkurt.

Mbi kodrën më të lartë të Ostias, famullia e periferisë pret Papën Leoni

Në Santa Maria Regina Pacis, Kishë e themeluar nga Benedikti XV për të shmangur luftën dhe e drejtuar nga pallotinët, Leoni do të kryejë të parën nga pesë vizitat e parashikuara për të dielat para Pashkëeve. Një zonë popullore, plot vështirësi e krime, por të banuar nga "njerëz të mirë", Papa do të takojë bashkësinë vendase. Famullitari Don Giovanni: "Jemi famulli e gjallë, në një zonë të vështirë. Ostia është shumë më tepër, nuk është ashtu si tregon media. Duam t’ia nxjerrim në pah bukurinë".

R.SH. / Vatikan

Valët e Detit Tirren, pjesë e Mesdheut, pasqyrojnë kupolën e Kishës prej 42 metrash, të cilën - të projektuar nga arkitekti Guido Magni në fillim të viteve 1900 - banorët e Ostias e quajnë "kupolon". Famullia e Shën Marisë Mbretëreshë e Paqes (Santa Maria Regina Pacis), që do të kremtojë 100-vjetorin pas dy vitesh, me dritaret e saj prej xhami të pikturuar, kushtuar Shën Augustinit dhe Shën Vincent Pallottit, është në majë të dunës më të lartë, në lagjen Lido të Ostia Levante. Në këto troje e 26-ta Prefekturë e Romës, ku arkeologjia gërshetohet me historinë e historia, me kronikat aktuale të krimit e të  shpërblimit shoqëror të popullit, kisha e porositur nga Benedikti XV gjatë konfliktit I botëror për të shmangur luftën, përfaqëson më se një vend shenjt.

Është xhevahir arkitektonik neoklasik, vend takimi për festime dhe veprimtari shoqërore, hapësirë ​​e dashur për banorët e Ostia Lido, afër Romës, dhe, madje, edhe për Papët. Nga Pali VI - tek Gjon Pali II, nga Benedikti XVI - tek Françesku, që e vizitoi dy herë (e para në vitin 2015 për t'u takuar me bashkësinë vendase dhe shoqëruesit e karnavaleve të parkut të argëtimit aty pranë), të gjithë Papët e fundit u ndaluan në Regina Pacis. Tani, edhe Leoni XIV e fillon vizitën e tij baritore në pesë famulli romake - këtu më 15 shkurt - një për secilin sektor të dioqezës, të dielave para Pashkëve.

Në gjurmët e Shën Augustinit dhe Shën Monikës

Nuk është zgjedhje e rastit, zgjedhja e Ostias, për Papën augustinian: në qytetin rreth 30 km larg Romës ka shkuar shumë herë në gjurmët e Shenjtit të Iponës, Atit të urdhrit fetar të cilit i përkiste, dhe nënës së tij, Monikës, e cila e përfundoi jetën tokësore pranë famullisë së Sant'Aurës e që iu kushtuan shtatore, kisha e klinika. "Ostia është port i rëndësishëm në historinë e botës, të Kishës dhe të historisë së Shën Augustinit e të Shën Monikës", e kujtoi vetë Leoni të rinjve të anijes Bel Espoir, të cilët i takoi në bregdetin ostiens.

Bashkësi e larmishme famullitare

Të dielën, Papa Leoni XIV do të jetë në numrin 13 të Piazza Regina Pacis, në këtë tempull themelet e të cilit u hodhën nga augustinianët e më vonë iu besuan pallottinëve, që e përfunduan ndërtimin e saj dhe tani i prijnë bashkësisë famullitare. Papa Leoni do të takohet me të gjithë komunitetin: fëmijë, të rinj nga grupe kishtare e të tjera, të sëmurë, të moshuar, të varfër - si emigrantë ashtu edhe shumë familje italiane, - pritur çdo ditë për drekë, vullnetarë të Karitasit dhe banorë të asaj skute.

Lajmi për arritjen e Papës u njoftua nga famullitari Don Giovanni Patané, i cili qe thirrur në Vikariatin e Romës javë më parë, nga Kardinali Baldo Reina, së bashku me katër priftërinj të tjerë famullitarë. "Ata na njoftuan për thirrje në Vikariat... Kur morëm thirrjen, u habitëm pak mbasi menduam se kishim gabuar dikund, por më pas njoftimi i famullitarit na mbushi me gëzim të madh", thotë prifti për mediat e Vatikanit. Famullitarët dhe Këshilli Baritor e mësuan lajmin menjëherë pas: "Ishte mrekullisht i bukur! Të gjithë ishin të lumtur, ndërsa lajmi përhapej shpejt në mediat sociale".

Bileta me shorte për t’i mirëpritur të gjithë

Gjatë këtyre ditëve, mjediset e brendshme e të jashtme të famullisë Shën Maria Mbretëreshë e Paqes janë plot me rregullime, pastrime dhe përgatitje. E, para së gjithash, presin mbërritjen e Papës "me lutje", siguron Don Giovanni. "Përgatitemi të mirëpresim Ipeshkvin tonë, bariun tonë, sepse ndërsa është e vërtetë që Papa po vjen, për ne ai është Ipeshkvi ynë dioqezan. Po planifikojmë një kohë të veçantë për të moshuarit dhe të sëmurët në palestër; pastaj, sigurisht, kremtimin eukaristik në Kishë dhe, menjëherë më pas, përshëndetjen për besimtarët që do të kenë mbetur jashtë kishës". Nefi qendror i Kishës zë afërsisht 400 persona. Duke pasur parasysh praninë e autoriteteve civile dhe ushtarake, u mor vendimi për t’i ndarë biletat me llotari: "Në këtë mënyrë, nuk do të ketë pëlqime a mospëlqime, por të gjithë mund të kenë mundësinë të marrin pjesë në kremtim", shpjegon Patané. Ndërkohë, në oborrin e Kishës po vendosen ekrane dhe karrige të mëdha: "Është një shesh shumë i madh, me  pamjen e bukur të një rruge që të çon drejt e në det".

Ngacmim rinor

Ndër ngjarjet e ndryshme që do të jetojë Leoni XIV në “Shën Marinë, Mbretëreshë e Paqes” (Santa Maria Regina Pacis), Papa do të takohet edhe me gati 300 fëmijë të katekizmit, që po përgatiten për Kungimin dhe Krezmimin, si dhe me qindra të rinj nga oratoria, Skautët, Rruga Neokatekumenale dhe grupe të tjera: "Kaq shumë të rinj! Është një nga periferitë më të reja të Romës, ndaj ka ngacmim të madh rinor".

Kjo nuk është e dhënë në një zonë të klasës punëtore ku, pohon famullitari, "ka situata sociale shumë të diskutueshme". "Ndoshta ne jemi periferia më e largët e Dioqezës" - shpjegon Patané. "Kur erdhi Papa Françesku në vitin 2015, brohoriti: 'A është ende kjo Dioqeza ime?'" - duke bërë shaka për distancën që kishte përshkuar për të shkuar në Ostia. Ne jemi periferi e ndërlikuar, e bukur, por edhe me zona të errëta, kështu që, përveç shumicës dërrmuese të qytetarëve - njerëz të mirë, njerëz me vullnet të mirë - ka diçka që nuk duhet lidhur me krimin, veçanërisht me drogën dhe prostitucionin".

Zona të errëta, por edhe shumë të mira

Të gjitha këto sfida duhen përballuar së bashku. "Policia po bën punë të jashtëzakonshme në këtë drejtim" - thekson meshtari. "Ne bashkëpunojmë ngushtë me ta, mbasi jemi të bindur se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve civile dhe fetare mund ta përmirësojë më tej zërin e mirë të kësaj zone, jo vetëm për lajme të këqija". Vetë Don Giovanni është pjesë e një komisioni, anëtarët e të cilit përfshijnë rregulltarë e priftërinj nga Roma: "U krijua vitin e kaluar për të paralajmëruar 'pikat e nxehta' të Dioqezës, në bashkëpunim me Komisionin parlamentar për periferitë".

"Jemi famulli e gjallë, por edhe pjesë e një periferie me shumë probleme, në një zonë që, për fat të keq, jeton situata dëmesh e vështirësish" - pohon famullitari. Megjithatë,  atij i duket e arsyeshme të theksojë: "Ostia nuk është vetëm kjo, ka edhe shumë mirësi e, në vend që ta gjykojmë, siç bëjmë shpesh, duhet ta duam këtë zonë pak më shumë... Po, ka sëmundje sociale, drogë dhe prostitucion, nuk mund ta mohojmë këtë, por jo e gjithë Ostia është kështu. Është vetëm një pjesë! Një njollë e zezë, mbi  kanavacë të bardhë, që bie menjëherë në sy, por prapëseprapë njollë është! Ne duam të kontribuojmë në një tregim të ndryshëm nga ai i mediave, i filmave apo i një mori historish rreth Ostias, duke nisur me këtë kishë. Një Kishë e bukur".

14 shkurt 2026, 12:02