Leoni XIV: vizitat baritore në Itali nga maji deri në gusht

Nga veriu, në Pavia, ku ruhen eshtrat e Shën Augustinit, atit të urdhrit rregulltar të cilit i përketë Papa, deri në jugun e skajshëm në ishullin e Lampeduzës, teatër i tragjedisë së migracionit. Dhe në mes: Pompei, Napoli, Açerra, Asizi dhe Rimini me Mitingun për Miqësinë ndërmjet Popujve.

R.SH. - Vatikan

Sot u njoftuan vizitat baritore të Papës nga muaji maj deri në gusht. Leoni XIV do të kremtojë përvjetorin e tij të parë të zgjedhjes, më 8 maj, në Shenjtëroren e Zojës Rruzare në Pompei dhe më pas në Napoli. Në fund të muajit, do të vizitojë Açerrën (Acerra). Më pas, në qershor do të jetë në Pavia, ku në Bazilikë ruhen eshtrat e Shën Augustinit, dhe në korrik në ishullin e Lampeduzës, simbol i tragjedisë së migracionit. Kthimi në Asizi në fillim të gushtit dhe, së fundi, pjesëmarrja në Mitingun për Miqësinë ndërmjet Popujve, në Rimini.

Një "shtegtim" i gjatë në të gjithë Italinë e pret Papa Leonin XIV për muajt maj, qershor, korrik dhe gusht. Prefektura e Shtëpisë Papnore bëri të ditur sot, 19 shkurt, kalendarin e vizitave baritore të Leonit XIV, që do ta shohin të angazhuar në kremtime dhe takime me komunitetet kishtare dhe civile lokale. Pra, Pompei, Napoli, Açerra, Pavia, Lampeduza, Asizi dhe Rimini janë vendet që do të vizitohen nga Leoni XIV në Itali, datat e të cilave u publikuan sot nga Prefektura e Shtëpisë Papnore.

  • Më 8 maj, Leoni XIV do të shkojë në mëngjes në Pompei, ku do të udhëheqë Meshën dhe lutjen drejtuar Zojës Rruzare, për të drekuar më pas pasdite në Napoli. Atje, në Katedrale, do të takojë klerin dhe rregulltarët, e më pas do të zhvendoset në Piazza Plebiscito për takimin me qytetarët.

  • Më 23 maj, Papa do të mbërrijë në Açerra, ku në mëngjes do të takojë besimtarët e "Tokave të Zjarrit" (Terre dei Fuochi).

  • Më 20 qershor, pasdite, është parashikuar vizita baritore e Papës Leoni XIV në Pavia, në Bazilikën e San Pietro in Ciel d’Oro, ku prehet trupi i Shën Augustinit.

  • Më 4 korrik, në mëngjes, Papa do të shkojë në Lampeduza, vendmbërritja e udhëtimit të parë apostolik të Papa Françeskut, më 8 korrik 2013.

  • Më 6 gusht, Papa do të shkojë në Asizi, në Santa Maria degli Angeli, për të takuar të rinjtë e mbledhur në tetëqindvjetorin e kalimit në amshim të Shën Françeskut dhe për të udhëhequr Meshën e rastit. Kjo është hera e dytë që Leoni XIV shkon në Asizi, ku kishte takuar ipeshkvijtë italianë të mbledhur në asamble në nëntorin e kaluar.

  • Më 22 gusht, së fundi, në Rimini është programuar takimi i Papës me pjesëmarrësit e Mitingut të 47-të për miqësinë ndërmjet popujve, gjatë të cilit Ati i Shenjtë do të udhëheqë një Meshë me besimtarët e dioqezës. Leoni XIV vjen në Mitingun e Riminit 44 vjet pas Gjon Palit II, i cili kishte shkuar atje më 9 gusht 1982.



19 shkurt 2026, 13:32