Favelat në Rio De Zhaneiro (AFP ose licencuesit) Favelat në Rio De Zhaneiro (AFP ose licencuesit)

Leoni XIV: të punojmë së bashku për t’i dhënë shtëpi, atij që ka nevojë

Në mesazhin për Fushatën e Vëllazërisë, në Brazil, në zhvillim gjatë Kreshmëve, Papa nxit veprime që sigurojnë strehim të mirë, për ata që nuk e kanë. "Ndarja e dhuratave, pohon, duhet të jetë qëndrim i vazhdueshëm, që na angazhon ta takojmë Krishtin e pranishëm ndër ata, që nuk kanë ku të jetojnë".

R.SH. / Vatikan

Kreshmët janë "kohë e shenjtë", shkruan Shën Augustini, gjatë së cilës dikush merr "thirrje të veçantë nga Zoti për kthim të mirëfilltë". E kështu shkruan edhe Papa në mesazhin e tij të datës 11 shkurt 2026 për Fushatën e Vëllazërisë në Brazil,  e organizuar për më shumë se 60 vjet nga Konferenca Ipeshkvnore lokale, këtë vit kushtuar atyre që vuajnë për shkak se nuk kanë strehim të mirë.

Leoni XIV na kujton se "në këtë kohë lutjeje të vazhdueshme", është e nevojshme të ripërtërijmë angazhimin tonë ndaj "më të varfërve dhe më nevojtarëve, me të cilët identifikohet vetë Krishti". E kjo, sepse janë "marrësit e vërtetë të dashurisë sonë preferenciale", siç e theksoi Papa në Nxitjen Apostolike Dilexi te, thirrje për zhdukjen e shkaqeve strukturore të varfërisë.

Mungesa e shtëpive, shenjë e mangësisë njerëzore

Tema e Fushatës së Vëllazërisë 2026 frymëzohet nga një shprehje e Ungjillit të Gjonit, "Ai erdhi të banojë ndërmjet nesh", dhe na nxit të shohim në këtë realitet vuajtjeje, një "problem të rëndë", siç e quajti Shën Gjon Pali II, "i cili ka pasoja negative në nivelin individual, familjar dhe shoqëror". "Mungesa e banesës duhet të konsiderohet", shkroi Papa Gjon Pali II në letrën e tij enciklike Sollicitudo rei socialis, "shenjë dhe sintezë e një serie të tërë mungesash ekonomike, sociale, kulturore ose thjesht njerëzore".

Një qëndrim i vazhdueshëm

Ftesa e Papës Leoni është që reflektimi të frymëzojë jo vetëm veprime të izoluara, por vetëdije të vërtetë. Dhe e nxit tek të gjithë vetëdijen se ndarja e dhuratave që Zoti na jep bujarisht, nuk mund të kufizohet vetëm në një kohë të caktuar të vitit, në një fushatë apo në disa veprime specifike, por duhet të jetë qëndrim i vazhdueshëm, i cili na angazhon të takojmë Krishtin e pranishëm, tek ata që nuk kanë ku të jetojnë.

Politikat për shtëpi

Papa shpreson se nismat e lindura nga Fushata e Vëllazërisë në Brazil do të kenë ndikim të qëndrueshëm. E uron t’i frymëzojnë autoritetet qeveritare që t’i nxisin politikat publike në mënyrë që, duke punuar së bashku, të jetë e mundur të arrihen përmirësime të ndjeshme në kushtet e strehimit për ata që kanë më shumë nevojë.

Urim ky, që  ia beson Zojës së Aparecidës, Pajtores së Brazilit. E më pas u jep bekimin atyre që punojnë “për të siguruar që të gjithë të kenë strehim dinjitoz”.

19 shkurt 2026, 12:15