Leoni XIV salezianëve: vazhdoni shërbimin tuaj në zonat e varfërisë e të luftës
R.SH. / Vatikan
Kur isha djalë, para se të hyja te augostinianët, bëra edhe një vizitë në komunitetin salezian. Keni dalë në vendin e dytë, më vjen keq!
"Rrëfimi" i Papa Leonit XIV, i pritur me të qeshura nga anëtarët e komunitetit të themeluar nga Shën Gjon Bosko, të cilëve u është besuar Bazilika e ‘Zemrës së Shenjtë të Jezusit’ në Castro Pretorio, në Romë, zbulon në fakt një vëmendje serioze dhe të përbashkët ndaj afërsisë në pjesë të ndryshme të botës, "ku ka luftë, ku ka konflikt, ku ka varfëri, ku Jezusi dëshiron të jetë i pranishëm". Një afërsi "e Krishtit dhe e Kishës" që konkretizohet edhe në rrugët e Romës, në "zemrën" e saj, përmes aktiviteteve të solidaritetit të promovuara nga Këshilli Baritor i famullisë së ‘Zemrës së Shenjtë të Jezusit’. Këto janë dy momentet që mbyllin vizitën pastorale të Papës në Kishën e ndodhur pak hapa larg stacionit hekurudhor të Terminit, në Romë, në prani të kardinalit vikar për Dioqezën e Romës, Baldo Reina.
"Shenjat e pashkruara" të bamirësisë
Pikërisht falë angazhimit të Shenjtit salezian, frymëzuar nga vullneti i dy Papëve, Piut IX dhe Leonit XIII, mundi të ndërtohej Bazilika. Pas fjalimit përshëndetës të Atë Fabio Attard, Rektorit të Madh të Kongregatës së Salezianëve, Papa mori shembull e shtytje prej citimit të një fraze të Kapitullit 20, nga Ungjilli i Gjonit, duke përmendur "shumë shenja të tjera" të kryera nga Jezusi, "të pashkruara në këtë libër".
Ju bëni pjesë, jeni shprehje e njërës prej këtyre shenjave jo të shkruara në libër, por të shkruara në zemrën e Jezusit: edhe sot e vazhdoni këtë shërbim të rëndësishëm në katër anët e botës, aty ku ka luftë, konflikt, varfëri, ku Jezusi dëshiron të jetë i pranishëm.
Mbështetje "më të vegjëlve të Mbretërisë"
Anekdota e treguar nga Papa në lidhje me dështimin e tij për të hyrë në Kongregatës Salezian, shkaktoi afërsinë dhe pasurinë e karizmave që Leoni XIV i njeh në familjen e Don Boskos: "ky shërbim ndaj të rinjve, kjo dashuri për baritorinë edukative, këto shprehje që i jetoni në shumë vende të botës"- u tha salezianëve.
Më pas Papa vazhdoi të flasë, duke e quajtur “të madhe” mundësinë për ta kremtuar fenë e përbashkët e duke e ndjerë veten afër "më të voglit të Mbretërisë", festë që në lagjen romake Castro Pretorio manifestohet tek të rinjtë, jo vetëm italianë, të cilët mund të kenë shërbime të tilla, si shkolla e gjuhës italiane. Pastaj, përsëri një shaka: "Më parë, i thashë profesorit se do të doja të bashkohesha edhe me kurset e tij të italishtes, të cilat gjithmonë mund të ndihmojnë!"
"Zemra" e Jezusit dhe e qytetit
Një çast të dytë takimi dhe bashkësie me Këshillin Baritor të 'Zemrës së Shenjtë të Jezusit' Papa Leoni XIV e jetoi me Këshillin Baritor të famullisës së 'Zemrës së Shenjtë të Jezusit'. Pasi kërkoi duartrokitje për famullitarin, Atë Javier Ortiz Rodriguez, Papa theksoi se bazilika përfaqëson një "shtëpi" për "lumin e shtegtarëve që kalojnë nëpër Termini çdo ditë". "Zemra" e qytetit dhe "Zemra e Jezusit" bashkohen. Kështu, ai përsëriti të njëjtat fjalë të përdorura nga prifti në fund të kremtimit eukaristik dhe theksoi:
Është vërtet e bukur ta jetosh këtë frymë, jo vetëm të zemrës së një qyteti, por të zemrës së Krishtit, e cila është gjithmonë plot dashuri dhe mëshirë. Mëshirë e manifestuar në kaq shumë shërbesa, kaq shumë forma bamirësie, mikpritjeje, shoqërimi, afërsie të Krishtit, afërsie të Kishës me të gjithë këta njerëz.
"Duke ecur të gjithë së bashku"
Duke uruar mundësi të mëtejshme për t'u takuar në të ardhmen, Leoni XIV theksoi se Këshilli Baritor, bashkësia edukative-baritore në frymën saleziane, ka natyrë "sinodale", në kuptimin e saj etimologjik të "ecjes së të gjithëve së bashku".
E kështu ju, që përfaqësoni kaq shumë sektorë, kaq shumë bashkësi, kaq shumë realitete të kësaj famullie të Romës, të mbledhur këtu së bashku, duke punuar së bashku, përfaqësoni edhe këtë përmasë të bukur të jetës kishtare, të jetës së Kishës. Faleminderit për gjithçka bëni!
