Papa: asnjë i ri të mos mbetet mënjanë në ëndrrën e tij për një botë më të mirë
R.Sh. Vatikan
«Projekti «Policoro» lindi si një përvojë kishtare dhe është fryt i mendimit të një Kishe që jo vetëm dëshiron të bëjë diçka për të rinjtë, por i bën ata edhe protagonistë të udhëtimit të saj dhe të së ardhmes së çdo territori. Me ju, ne jemi një Kishë në shërbim të botës, si tharmi te buka.»
Me këto fjalë, Papa Leoni XIV kujtoi vlerën e kësaj nisme të Konferencës ipeshkvnore italiane, e themeluar në vitin 1995 për të luftuar papunësinë e të rinjve, së pari në jug dhe më pas në të gjithë vendin. Këtë mëngjes, më 21 shkurt, ai u takua me 350 pjesëmarrës në këtë projekt në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, me rastin e 30-vjetorit të kësaj nisme. Duke iu drejtuar shumë të rinjve të pranishëm, Papa i quajti ata "fytyra e bukur e një Italie që nuk dorëzohet, nuk dorëzohet, përvesh mëngët dhe ngrihet përsëri".
Në tridhjetë vjet, ju keni mbjellë një të mirë të pamatshme që ia vlen të ndahet me të tjerët: të rinj që janë përfshirë në jetën shoqërore dhe politike; jetë që janë rigjallëruar falë Ungjillit dhe doktrinës shoqërore të Kishës.
Asnjë i ri nuk mund të lihet "në anë të rrugës". Leoni XIV theksoi kështu se falë projektit «Policoro», shumë vetë i kanë thënë "jo" "korrupsionit, shfrytëzimit të punës dhe padrejtësisë" dhe se "disa prona të konfiskuara të mafias janë kthyer në investime në punën sociale; kanë lindur kooperativa që kanë ndihmuar qytetet dhe rajonet të lulëzojnë. Kështu, "shumë të rinj janë mbështetur për krijimin e sipërmarrjeve" dhe orë të tëra janë shpenzuar "në shkolla dhe famulli për t'i edukuar ata rreth kuptimit të punës dhe drejtësisë, për t'i formuar ata për paqen, për të rritur ndërgjegjësimin për të mirën e përbashkët".
Ju keni mjekuar plagët e të rinjve të lënë anash, të zhgënjyer dhe të shkëputur. Faleminderit për të gjitha këto të mira që keni mbjellë! Faleminderit sepse jeni treguar shumë të qartë se asnjë i ri në jetë nuk mund të lihet "në anë", por duhet të mbështetet në realizimin e ëndrrave të tij dhe përmirësimin e botës. – vijoi Papa Leoni XIV.
Një projekt që ungjillëzon botën e punës
Duke kujtuar se projekti ia detyron lindjen e tij krijimtarisë baritore të drejtorëve kombëtarë të shërbimit social, «Caritas»-it dhe shërbimit rinor të Konferencës së ipeshkvijve italianë, të frymëzuar nga Konventa Kishtare në Palermo, e cila "kishte bëri thirrje për vëmendje të veçantë ndaj Jugut të vendit", Papa pohoi se ky projekt është rritur duke kërkuar të "ungjillëzojë botën e punës". Sot, ky është bërë "një fytyrë e gjallë dhe rinore e asaj që Kisha mund dhe duhet të jetë". "Në shërbim të vendit". Por tashti, sigurisht, nuk është koha për t'u ndalur.
Ka ende nevojë për angazhimin tuaj, veçanërisht në këtë kohë dimri demografik, shpopullimi të zonave më të prekshme të vendit, të të rinjve që rrezikojnë t’i lëshojë zemra dhe të tërhiqen. Askush nuk duhet të lihet në harresë. Askush nuk duhet të ndihet i braktisur.
Katër udhëzimet për vazhdimin e udhëtimit
Pastaj Leoni XIV iu drejtua "animatorëve të komunitetit", protagonistëve të vërtetë të projektit, duke u kujtuar atyre se "dioqezat ju zgjedhin dhe ju marrin për dore, ndërsa ju mbështesni të rinjtë që kërkojnë një shteg për në punë, ekonomi dhe shoqëri". Kështu, pas Italisë Jugore, u përfshinë edhe zona të tjera, "vendet më të mbyllura, me "njerëz më të ligështuar". Këtyre, Papa u paraqiti katër udhëzimet për vazhdimin e rrugëtimit të projektit. I pari është Ungjilli, i cili, siç shkroi atë Mario Operti, një nga krijuesit e projektit së bashku me imzot Giuseppe Pasini-n, me pasurinë e tij "mund të ndryshojë vërtet jetën e njerëzve dhe t'i ndihmojë ata të ecin".
Doktrina Sociale e Kishës si udhëzuese
Udhëzuesi i dytë është magjisteri social i Kishës, i cili duhet të studiohet që ta duam këtë kohë dhe që të kemi "mjetet për të interpretuar realitetin".
Njeriu në qendër, e mira e përbashkët, solidariteti, subsidiariteti, caku përfundimar i përbashkët i të mirave, pjesëmarrja, ekologjia e gjithëanshme dhe paqja na udhëheqin në ndërtimin e një shoqërie në përputhje me planin e dashur të Zotit për njerëzimin.
Kujdesi për rrjetet komunitare si kripa e tokës
Burimi i tretë që përmendi Leoni XIV është komuniteti sepse puna, ekonomia, politika dhe komunikimi "nuk mbështeten te gjenialiteti i udhëheqësve të vetmuar, por varen nga ekspertët në marrëdhëniet shoqërore".
Kur jeta komunitare rritet, në shoqëri si në Kishë, atëherë ne kemi krijuar kushtet që jeta të lulëzojë. Ju do të lindni të renë sa herë që kujdeseni për rrjetet komunitare.
Të njihet jeta e dëshmitarëve të angazhimit shoqëror
Kjo është arsyeja pse Papa thekson se, "Nëse ëndërroni së bashku, nëse i kushtoni kohë hapjes së shtigjeve të përbashkëta, nëse i doni qytetet tuaja, do të bëheni si kripa që i jep shije gjithçkaje". Në fund, Ati i Shenjtë, Leoni XIV, ftoi të marrim në shqyrtim shumë "etër dhe nëna në Shpirt": shenjtorë dhe dëshmitarë, "angazhimi shoqëror i të cilëve ka qenë burim i ripërtëritjes qytetare dhe bamirëse". Ndër tjerë, Papa citoi Shën Françeskun e Asizit dhe Shën Gjon Boskon, por edhe Pino Puglisin dhe Tonino Bellon. Papa i këshilloi të pranishmit të njohin dhe të përhapin biografitë "që mbartin shenjën e pranisë së Shpirtit Shenjt në vendet ku jetojnë".
Ekziston një lumë shenjtërie që ka begatuar komunitetet tona. Është shenja konkrete se Zoti nuk na lë kurrë vetëm. Ai na ka dashur, vazhdon të na dojë dhe nuk lodhet kurrë duke u bërë i pranishëm përmes njerëzve, që janë mishit e gjakut, të aftë për të shndërruar jetën shoqërore dhe për të ungjillëzuar botën e punës. Prej tyre mësoni guximin dhe si të jeni të hapur gjithmonë ndaj Hireve të Zotit.
Grishja e fundit e Papë Leonit XIV drejtuar protagonistëve të projektit «Policoro» ishte që të mos ndalen kurrë “së ëndërruari dhe së ndërtuari lidhje me të rinj të tjerë nga Evropa dhe kontinente të tjera”, të cilët, njësoj si ata, e duan Kishën dhe punojnë në emër të saj në shoqëri.
