Leoni XIV: në kohë të trazuara, është e rëndësishme që Papa të jetë i lirë të thotë të vërtetën.
R.SH. – Vatikan
Në një kohë kur "të shpallurit e Mbretërisë së Hyjit pengohet në shumë vende të botës dhe me shumë mënyra", takimi i Papa Leonit XIV me shoqatën «Pro Petri Sede», që ka kuptimin «në ndihmë të selisë së Pjetrit» këtë mëngjes, më 18 shkurt, në sallëzën e Sallës së madhe Pali VI, qe një mundësi për të pohuar rishtas përparësitë e misionit apostolik të Mëkëmbësit të Krishtit. Detyra e "mbledhjes së popullit besimtar" dhe e çuarjes së Lajmit të Mirë të "Ungjillit të Shpëtimit në të gjithë tokën" nënkupton "një liri të pakushte për ta bërë këtë gjë" – u shpreh mes tjerash Leoni XIV.
Prandaj, në kohët e trazuara që jetojmë, është e rëndësishme që "Pjetri" të gëzojë lirinë e tij të plotë për të thënë të vërtetën, për të denoncuar padrejtësitë, për të mbrojtur të drejtat e më të dobëtve, për t’i dhënë krahë paqes dhe mbi të gjitha, për të shpallur të vdekurit dhe dhe të ngjallurit e Jezu Krishtit, mundësia e vetme që ka njerëzimi për pajtim.
Lutja dhe bamirësia, "armët" e reja të shoqatës
Shoqata, e përfaqësuar në takimin me Papën nga afërsisht 90 anëtarë, ka për detyrë të lutet për Papën, të mbledhë dhanti dhe të mbështesë veprat dhe nismat bamirëse të Selisë së Shenjtë. Çdo tri vjet, ajo organizon një shtegtim në Romë për të shfaqur personalisht "besnikërinë" kundrejt Pasardhësit të Pjetrit.
Leoni XIV, në fjalimin që mbajti frëngjisht, kujtoi se anëtarët e shoqatës, themeluar në vitin 1968 nga një grup katolikësh laikë, janë "trashëgimtarë të largët" të Zuavëve Papnorë – njësi të famshme ushtarake të krijuara në vitin 1860 për të mbrojtur Shtetin Papnor. Ata ushtarakë "u patën angazhuar pa kushte për të mbrojtur lirinë e Papës së Romës, madje edhe me jetë, sepse ai asokohe gjendej i kërcënuar". Një sakrificë kjo, theksoi Papa, të cilën tashmë "kushtet socio-historike" nuk e quajnë të nevojshme sepse "beteja e vërtetë tani ka tipare të tjera".
«Angazhimi juaj i pakushtëzuar ndaj Papës shprehet në thelb sot në lutjet tuaja; në përpjekjet tuaja për t'u shpjeguar besimtarëve rolin dhe veprimin e Selisë së Shenjtë, por dhe në ofertat tuaja materiale, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë.» – tha Ati i Shenjtë Prevost.
Një qendër trajnimi në dioqezën "e dashur" të Çiklajos.
Leoni XIV vijoi më pas e tha se ishte "i prekur" që kjo shoqatë ka vendosur të mbështesë një vepër bamirësie këtë vit në "dioqezën time të dashur të Çiklajos", Peru. Në atë vend, Papa Prevost ishte administrator apostolik qysh prej nëntorit 2014 dhe ipeshkëv, qysh prej vitit 2015 e deri në fillim të vitit 2023.
Papa i falënderoi anëtarët e kësaj shoqate për këtë gjest edhe në emër të ipeshkvit të tashëm të Çiklajos, imzot Edinson Farfán-it.
«Krijimi i një qendre formimi për ata që kanë më shumë nevojë do të jetë shumë i dobishëm dhe do të më lejojë, ndonëse gjendem larg, t’u qëndroj pranë të gjithë atyre njerëzve me mendjen dhe zemrën time.» – u tha të pranishëmve Papë Leoni.
Vetë Papa, kur ishte ipeshkv i Çiklajos, pati nisur fushatën "Oksigjeni i Shpresës" për t’i bërë ballë mungesës së rëndë të oksigjenit mjekësor në atë trevë gjatë pandemisë Covid-19 dhe pati punuar ngusht me Caritas-in dioqezan për shpërndarjen e ushqimeve dhe për krijimin e «tryezave» të ushqimit nëpër famulli.
Pasi u kërkoi atyre të "këmbëngulin në misionin e tyre të rëndësishëm të mbështetjes dhe zgjerimit të Selisë Apostolike" dhe pasi i falënderoi për "ngushëllimin e madh" të lutjeve të tyre, Papa më në fund ua besoi anëtarët e shoqatës dhe familjet e tyre "ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, Nënës së Kishës, dhe mbrojtjes së Apostullit Pjetër".
