Leoni XIV, në famullinë e Castro Pretorio, takim me të varfrit, grupet dhe fëmijët
R.SH. / Vatikan
Gjithçka është gati në Bazilikën famullitare të Zemrës së Krishtit, në Castro Pretorio, në Romë, për vizitën e Leonit XIV. Të dielën, më 22 shkurt, Papa do të shkojë në bashkësinë e Via Marsalës 42, besuar Salezianëve të Don Boskos. Papa do të arrijë në orën 8:15 të mëngjesit e do të mirëpritet menjëherë në oborr nga rreth një mijë vetë, përfaqësues të grupeve të ndryshme famullitare. Do të jenë të pranishëm, ndërmjet të tjerëve, Qendra e Dëgjimit, Banka e Talenteve, të rinjtë, fëmijët e katekizmit, të varfrit e ndihmuar nga famullia dhe pesë katekumenë, që do t’i marrin sakramentet e Shenjta Natën e Pashkëve.
Mesha në famulli
Në orën 9 të mëngjesit, Leoni XIV do të kryesojë Meshën në Bazilikën e famullisë në Castro Pretorio. Bashkëmeshtarët do të jenë Kardinali Baldo Reina, Vikar i Papës për Dioqezën e Romës; Kardinali Titullar Giuseppe Versaldi, Prefekt nderi i Kongregatës për Edukimin Katolik; Rektori i madh i Salezianëve, dom Fabio Attard; Eprori i Distriktit Salezian të Italisë Qendrore, dom Roberto Colameo; famullitari, dom Javier Ortiz Rodriguez - e shumë priftërinj të tjerë. Do të jenë të pranishme edhe tre grupe motrash rregulltare, që frekuentojnë bashkësinë: Bijat e Marisë Ndihmëtare të të Krishterëve (Salezianet), Klariset Françeskane Misionare të të Shenjtnueshmit Sakrament dhe Misionaret e Krishtit të Ngjallur. Kisha do të jetë plot me besimtarët e lagjes romake Castro Pretorio, shumë të moshuar dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Takime me bashkësinë e grupe të ndryshme
Në përfundim të kremtimit, Papa "do të shkojë në kapelë, ku do të takohet me bashkësinë saleziane. Më pas, në një dhomë tjetër, me këshillin baritor të famullisë, me të rinjtë - e edhe me ne, meshtarët". Vizitën e Papës e njoftoi famullitari dom Rodriguez, duke e quajtur "hir shumë i madh, dhuratë që na bën Ati i Shenjtë. Vjen tek ne, vazhdon dom Rodriguez, që jemi në qendër të qytetit të Romës, por në të vërtetë ndihemi sikur jemi në periferi; është e mrekullueshme të ndjejmë afërsinë e Bariut tonë e Ipeshkvit tonë të Romës që është Papa. Shpresojmë se kjo do të ndihmojë në rigjallërimin e shërbesës sonë baritore e, mbi të gjitha, në afrimin pranë atyre që janë vetëm, sepse kemi shumë të moshuar, e gjithashtu do t'i afrojmë edhe ata që janë larg".
