Kërko

Më 12 dhjetor, Papa Leoni XIV kremtoi Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në kujtim të Zojës së Guadalupës. (@VATICAN MEDIA) Më 12 dhjetor, Papa Leoni XIV kremtoi Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në kujtim të Zojës së Guadalupës. (@VATICAN MEDIA)

Leoni XIV: çdo kulturë mund të jetë vend takimi me Krishtin

Në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit Teologjik Baritor mbi ngjarjen e Guadalupës, i cili zhvillohet në Mexico City nga 24 deri më 26 shkurt, Papa thekson se ungjillëzimi nënkupton hyrjen me respekt në historinë dhe realitetin e popujve: "Katekizimi është misioni qendror i Kishës".

R.SH. / Vatikan

"Zonja e Guadalupës është mësim i pedagogjisë hyjnore mbi inkulturimin e së vërtetës shëlbuese". Papa Leoni XIV e pohon këtë në mesazhin drejtuar Kongresit Teologjik Baritor mbi Ngjarjen e Guadalupës, që filloi në Mexico City dje, 24 shkurt, e do të vijojë deri më 26 shkurt.

Takimi - i organizuar nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine, Konferenca Ipeshkvnore Meksikane, Kalorësit e Kolombit dhe Akademia Papnore Ndërkombëtare Mariane - synon kryesisht të reflektojë mbi ngjarjen e Guadalupës, për të forcuar proceset baritore në mbarë kontinentin amerikan si dhe në vendet e tjera të përfshira, e edhe për t’i frymëzuar të gjitha Kishat e Amerikave dhe vendet e tjera të interesuara për nëntvjetorin e Guadalupes, në përgatitje për Jubileun e vitit 2031.

 Guadalupe, model takimi me Krishtin

Në tekstin, nënshkruar më 5 shkurt, në kujtim të Shën Filipit të Jezusit, protomartir meksikan, Papa Leoni XIV e filloi reflektimin duke pranuar mënyrën se si vetë Zoti u duk dhe na ofroi shëlbimin. Në këtë kuptim, pohoi se Ai nuk dëshironte ta zbulonte Veten si entitet abstrakt a si e vërtetë e imponuar nga jashtë, por duke hyrë gradualisht në histori e duke dialoguar me lirinë e njeriut.

Papa Prevost pohon se ungjillëzimi ka të bëjë para së gjithash me praninë dhe takimin e Jezu Krishtit dhe se çdo veprim i Kishës duhet t’i nxisë qeniet njerëzore në marrëdhënie të gjallë me Të, "marrëdhënie që e ndriçon ekzistencën, sfidon lirinë dhe hap rrugë kthese, duke na përgatitur të mirëpresim dhuratën e fesë si përgjigje për Dashurinë që i jep kuptim jetës dhe e mbështet në të gjitha përmasat e saj".

Leoni XIV saktëson se në Virgjërën e Guadalupës, "nuk kanonizohet kultura, as nuk absolutizohen kategoritë, por as nuk injorohen e as nuk  përçmohen: supozohen, pastrohen e transformohen, për t'u bërë vend takimi me Krishtin".

La Morenita tregon mënyrën e Zotit për t'iu afruar popullit të Tij: respektuese në pikën e saj të fillimit, e kuptueshme në gjuhën e saj, e vendosur dhe e butë në udhëheqjen drejt një takimi me të Vërtetën e plotë, me Frytin e bekuar të barkut të saj Jezus. Ndërmjet trëndafilave të pikturuar, Lajmi i Mirë - Ungjilli hyn në botën simbolike të një populli dhe e bën të dukshme afërsinë, duke ofruar risinë e tij pa dhunë e pa detyrim. Kështu, ajo që ndodhi në Tepeyac nuk paraqitet as si teori e as si taktikë, por si kriter i përhershëm për të dalluar misionin ungjillëzues të Kishës, e thirrur për të shpallur Zotin e Vërtetë përmes të cilit jetojmë, pa e imponuar Atë, por edhe pa e zbehur risinë rrënjësore të pranisë së Tij shëlbuese.

Inkulturimi, proces i kërkuar

Papa Leoni XIV sqaron se inkulturimi i Ungjillit ndjek rrugën e Zotit, që konsiston "në hyrjen me respekt dhe dashuri në historinë konkrete të popujve, në mënyrë që Krishti të njihet, të duhet dhe të mirëpritet vërtet brenda përvojës së tyre njerëzore dhe kulturore".

Kjo përfshin përvetësimin e gjuhëve, simboleve, mënyrave të të menduarit, të të ndjerit dhe të të shprehurit të secilit popull, jo vetëm si mjete të jashtme të mesazhit, por si vende reale ku hiri dëshiron të banojë dhe të veprojë.

Njëkohësisht paralajmëron se inkulturimi nuk është ekuivalent me fijimin e së vërtetës së krishterë, ose me përvetësimin e kulturës lokale, si kriter feje. Inkulturimi nuk është i njëllojtë me shenjtërimin e kulturave, as me përvetësimin e tyre, si kornizë interpretuese vendimtare për mesazhin e Ungjillit. Nuk mund as të reduktohet në akomodim relativist, a në përshtatje sipërfaqësore të mesazhit të krishterë, pasi asnjë kulturë, sado e çmuar qoftë, nuk mund të identifikohet thjesht me Zbulesën Hyjnore ose të bëhet kriteri përfundimtar i fesë.

Ai paralajmëron edhe se "të legjitimosh gjithçka që është dhënë përmes kulturës ose të justifikosh praktikat, botëkuptimet a strukturat që kundërshtojnë Ungjillin dhe dinjitetin e personit, do të ishte të injorosh faktin se çdo kulturë - si çdo realitet njerëzor - duhet të ndriçohet dhe të shndërrohet nga hiri, që rrjedh nga Misteri i Pashkëve të Krishtit".

Inkulturimi, argumenton Papa, është "proces kërkues dhe pastrues, përmes të cilit Ungjilli, duke mbetur i paprekur në të vërtetën e tij, njeh, dallon dhe përqafon semina Verbi (farat e Fjalës) të pranishme në kultura, dhe në të njëjtën kohë pastron dhe ngre vlerat e tyre, duke i çliruar nga çdo gjë që i errëson ose i shpërfytyron. Këto fara të Fjalës, si gjurmë të veprimit paraprak të Shpirtit, gjejnë në Jezu Krishtin kriterin e tyre të autenticitetit dhe të përsosurisë së tyre".

Ungjillëzimi, duke nisur nga realiteti konkret

Papa vëren se sot transmetimi i fesë nuk mund të merret më si diçka e ditur, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane dhe shoqëritë pluraliste, ku Zoti është lënë në sferën private ose mënjanë.

Për këtë arsye, Ipeshkvi i Romës thekson se transmetimi i fesë "nuk mund të konceptohet si përsëritje fragmentare e përmbajtjes, e as si përgatitje thjesht funksionale për sakramentet, por si udhëtim i vërtetë dishepullimi, në të cilin një marrëdhënie e gjallë me Krishtin formon besimtarë të aftë për të dalluar, për të dhënë arsye për shpresën e tyre dhe për ta jetuar Ungjillin me liri dhe koherencë".

Katekizmi, përparësi për barinjtë

Leoni XIV, në harmoni me rekomandimet e Dokumentit të Aparecidës të vitit 2007, kujton se katekizmi është "përparësi themelore për të gjithë barinjtë".

Ai është i thirrur të zërë vend qendror në veprimin e Kishës, të shoqërojë vazhdimisht dhe thellësisht procesin e pjekurisë, që çon në një fe të kuptuar, të përqafuar dhe të jetuar në mënyrë personale e të vetëdijshme, edhe kur kjo do të thotë të shkosh kundër rrymës së diskutimeve kulturore mbizotëruese.

Papa Prevost, ish-president i Komisionit Papnor për Amerikën Latine, i inkurajon pjesëmarrësit në Kongres të frymëzohen nga shenjtorët ungjillëzues të kontinentit: Toribio de Mogrovejo, Junípero Serra, Sebastián de Aparicio, Mamá Antula, José de Anchieta, Juan de Palafox, Pedro de San José de Betancur, Roque González, Mariana de Jesús dhe Francisco Solano, ndërmjet të tjerëve.

Papa Leoni XIV përfundon, duke ia besuar veprën e ungjillëzimit ndërmjetësimit të Zojës së Guadalupës, Yllit të Ungjillëzimit të Ri, e duke shprehur besimin se ajo do ta shoqërojë dhe do ta frymëzojë çdo nismë në rrugën drejt 500-vjetorit të dukjes së saj.

25 shkurt 2026, 11:41