Kërko

Papa me pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Legjionarëve të Krishtit Papa me pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Legjionarëve të Krishtit

Papa Legjionarëve: në jetën rregulltare, autoriteti është shërbim

Në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve të Kapitullit të Përgjithshëm të Legjionarëve të Krishtit, Leoni XIV e cilëson autoritetin në jetën rregulltare si një "shërbim shpirtëror dhe vëllazëror", dhe jo si një mjet dominimi. "Një qeverisje e mirë", pohon ai, "në vend që të përqendrojë gjithçka te vetja, promovon subsidiaritetin dhe pjesëmarrjen e përgjegjshme të të gjithë anëtarëve të komunitetit".

R.SH. / Vatikan

Në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve në Kapitullin e Përgjithshëm Legjionarëve të Krishtit, Papa Leoni XIV e përshkruan autoritetin në jetën rregulltare si “shërbim shpirtëror dhe vëllazëror”, dhe jo si një mjet pushteti. Ati i Shenjtë thekson se “një qeverisje e mirë” promovon “ndihmës reciproke dhe pjesëmarrjen e përgjegjshme të të gjithë anëtarëve të komunitetit të jetës rregulltare, duke e shmangur centralizimin”.

Diversiteti si pasuri për unitetin
Papa Leoni XIV në audiencë me rregulltarët Legjionarë të Krishtit thekson se divergjencat nuk duhet të shihen si çarje, por si një pasuri që hap horizonte. Autoriteti në bashkësinë rregulltare, sipas Papës, nuk është dominim, por shërbim vëllazëror. Ky është një apel për harmonizimin e pluralitetit që Papa ua drejton Legjionarëve të Krishtit, pjesëmarrës në Kapitullin e Përgjithshëm, në audiencën e sotme më 19 shkurt në Vatikan. Leoni XIV thekson se çdo institucion dhe anëtar i tij kishtar e rregulltar duhet të jetojë karizmën e tij në mënyrë personale dhe njëkohësisht komunitare, për të thelluar identitetin e tij brenda Kishës dhe bashkësisë përkatëse.

Roli i diversitetit
Për Papa, dallimet në forma, stilet dhe dhuratat e jetesës së karizmës rregulltare nuk e dobësojnë unitetin, por e pasurojnë atë. Kjo si në një poliedër, ku çdo pjesë ka origjinalitetin e saj, duke kontribuar në tërësinë e saj. Ati i Shenjtë i inkurajon rregulltarët të pranojnë pluralitetin dhe dialogun e sinqertë për të shprehur me transparencë dhe besnikëri thirrjen hyjnore.

Shërbimi dhe jo dominimi i karizmës
Papa, në audiencë me pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm Legjionarëve të Krishtit, flet për karizmën e jetës rregulltare si një manifestim të veçantë të Shpirtit Shenjt Zot për dobinë e përbashkët, duke ftuar që ajo të pranohet me “mirënjohje e ngushëllim”, dhe të mos shihet si diçka që kontrollohet, por si diçka që ruhet dhe shërbehet. Ati i Shenjtë thekson se çdo person duhet të pyetet vazhdimisht se si ta jetojë këtë “intuitë” të Shpirtit me “besnikëri krijuese”.

Autoriteti në jetën rregulltare
Në lidhje me autoritetin në jetën rregulltare, Papa thekson se ai nuk është mjet kontrolli, por shërbim shpirtëror dhe vëllazëror për ata që bashkëndajnë të njëjtën thirrje rregulltare në shërbim të Zotit e të besimtarëve. Autoriteti duhet të shërbejë për ndihmën dhe mbështetjen reciproke, me qëllim që të udhëheqë njerëzit drejt plotësisë së jetës në Krishtin, duke shmangur çdo formë kontrolli që cenon dinjitetin dhe lirinë e individëve.

Ekspertizë në bashkimin rregulltar
Kisha dhe jetesa fetare duhet të jenë “eksperte në bashkimin fetar”, duke hapur hapësira për një vëllazëri konkrete, ku Ungjilli bëhet një praktikë e jetuar. Misioni i ty është të ofroni dëshminë e një vëllazërie që është gjithmonë e hapur ndaj dëgjimit dhe kërkimit të vullnetit të Zotit.

Uniteti nuk është uniformitet
Papa përmend se uniteti nuk duhet të kuptohet si uniformitet. Ai kërkon një “përvujtëri për të dëgjuar”, “liri të brendshme për t’u shprehur me sinqeritet” dhe “hapje për të pranuar shoshitjen a shqyrtimin e përbashkët”. Kjo është një thirrje për sinodalitet, që është pasqyruar në natyrën e Kapitullit të Përgjithshëm të rregulltarëve Legjionarë të Krishtit, ku secili është i thirrur të ofrojë përvojën dhe ndjeshmërinë e tij për të ndihmuar në ndërtimin e së ardhmes së institucionit rregulltar.

Të mos kërkoni interesa të veçanta
Papa përfundon me një thirrje për të shmangur “interesat personale ose rajonale” dhe për të mos kërkuar vetëm zgjidhje organizative, por për të kërkuar mbi të gjitha vullnetin e Zotit për familjen rregulltare dhe misionin e besuar nga Kisha. Ati i Shenjtë shpreh shpresën që ky Kapitull të hapë një kohë shprese dhe inkurajon ata që të bëjnë shoshitjen e duhur për t'iu përgjigjur thirrjes së Zotit me besnikëri.

19 shkurt 2026, 12:51