Leoni meshtarëve të Romës: urgjente të shpallim Ungjillin
R.SH. / Vatikan
Të ringjallim zjarrin që Zoti e ndezi i pari, duke na dhënë mundësinë të bashkëpunojmë me veprën e Tij; t’i lexojmë shenjat e kohës, duke kuptuar ndryshimet, për të rishpallur Ungjillin përtej lodhjes së jetës meshtarake, peshës së rutinës dhe ftohjes së shumë vetave ndaj praktikës së fesë, që mund të rëndojë si një gur i madh. Për më tepër, janë të rinjtë, të brishtë, larg Kishës, të çorientuar dhe me një shqetësim të brendshëm që në raste ekstreme shndërrohet në dhunë. Pikërisht në këtë errësirë, zjarri i thirrjes së Zotit dhe drita e tij bëhen shërim dhe horizont shprese.
Papa Leoni XIV u drejtoi një reflektim të thelluar klerit të Dioqezës së Romës, Ipeshkëv i së cilës ai është, të pritur sot paradite, më 19 shkurt, në Sallën Pali VI, në Vatikan.
Leoni XIV i përshëndeti meshtarët romakë duke shprehur “gëzimin e madh” për takimin me ta dhe, me një shaka, sqaroi se edhe pse jemi në fillim të Kreshmës, kjo audiencë “nuk është një akt pendese”. Fjalimi i tij i gjatë ishte ai i një “bariu sipas zemrës së Hyjit”, siç i këshilloi të jenë edhe meshtarët që e dëgjonin. Ndër urgjencat e shumta që Papa theksoi, njëra qe veçanërisht e rëndësishme:
Është urgjente të kthehemi në shpalljen e Ungjillit: kjo është përparësia. Me përvujtëri, por pa u dekurajuar, duhet të pranojmë se “një pjesë e popullit tonë të pagëzuar nuk e përjeton përkatësinë e vet ndaj Kishës”, çka na fton të jemi vigjilentë edhe ndaj një “sakramentalizimi pa forma të tjera ungjillëzimi”. Si çdo metropol i madh, edhe Roma shënohet nga lëvizshmëri të vazhdueshme, mënyra të reja banimi dhe jetese, si dhe marrëdhënie familjare gjithnjë e më të larmishme e ndonjëherë të brishta.
Një udhë e re
Papa nënvizoi nevojën për një ndryshim qasjeje, për të gjetur “udhë dhe mënyra që i ndihmojnë njerëzit të hyjnë sërish në kontakt me premtimin e Jezusit”.
Iniciimi i krishterë (katekizmi fillestar bazë), shpesh i organizuar sipas ritmeve shkollore, duhet rishikuar: duhen provuar mënyra të tjera të transmetimit të fesë, edhe jashtë skemave klasike, për të përfshirë në mënyrë të re fëmijët, të rinjtë dhe familjet.
Erozioni i praktikës fetare
Duke shprehur mirënjohje për punën e përditshme në famulli, Papa foli për nevojën e një “ndryshimi të drejtimit” në marrëdhënien midis iniciimit (katekizmit fillestar bazë) të krishterë dhe ungjillëzimit, shpesh i dobësuar nga një model që përqendrohet vetëm në mbarështimin e sakramenteve dhe supozon se feja transmetohet automatikisht në familje ose në mjedisin shoqëror.
Në realitet, ndryshimet kulturore dhe antropologjike të dekadave të fundit tregojnë të kundërtën: po vërehet një rënie në rritje e praktikës fetare.
“Të lexojmë” të rinjtë
Në këtë panoramë komplekse, elementet e fesë përzihen me faktorë kulturorë e shoqërorë që ndikojnë jetën e të rinjve.
Prandaj duhet të kuptojmë shqetësimin e tyre të thellë ekzistencial, çorientimin dhe vështirësitë e shumta, si edhe ndikimin e botës virtuale dhe shenjat e një agresiviteti shqetësues që ndonjëherë shpërthen në dhunë.
Të pranojmë dhe të dëgjojmë
Papa e njeh përkushtimin e shumë meshtarëve në vijën e parë dhe ndjenjën e pafuqisë përballë vështirësive të mëdha, por sugjeron një drejtim të qartë: dialogun dhe bashkëpunimin me institucionet në territor, me shkollat, me specialistët e fushës edukative dhe shkencave humane, si dhe me të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e të rinjve.
Nuk ka zgjidhje të lehta me rezultate të menjëhershme, por është e mundur të qëndrojmë në dëgjim, të jemi të pranishëm, t’i mirëpresim dhe të bashkëndajmë një pjesë të jetës së tyre.
Të ringjallim dhuratën e Hyjit
Duke përshkruar rolin e meshtarit, Papa ftoi të mos ndihen “ekzekutues pasivë të një baritoreje të përcaktuar”, por të përdorin krijimtarinë e tyre për të bashkëpunuar me veprën e Zotit.
“Kisha e Romës, kujtohu të ringjallësh dhuratën e Hyjit!” – tha Ati i Shenjtë. Kjo flakë, ndonjëherë, duhet rindezur, sepse përballë ndryshimeve të shpejta kulturore, lodhjes dhe rutinës, apo zhgënjimit për rënien e praktikës fetare, ndihet nevoja që zjarri të ushqehet dhe të forcohet.
Më shumë bashkërendim
Një tjetër udhë është puna së bashku, në bashkim. “Nuk mund të mendojmë dhe të veprojmë në mënyrë të vetmuar”, theksoi Papa. Jeta e njerëzve ka ndryshuar, lëvizshmëria është rritur, dhe famullitë nuk janë më thjesht shprehje e një territori, por duhet të hapen e të nisin udhë ungjillëzimi që arrijnë edhe ata që nuk mund të marrin pjesë rregullisht.
Nevojitet një bashkërendim më i madh që shpreh bashkimin meshtarak, sidomos në një territor të gjerë si Roma, duke shmangur vetë-referencialitetin që sjell lodhje dhe shkapërderdhje energjish, e duke bashkuar karizmat dhe potencialet ndërmjet famullive fqinje.
Meshtarëve të rinj: “Mos u mbyllni”
Së fundi, mendimi i Ipeshkvit të Romës iu drejtua meshtarëve të rinj, që përjetojnë potencialet dhe vështirësitë e brezit të tyre. Leoni XIV i ftoi të mos humbin entuziazmin dhe të qëndrojnë besnikë në marrëdhënien me Zotin.
“Mos u mbyllni në vetvete: mos kini frikë të ndani lodhjet dhe krizat tuaja, sidomos me bashkëvëllezërit që mund t’ju ndihmojnë.”
Të kujdesemi për njëri-tjetrin
Të gjithëve Papa u bëri thirrje të jetojnë konkretisht vëllazërinë meshtarake, sepse angazhimi më i madh është të ruhet dhe të rritet thirrja në një kthim të vazhdueshëm, në besnikëri dhe sidomos duke u kujdesur për njëri-tjetrin.
Le të shoqërojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin.
