Kërko

Papa Leoni XIV (foto arkivore) Papa Leoni XIV (foto arkivore)

Leoni XIV: gjatë Kreshmës të agjërojmë edhe nga fjalët që lëndojnë të tjerët

Në mesazhin e tij për kohën e përgatitjes për Pashkët 2026, me titull: “Të dëgjojmë dhe të agjërojmë. Kreshma si kohë kthimi”, Papa Leoni XIV kërkon forma “heqjeje dorë konkrete”, si “çarmatimi i gjuhës” dhe kultivimi i mirësisë, por edhe dëgjimin e Fjalës së Hyjit dhe të britmës së më të fundit, duke e bërë këtë së bashku, në bashkësitë tona, të hapura për pranimin e atyre që vuajnë.

R.SH. – Vatikan

Në mesazhin e tij për Kreshmën 2026, Papa Leoni XIV fton të kërkojmë hirin për një kohë që “ta bëjë veshin tonë më të vëmendshëm ndaj Zotit dhe ndaj më të fundmëve” dhe që të gjithë të kenë “forcën e një agjërimi që përfshin edhe gjuhën, në mënyrë që të pakësohen fjalët që lëndojnë dhe të rritet hapësira për zërin e tjetrit”. Në fund, Ati i Shenjtë fton të angazhohemi “që bashkësitë tona të bëhen vende ku britma e atyre që vuajnë të gjejë mikpritje dhe dëgjimi të gjenerojë udhë çlirimi, duke na bërë më të gatshëm e më të zellshëm për të ndihmuar në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë”.

Një kohë për ta vënë Hyjin në qendër të jetës sonë

Teksti i mesazhit të Kreshmës i bërë publik sot, më 13 shkurt, por i nënshkruar më 5 shkurt, përkujtim i Shën Agës, virgjër e martire, ka si temë “Të dëgjojmë dhe të agjërojmë. Kreshma si kohë kthimi”. Në kohën dyzetditore të Kreshmës që i paraprin Pashkëve dhe që nis të mërkurën, më 18 shkurt, kujton Papa se, Kisha “na fton ta vendosim misterin e Zotit në qendër të jetës sonë, që feja jonë të rifitojë hovin dhe zemra të mos shpërndahet ndër shqetësimet e shpërqendrimet e përditshme”.

Dëgjimi i Fjalës dhe i britmës së atyre që vuajnë

Në këtë udhëtim kthimi, thekson Leoni XIV, është thelbësore të lejojmë që të prekemi nga Fjala e Hyjit dhe të ripërtërijmë vendimin për ta ndjekur Jezusin deri në Jerusalem, “ku përmbushet misteri i mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së tij”. Për këtë arsye Papa thekson rëndësinë e dhënies hapësirë kësaj Fjale Hyjnore përmes dëgjimit, që është një tipar dallues i vetë Hyjit. Zoti që i flet Moisiut në shkurret që digjen i thotë se e ka dëgjuar britmën e popullit të tij të shtypur në Egjipt. Një “Hyj që përfshihet, merr pjesë”, komenton Papa, që na drejton mendime “që e bëjnë zemrën të dridhet”.

Prandaj, dëgjimi i Fjalës në liturgji na edukon për një dëgjim më të vërtetë të realitetit: mes shumë zërave që përshkojnë jetën tonë personale e shoqërore, Shkrimet e Shenjta na bëjnë të aftë të njohim atë zë që ngrihet nga vuajtja dhe padrejtësia, që të mos mbetet pa përgjigje.

Në këtë mënyrë, vijon Papa Leoni, ne lejojmë që Hyji të na mësojë të dëgjojmë si ai, deri në njohjen – dhe këtu citon Nxitjen e tij apostolike “Dilexi te” – se “gjendja e të varfërve përfaqëson një britmë që, në historinë e njerëzimit, e sfidon vazhdimisht jetën tonë, shoqëritë tona, sistemet politike dhe ekonomike dhe, jo më pak, edhe Kishën”.

Agjërimi na përgatit për pranimin e Fjalës

Papa kujton se agjërimi, ushtrim asketik “i pazëvendësueshëm në rrugën e kthimit”, është një praktikë konkrete “që na përgatit për pranimin e Fjalës së Zotit”.

Ai shërben për të dalluar dhe rregulluar “oreksat”, për të mbajtur zgjuar urinë dhe etjen për drejtësi, duke e larguar atë nga dorëzimi, duke e mësuar të bëhet lutje dhe përgjegjësi ndaj të afërmit.

Agjërimi dhe uria për drejtësi

Leoni XIV citon Shën Augustinin, i cili në veprën “Dobishmëria e agjërimit” kujton se vetëm engjëjt ngihen me “bukën” e drejtësisë, ndërsa njerëzit, në këtë jetë, “kanë uri për të, janë të gjithë të tendosur nga dëshira për të”.

Agjërimi, i kuptuar në këtë mënyrë, na lejon jo vetëm ta disiplinojmë dëshirën, ta pastrojmë dhe ta bëjmë më të lirë, por edhe ta zgjerojmë atë, në mënyrë që të drejtohet kah Zoti dhe të orientohet për të vepruar në të mirën.

Çarmatimi i gjuhës, heqja dorë nga fjalët therëse

Megjithatë, Papa kujton se në agjërim duhet shmangur gjithmonë krenaria, prandaj ai duhet jetuar “në fe dhe përvujtëri”, në bashkim me Zotin, dhe duhet të përfshijë “edhe forma të tjera privimi që synojnë të na bëjnë të fitojmë një stil jete më të thjeshtë”. Për këtë arsye, në mesazhin e Kreshmës, Leoni XIV fton të gjithë “në një formë shumë konkrete dhe shpesh të nënvlerësuar heqjeje dore, domethënë nga fjalët që godasin dhe lëndojnë të afërmin”.

Le të fillojmë ta çarmatosim gjuhën, duke hequr dorë nga fjalët therëse, nga gjykimi i menjëhershëm, nga të folurit keq për ata që mungojnë dhe nuk mund të mbrohen, nga shpifjet. Le të përpiqemi, përkundrazi, të mësojmë t’i masim fjalët dhe të kultivojmë mirësinë: në familje, mes miqve, në vendet e punës, në rrjetet sociale, në debatet politike, në mjetet e komunikimit, në bashkësitë e krishtera. Atëherë shumë fjalë urrejtjeje do t’u lënë vend fjalëve të shpresës dhe paqes.

Së bashku në bashkësi, për të bërë një rrugëtim të përbashkët

Pas “dëgjimit” dhe “agjërimit”, fjala e tretë e mesazhit të Papa Leonit XIV për Kreshmët 2026 është “së bashku”, sepse “Kreshma vë në dukje përmasën komunitare të dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe të praktikës së agjërimit”. Ati i Shenjtë kujton se Shkrimi Shenjtë tregon se populli i Izraelit mblidhej “për të dëgjuar leximin publik të librit të Ligjit” dhe për të praktikuar agjërimin, “në mënyrë që të ripërtërinte besëlidhjen me Hyjin”.

Në të njëjtën mënyrë, famullitë tona, familjet, grupet kishtare dhe bashkësitë rregulltare janë të thirrura të bëjnë gjatë Kreshmës një rrugëtim të përbashkët, në të cilin dëgjimi i Fjalës së Zotit, si edhe i britmës së të varfërve dhe të tokës, të bëhet formë e jetës së përbashkët dhe agjërimi të mbështesë një pendesë të vërtetë.

Në bashkësitë tona kishtare, si edhe në njerëzimin “të etur për drejtësi dhe pajtim”, përfundon Papa mesazhin e tij për Kreshmët e këtij viti, “kthimi nuk ka të bëjë vetëm me ndërgjegjen e individit, por edhe me stilin e marrëdhënieve”, si cilësia e dialogut dhe aftësia për t’u lënë të sfidohemi nga realiteti.

 

MESAZHI I SHENJTËRISË SË TIJ PAPËS LEONI XIV

PËR KRESHMËT 2026

 

Dëgjoni dhe agjëroni!

Kreshmët, kohë kthese!

 

Të dashur vëllezër e motra!

Kreshmët janë koha në të cilën Kisha, me kujdes amtar, na fton ta rivemë misterin e Zotit në qendër të jetës sonë, në mënyrë që feja jonë të rifitojë vrullin e zemrat tona të mos humbasin mes shqetësimeve dhe shpërqendrimeve të jetës së përditshme.

Çdo udhëtim kthese fillon, kur e lejojmë Fjalën të na arrijë dhe e mirëpresim me ëmbëlsi shpirtërore. Është një lidhje, prandaj, ndërmjet dhantisë të Fjalës së Zotit, hapësirës së mikpritjes që i ofrojmë dhe shndërrimit që sjell. Për këtë arsye, shtegtimi i Kreshmëve bëhet rast i përshtatshëm për të dëgjuar zërin e Zotit dhe për të ripërtërirë vendosmërinë tonë në ndjekje të Krishtit, duke ecur me Të në udhën që ngjitet në Jerusalem, ku kryhet misteri i mundimeve, i vdekjes dhe i gjalljes së Tij.

Të dëgjosh

Sivjet do të doja të tërhiqja vëmendjen, para së gjithash, te rëndësia për t’i dhënë hapësirë Fjalës përmes dëgjimit, pasi gatishmëria për të dëgjuar është shenja e parë e dëshirës për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët.

Vetë Zoti, duke ia zbuluar veten Moisiut nga kaçuba që digjej flakë, tregon se dëgjimi është tipar dallues i qenies së tij: "E pashë mjerimin e popullit tim që është në Egjipt dhe e dëgjova britmën e tyre" (Dalja 3,7). Të dëgjosh britmën e të shtypurve është fillim i një historie çlirimi, në të cilën Zoti e përfshin edhe Moisiun, duke e dërguar për të hapur një rrugë shpëtimi për bijtë e tij të katandisur në skllavëri. Ai është Zot tërheqës, i cili sot na arrin edhe me mendime që ia prekin zemrën. Prandaj, Fjala e dëgjuar në liturgji na mëson ta dëgjojmë me të vërtetë të plotë realitetin: ndërmjet shumë zërave që përshkojnë jetën tonë personale dhe shoqërore, Shkrimet Shenjte na ndihmojnë ta njohim atë që lind nga vuajtja e nga padrejtësia, në mënyrë që të mos mbetet pa përgjigje. Të hysh në këtë prirje shpirtërore pranimi sot, do të thotë ta lëmë veten të mësohemi nga Zoti, për ta dëgjuar si Ai, deri në atë pikë, sa të pranojmë se "gjendja e vështirë e të varfërve përfaqëson një britmë që, gjatë gjithë historisë njerëzore, sfidon vazhdimisht jetën tonë, shoqëritë tona, sistemet tona politike dhe ekonomike, e, jo më pak, edhe Kishën". [1]

Agjërimi

Nëse Kreshmët janë kohë dëgjimi, agjërirmi është praktikë konkrete që na përgatit për të mirëpritur Fjalën e Zotit. Ngjinesa nga ushqimi është ushtrim asketik i lashtë dhe i pazëvendësueshëm në rrugën e kthesës. Pikërisht sepse përfshin trupin, e bën më të dukshme atë, për të cilën "kemi uri" dhe atë që e konsiderojmë themelore për mbijetesën tonë. Prandaj shërben për të dalluar dhe për të organizuar "etjet" tona, për ta mbajtur zgjuar urinë dhe etjen tonë për drejtësi, duke e çliruar nga dorëzimi dhe duke e udhëzuar të bëhet lutje dhe përgjegjësi ndaj të tjerëve.

Shën Augustini, me delikatesë shpirtërore, na lejon të shohim tensionin ndërmjet përmbushjes së tashme dhe të ardhshme, që përshkon këtë kujdes të zemrës kur vëren: "Gjatë jetës tokësore, është në natyrën njerëzore të kesh uri dhe etje për drejtësi, por të jesh i kënaqur prej saj i përket jetës tjetër. Engjëjt janë të mbushur me këtë bukë, me këtë ushqim. Njerëzit, nga ana tjetër, kanë uri për të; të gjithë e dëshirojnë. Kjo dëshirë - për dëshirë, e zgjeron shpirtin, e rrit kapacitetin e tij". [2] Agjërimi, i kuptuar në këtë mënyrë, na lejon jo vetëm ta disiplinojmë dëshirën, ta pastrojmë dhe ta çlirojmë, por edhe ta zgjerojmë, në mënyrë që të kthehet te Zoti dhe të orientohet për të bërë të mirën.

Megjithatë, që agjërimi të ruajë të vërtetën e tij ungjillore dhe ta shmangë tundimin për ta ndezur zemrën me krenari, duhet jetuar gjithmonë me besim e përvujtëri. Ai kërkon të qëndrosh me rrënjë në bashkimin me Zotin, sepse "kush nuk di të ushqehet me fjalën e Zotit, nuk mund të agjërojë me të vërtetë". [3] Si shenjë e dukshme e angazhimit tonë të brendshëm për të hequr dorë, me mbështetjen e hirit, nga mëkati dhe e keqja, agjërimi duhet të heqë dorë edhe nga forma të tjera, që synojnë të na krijojnë mundësinë të përvetësojmë një stil jetese më të matur, pasi "vetëm ashpërsia e bën jetën e krishterë të fortë dhe të vërtetë". [4]

Prandaj, do të doja t'ju ftoja në formën shumë konkrete të abstenimit, shpesh të vlerësuar pak: domethënë nga fjalët që lëndojnë dhe plagosin të afërmin tonë. Të fillojmë, prandaj, ta çarmatosim gjuhën tonë, duke hequr dorë nga fjalët e ashpra, gjykimet e nxituara, të folurit keq për ata që mungojnë dhe nuk janë në gjendje të mbrohen,  e edhe shpifjet. Në vend të kësaj, të përpiqemi për t’u mësuar t’i masim fjalët dhe të kultivojmë mirësinë: në familjet tona, ndërmjet miqve, në vendin e punës, në mediat shoqërore, në debatet politike, në media dhe në bashkësitë e krishtera. Atëherë, shumë fjalë urrejtjeje do t'ua lënë vendin fjalëve të shpresës e të paqes.

Së bashku

Së fundmi, Kreshmët nxjerrin në pah përmasat komunitare të dëgjimit të Fjalës dhe praktikën e agjërimit. Edhe Shkrimi Shenjt e thekson këtë aspekt në shumë mënyra. Për shembull, në librin e Nehemisë, rrëfen se njerëzit mblidheshin për të dëgjuar leximin publik të Librit të Ligjit dhe, duke praktikuar agjërimin, përgatiteshin për rrëfimin e besimit dhe adhurimin, duke rinovuar kështu besëlidhjen me Zotin (shih Neh 9,1-3).

Njëlloj, famullitë, familjet, grupet kishtare dhe bashkësitë tona fetare ftohen të marrin gjatë Kreshmëve një udhëtim të përbashkët, në të cilin dëgjimi i Fjalës së Zotit, si dhe britma e të varfërve dhe e tokës, bëhet formë e jetës së përbashkët e agjërimi mbështet pendimin e vërtetë. Në këtë kontekst, kthesa ka të bëjë jo vetëm me ndërgjegjen e individit, por edhe me stilin e marrëdhënieve, me cilësinë e dialogut, aftësinë për të lejuar veten të sfidohemi nga realiteti dhe për të njohur atë që vërtet u prin dëshirave tona, si në bashkësitë kishtare, ashtu edhe në etjen e njerëzimit për drejtësi dhe pajtim.

Të dashur miq, të kërkojmë hirin e Kreshmëve që do t'i bëjë veshët tanë më të vëmendshëm ndaj Zotit dhe ndaj më të voglit nga vëllezërit dhe motrat tona. Të kërkojmë forcën e një agjërimi që i prek edhe gjuhët tona, në mënyrë që fjalët e dhimbshme të pakësohen dhe të ketë më shumë vend për zërin e të tjerëve. E të përpiqemi që bashkësitë tona të bëhen vende ku britma e atyre që vuajnë mirëpritet e ku dëgjimi hap shtigje çlirimi, duke na bërë më të gatshëm e më të etur për të kontribuar në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë.

Nga zemra ju bekoj të gjithë ju e udhëtimin tuaj të kreshmor.

 

Nga Vatikani, 5 shkurt 2026, përkujtim i Shën Agatës, virgjër e martire.

 

LEONI PP. XIV

 

[1] Thirrje. ap. Dilexi te (4 tetor 2025), 9.

 

[2] Shën Agustini, Dobia e Agjërimit, 1, 1.

 

[3] Benedikti XVI, Katekeza (9 mars 2011).

 

[4] Shën Pali VI, Katekeza (8 shkurt 1978).

13 shkurt 2026, 10:55