Kërko

Papa Leoni XIV në Principatën e Monakos në mars, në Afrikë në prill dhe në Spanjë në qershor Papa Leoni XIV në Principatën e Monakos në mars, në Afrikë në prill dhe në Spanjë në qershor

«Jemi të gëzuar pa masë!», festime në Evropë dhe Afrikë për udhëtimet e Papa Leonit

Mirënjohje dhe entuziazëm po shprehen nga autoritetet civile dhe kishtare në vendet e ndryshme që Papa do të vizitojë, duke filluar më 28 mars, me një udhëtim në Montekarlo; në prill, në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale; dhe në qershor, me një udhëtim në Spanjë. Ipeshkvijtë e këtyre vendeve po flasin për një "shenjë shprese".

R.SH. - Vatikan

Në Algjeri, ipeshkvijtë thonë se janë "të gëzuar pa masë". Në përgjithësi në Afrikë njerëzit po flasin për një "shenjë shprese", duke pasur parasysh vështirësitë politike dhe shoqërore. Tashmë përgatitje janë duke u zhvilluar për të siguruar "një vizitë të sigurt dhe të qetë" në këtë kontinent. Nga Spanja garantohet një valë "gëzimi" dhe "mirënjohjeje" si edhe një pritje "e ngrohtë" për Papën Leonin XIV . E njëjta gjë vlen edhe për Principatën e Montekarlos, ku si oborri i princit ashtu edhe Kisha vendase po theksojnë "nderin" e këtij "momenti historik", sepse është vizita e parë e një Pape në këtë qytet-shtet të vogël.

Reagime entuziaste po vijnë nga vendet e ndryshme që Leoni XIV do të vizitojë në muajt në vijim, duke filluar më 28 mars me një udhëtim të shkurtër në Montekarlo, duke vazhduar me dhjetë ditë në Afrikë (13-23 prill) dhe njëmbëdhjetë ndalesa në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale. Më pas, Ati i Shenjtë Prevost do të shkojë një javë në Spanjë në qershor (6-12 qershor), duke përfshirë Madridin, Barcelonën dhe Ishujt Kanarie, me vizita në Tenerife dhe në ishujt Gran Canaria.

Njoftimi zyrtar u bë sot nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, pasi lajmet dhe datat e mbërritjes së Papës tashmë kishin qarkulluar në mediat sociale dhe mediat lokale.

Kryedioqeza e Montekarlos dhe Pallati Princor: Të nderuara për Papën e Parë të Principatës

Ndërsa prisnin hollësi rreth programeve përkatëse, njoftime të shumta për shtyp u dhanë menjëherë pas konfirmimit nga Selia e Shenjtë, duke filluar me ato të Kryedioqezës së Montekarlos dhe Pallatit të Princit, të cilat do të shënojnë gjithashtu një përvjetor të dyfishtë në vitin 2027, të dy ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në historinë e Principatës: 780-vjetori i famullisë së parë në Rocher, me bulën papnore «Pro Puritate» nga Papa Innocent IV (6 dhjetor 1247), dhe 140-vjetorin e bulës papnore «Quemadmodum sollicitus Pastor» të Papës Leoni XIII, e cila themeloi dioqezën e Montekarlos, në varësi të drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë.

"Një dioqezë e kohëve të fundit, por një Kishë vendase e pasur me histori, Kisha e Montekarlos mbetet një institucion qendror në jetën e këtij qytet-shteti dhe e gjallë në shumë mënyra, shpesh e panjohur për publikun e gjerë", thuhet në deklaratë. Dokumenti gjithashtu ripohon lidhjen shekullore që ka karakterizuar marrëdhëniet ndërmjet familjes princërore dhe Pasardhësve të Pjetrit, si dhe faktin se Principata e Montekarlos është "një nga vendet e pakta ku katolicizmi është fe shtetërore", e përcaktuar me Kushtetutë. Kësaj i shtohen angazhime të shumta të përbashkëta për respektimin e jetës njerëzore "që nga fillimi deri në fund të saj", shqetësimi për ekologjinë integrale dhe mbrojtjen e "shtëpisë sonë të përbashkët" dhe pasioni për sportin. Këto lidhje, pohon Kryeipeshkvi Dominique-Marie David, "kanë qenë një busull në të kaluarën dhe vazhdojnë të udhëheqin vendimet tona... Sot, përballë sfidave me të cilat përballet bota - dhe të cilat na shqetësojnë po aq sa të tjerët - Princi Albert II nuk kursen asnjë përpjekje për t'i bërë thirrje ndërgjegjes të të gjithëve".

Vetë Alberti II – i cili u prit në audiencë nga Leoni XIV më 17 janar – dhe Princesha Charlene, pohuan se vizita papnore "është pjesë e vazhdimësisë së lidhjeve shekullore që bashkojnë dinastinë Grimaldi me Pasardhësit e Pjetrit, si dhe brenda kuadrit të marrëdhënieve diplomatike të lashta dhe të besueshme ndërmjet Principatës së Monakos dhe Selisë së Shenjtë". Një ngjarje me "përmasa institucionale dhe baritore", thekson një deklaratë e Pallatit, e cila do të jetë "një shenjë e fortë shprese, në frymën e dialogut, paqes dhe përgjegjësisë së përbashkët".

Ipeshkvijtë e Algjerisë: Leoni, "Apostulli i Paqes"

Shpresa, dialogu dhe paqja janë çelësat që ipeshkvijtë e Algjerisë tregojnë për udhëtimin e Papës në Algjer dhe Anaba. Një udhëtim në gjurmët e Shën Augustinit, atit shpirtëror të rregullit fetar të cilit i përket Papa Robert Francis Prevost, udhëtim ky, të cilin vetë Papa e kishte paralajmëruar disi në dhjetor gjatë intervistës në fluturimin e kthimit nga Bejruti kur pati thënë: "Personalisht, shpresoj të shkoj në Algjeri për të vizituar vendet e Shën Augustinit, por edhe për të vazhduar dialogun dhe ndërtimin e urave midis botës së krishterë dhe asaj myslimane", tha Leoni XIV në atë rast.

Dhe tani që data është caktuar, ipeshkvijtë algjerianë, përfshirë kardinalin Jean-Paul Vesco, thonë se janë entuziastë për këtë udhëtim të Papës amerikan dhe augustinian, i cili "do të vijë për të takuar popullin algjerian dhe udhëheqësit e tij", "do të vijë për t’i dhënë zemër Kishës sonë në misionin e saj të pranisë vëllazërore në mes të një popullsie me shumicë myslimane" dhe "do të vijë për të na kujtuar se jemi të bekuar që kemi një vëlla të përbashkët, më të madh, të lindur në këtë tokë, Shën Augustinin, shembulli i të cilit mund të udhëheqë udhëtimin tonë të përbashkët".

Duke vizituar këtë tokë si një "apostull paqeje" - një tokë që përkujton edhe martirizimin e murgjve të Tibhirinës - Papa, sipas prelatëve, sjell mesazhin e Krishtit dhe inkurajimin se "përtej çdo fërkimi apo trazire të brendshme, që rrjedh nga e kaluara ose e tashmja, nga marrëdhënie të trazuara ose keqkuptime, ne mbushemi mbi të gjitha me dëshirën e sinqertë për të jetuar së bashku në paqe". Prandaj, prelatët kërkojnë lutje për përgatitjen e kësaj vizite; lutje "në zemrat tona dhe në komunitetet tona, në dialog me miqtë tanë".

Shpresë dhe pritje nga Kameruni

"Në rrethanat e sfidave të vazhdueshme politike dhe të sigurisë", vizita e Papës në Kamerun shihet si "një shenjë shprese" nga Kisha dhe popullsia. Njoftimi, i bërë publik në mesditë nga nunci Evelino Bettencourt, "ka shkaktuar entuziazëm dhe debat të madh" në mesin e kamerunasve, sipas një deklarate nga kryedioqeza e Bamendës. Deklarata thotë gjithashtu se autoritetet kanë punuar për javë të tëra për të përmirësuar infrastrukturën, përfshirë aeroportin, për të siguruar suksesin e kësaj vizite, e cila "duhet të përqendrohet në forcimin e besimit të katolikëve kamerunas, promovimin e paqes dhe shqyrtimin e krizës humanitare të vendit".

Përpjekje organizative në zhvillim e sipër në Spanjë

Ndërkohë, Kryedioqeza e Madridit po feston "konfirmimin" nga Selia e Shenjtë të vizitës apostolike të Leonit XIV në qershor. I gjithë komuniteti dioqezan e sheh këtë njoftim si "burim shprese dhe bashkimi për Kishën e Madridit", thuhet në një deklaratë nga Konferenca ipeshkvore spanjolle. Për muaj të tërë, kryeqyteti spanjoll ka punuar për të organizuar këtë "ndërmarrje të gjerë dhe të ndërlikuar", veçanërisht duke pasur parasysh se Spanja nuk ka pritur një papë tash 14 vjet, që nga vizita e Benediktit XVI për Ditën Botërore të Rinisë, në 2011. Ngjarja kërkon "bashkërendim, planifikim dhe bashkëpunim të shumë individëve dhe entiteteve kishtare". Prandaj, kryedioqeza e Madridit ka përgatitur strukturat e nevojshme organizative shumë kohë më parë, dhe kardinali, kryeipeshkvi José Cobo Cano, ka krijuar një komision dioqezan që tashmë po menaxhon aspektet e ndryshme baritore dhe logjistike. Madridi gjithashtu bën thirrje për përparësi ndaj "përgatitjes shpirtërore" në famulli, komunitete, lëvizje dhe qendra arsimore. Njerëzit "shpresojnë që prania e Atit të Shenjtë do të japë fryte në besim, bashkim dhe ripërtëritje misionare".

Në të njëjtën linjë, kryedioqeza e Barcelonës dhe Komiteti i Ndërtimit të «Sagrada Familia»-s shprehin "mirënjohjen" e tyre kundrejt Papa Leonit për pranimin e ftesës për të vizituar Bazilikën, duke konfirmuar praninë e tyre në ceremoninë kryesore që përkon me 100-vjetorin e vdekjes së Anton Gaudí-së. Benedikti XVI ishte Papa i fundit që vizitoi qytetin katalanas në vitin 2010, kur kryesoi ceremoninë e shugurimit të «Sagrada Familia»-s, bazilikë e cila është e hapur për besimtarët që atëherë.

 

25 shkurt 2026, 14:53