Leoni XIV: në hirin mbi kokë ndiejmë peshën e një bote që digjet, duhet të ringrihemi

Papa Leoni XIV kryesoi në Aventin, Romë, procesionin pendestar nga Bazilika shën Anselmit drejt Bazilikës së Shën Sabinës, ku kremtoi Meshën e së Mërkurës së Përhime, e cila shënon fillimin e Kreshmës.

R.Sh. Vatikan

Për herë të parë gjatë papnisë së tij, Leoni XIV kryesoi sot pasdite në Aventin, Romë, procesionin pendestar nga Bazilika e Shën Anselmit drejt Bazilikës së Shën Sabinës, ku kremtoi Meshën e së Mërkurës së Përhime, që shënon fillimin e kohës së Kreshmës.

“Kreshma – tha Papa në homelinë e tij – është një kohë e fortë bashkësie. E dimë sa gjithnjë e më e vështirë bëhet të mblidhen njerëzit dhe të ndihen popull, jo në mënyrë nacionaliste dhe agresive, por në bashkim, ku secili gjen vendin e vet. Po, Kisha ekziston edhe si profeci e bashkësive që i njohin mëkatet e tyre”.

Në vijim Homelia e Atit të Shenjtë Leoni XIV në Meshën me Ritin e së Mërkurës së Përhime.

Vëllezër dhe motra të dashur,

Në fillim të çdo kohe liturgjike rizbulojmë me gëzim gjithnjë të ri hirin tonë si Kishë, një bashkësi e mbledhur për të dëgjuar Fjalën e Hyjit. Profeti Joel vjen tek ne me zërin e tij i cili e nxjerr secilin prej nesh nga vetmia dhe e bën kthimin në fé një çështje të ngutshme, personale ashtu edhe publike: "Bashkojeni popullin, shenjtërojeni mbledhjen; mblidhni pleqtë, mblidhni të vegjëlit e foshnjat e gjirit" (Joeli 2,16). Ai përmend ata njerëz, mungesa e të cilëve nuk do të ishte e vështirë të justifikohej: më të brishtët dhe më pak të përshtatshëm për kuvende të mëdha. Pastaj profeti përmend dhëndrrin dhe nusen. Duket se i thërret që të dalin nga intimiteti i tyre, që të ndihen pjesë e një bashkësie më të madhe. Pastaj u takon priftërinjve, të cilët tashmë e gjejnë veten – pothuajse falë detyrës – "ndërmjet tremes dhe altarit" (vargu 17). Të gjithë ftohen të vajtojnë dhe të gjejnë fjalët e duhura për të gjithë: "Fale, o Zot, popullin tënd!" (vargu 17).

Kreshmët, edhe sot, janë një kohë e fuqishme për bashkim: "Bashkojeni popullin, shenjtërojeni mbledhjen". (Joeli 2,16). Ne e dimë sa gjithnjë e më e vështirë është të mbledhësh njerëzit së bashku dhe të ndihesh si një popull, jo si mënyrë nacionaliste dhe agresive, por si bashkësi ku secili gjen vendin e vet. Në të vërtetë, këtu po merr formë një popull që i njeh mëkatet e veta – domethënë, se e keqja nuk vjen nga armiq imagjinarë, por ka prekur zemrat e tyre, është brenda jetës së tyre dhe duhet t’i bëjmë ballë me përgjegjësi të guximshme. Duhet të pranojmë se ky është një qëndrim që shkon kundër shumicës, por që, kur duket e natyrshme t’a shpallim veten si të pafuqishëm përballë një bote që po digjet, kjo është një zgjidhje e vërtetë, e ndershme dhe që të bën për vete.

Po, Kisha ekziston edhe si profeci e bashkësive që i pranojnë mëkatet e tyre. Sigurisht, mëkati është gjithmonë personal, por ai merr formë në mjediset reale dhe virtuale që frekuentojmë, në qëndrimet me të cilat ndikojmë tek njëri-tjetri, shpesh brenda "strukturave të mëkatit" me tipare ekonomike, kulturore, politike dhe madje edhe fetare. Ti kundërvësh idhujtarisë Hyjin e gjallë– na mëson Shkrimi i Shenjtë – do të thotë të guxosh të përqafosh lirinë dhe ta rizbulosh atë përmes një shtegtimi, një udhëtimi. Jo më si të paralizuar, të ngurtë, të sigurt në pozitat tona, por të mbledhur së bashku për të lëvizur dhe për të ndryshuar. Sa e rrallë është të gjesh të rritur që pendohen, njerëz, ndërmarrje dhe institucione që pranojnë gabimet e veta!

Sot, është pikërisht kjo mundësi mes nesh. Dhe nuk është rastësi që shumë të rinj, madje edhe në situata ku ka shekullarizim, ta ndiejnë më shumë se në të kaluarën thirrjen e kësaj dite, të Mërkurës së Përhime. Në të vërtetë, janë të rinjtë ata që e kuptojnë bukur mirë se një mënyrë jetese më e drejtë është e mundur dhe se mbahet përgjegjësi për çka nuk shkon si duhet, në Kishë dhe në botë. Prandaj, duhet të fillojmë prej andej nga mundemi dhe me ata që janë gati. "Ja, tani është çasti i duhur; ja, tani është dita e shpëtimit!" (2 Kor 6,2). Le ta ndiejmë, pra, anën misionare të Kreshmës, sigurisht jo për t’a larguar vëmendjen nga puna që bëjmë me veten tonë, por përkundrazi për t'ua hapur atë shumë njerëzve që s’gjejnë paqe, njerëzve vullnetmirë që kërkojnë shtigje për një përtëritje të vërtetë të jetës, në horizontin e  Mbretërisë së Hyjit dhe drejtësisë së Tij.

"Pse të thuhet ndër paganë: 'Ku është tash Hyji i tyre?'" (Joel 2,17). Pyetja e profetit është si hosteni. Na kujton edhe neve ato mendime që lidhen me ne dhe u vijnë në kokë atyre që vëzhgojnë popullin e Hyjit sikur të ishin jashtë. Kreshmët, në fakt, na nxisin për ato kthesa të rrugëtimit që e bëjnë mesazhin tonë më të besueshëm.

Gjashtëdhjetë vjet më parë, pak javë pas përfundimit të Koncilit të Dytë të Vatikanit, Shën Pali VI dëshiroi t’a kremtonte publikisht Ritin e Përhimjes, duke e bërë të dukshëm për të gjithë, gjatë një audience të përgjithshme në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjest që do t’a kryejmë pas pak. Ai e pati përshkruar atë si një "ceremoni të rëndë dhe mbresëlënëse pendese" (Pali VI, Audienca e Përgjithshme, 23 shkurt 1966), e cila zgjon logjikën e përditshme dhe në të njëjtën kohë u përgjigjet flakë për flakë çështjeve kulturore. Ai tha: "Ne, njerëzit modernë, mund të pyesim veten nëse kjo pedagogji është ende e kuptueshme. Po përgjigjemi se «po!». Sepse është një pedagogji realiste. Është një thirrje e rreptë që të kthehemi tek e vërteta. Na çon te perspektiva e saktë e ekzistencës dhe e fatit tonë."

Kjo "pedagogji pendestare", pati thënë Pali VI, "e çudit njeriun e sotëm në dy mënyra": e para është "kapaciteti i tij i madh për iluzione, për vetë-sugjestion, për vetëmashtrim sistematik në lidhje me realitetin e jetës dhe vlerat e saj". E dyta është "pesimizmi themelor" që Papa Montini e haste kudo: "Shumica e dokumentacionit njerëzor që na ofrohet sot nga filozofia, letërsia dhe argëtimi", tha ai, "përfundon duke shpallur kotësinë e pashmangshme të të gjitha gjërave, trishtimin e madh të jetës, metafizikën e absurdit dhe të asgjësë. Këto lloj dokumentesh janë apologji e hirit".

Sot ne mund ta shquajmë profecinë që përçohet nga këto fjalë dhe të ndiejmë, te hirin që na është imponuar, peshën e një bote që digjet, të qyteteve të tëra të rrënuara nga lufta; nga hiri i së drejtës ndërkombëtare dhe drejtësisë midis popujve, hiri i ekosistemeve të tëra dhe i harmonisë midis popujve, hiri i të menduarit kritik dhe i mençurisë së lashtë, hiri i asaj ndjenje të shenjtë që banon në çdo krijesë.

"'Ku është tash Hyji i tyre?" pyesin njerëzit. Po, të dashur, na e kërkon historia, dhe para kësaj, na e kërkon ndërgjegjja jonë: ta thërrasim vdekjen me emrin e vet, të mbajmë shenjat e saj, por të dëshmojmë ringjalljen. Pranimi i mëkateve tona për t'u kthyer në fé është tashmë një paralajmërim dhe dëshmi e ringjalljes: do të thotë të mos rrish në mes të hirit, por të ngrihesh dhe të rindërtosh. Pastaj, Triditëshi i Pashkëve, të cilin do ta festojmë në kulmin e udhëtimit të Kreshmëve, do të zbulojë gjithë bukurinë dhe kuptimin e vet. Kjo do të ndodhë pasi të jemi përfshirë nëpërmjet pendesës, në kalimin nga vdekja në jetë, nga mungesa e fuqisë te mundësitë e Hyjit.

Martirët e lashtë dhe ata të kohëve tona shkëlqejnë si njerëz që na çelën shtegun në udhëtimin tonë drejt Pashkëve. Tradita e lashtë romake e ndalesave të Kreshmëve – e para bie sot – është edukative. Na kujton të lëvizurit, si shtegtarë e po ashtu edhe ndalimin – lat. statio – tek "përkujtimet" e Martirëve, vendeve mbi të cilat sot ngrihen bazilikat e Romës. A nuk është kjo, vallë, një thirrje për të ecur në gjurmët e dëshmive të mrekullueshme që tani janë të përhapura në të gjithë botën? Duhet të njohim vendet, historitë dhe emrat e atyre që zgjodhën rrugën e Lumturive ungjillore dhe i përjetuan pasojat e tyre plotësisht. Një pafundësi farash që, edhe kur dukeshin të humbura, të varrosura në tokë, përgatitën të korrat e bollshme që janë tonat për t’u korrur. Kreshmët, siç na kujton Ungjilli, na çlirojnë nga dëshira që të dukemi me çdo kusht (krh. Mt 6,2. 5, 16), na mësojnë të shohim atë që lind, atë që rritet dhe na shtyn t’i shërbejmë pikërisht kësaj. Është harmonia e thellë që zë vend tek ata që agjërojnë, luten dhe e duan Hyjin e jetës, Atin tonë dhe Atin e të gjithëve. Drejt Atij, ne e drejtojmë prap tërë qenien tonë, tërë zemrën tonë, me urti dhe gëzim.

 

18 shkurt 2026, 15:34