Kërko

Leoni XIV: drejtësia e vërtetë është dashuria, jo respektimi formal i ligjit

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV flet për "drejtësinë më të lartë", që nuk mjaftohet thjesht me respektimin e urdhërimeve, për t'u ndjerë të drejtë para Zotit, por na mëson e na impenjon për dashurinë. Papa përqendrohet në shumë shembuj të huazuar nga Ungjilli: me miqtë, armiqtë, gratë, burrat dhe vëllezërit është themelore ta kuptojmë nevojën për dashuri.

R.SH. – Vatikan

Jo një drejtësi minimale, por një dashuri e madhe; jo ndërgjegje e pastër, por një zemër e aftë për të dashur: ky është mesazhi i katekizmit që Papa Leoni gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, më në fund të ndriçuar nga dielli.

Ky ishte takimi i parë publik i kësaj të diele, e cila më vonë do ta çojë Atin e Shenjtë në numrin 13 të Sheshit "Regina Pacis", për vizitën në famullinë e Shën Marisë Mbretëresha e Paqes, në Ostia Lido, afër Romë. Atje Ati i Shenjte do të takojë mbarë komunitetin, tme të gjithë bashkësinë, të përbërë nga familje, të rinj dhe të moshuar, të sëmurë, por edhe të varfër e migrantë.

Drejtësi e lartë

Duke folur për "Ligjin e lashtë" që përmbushet vërtetë vetëm në dashurinë e Krishtit, Papa kthehet te "Predikimi në mal", të cilin Jezusi e mbajti pasi shpalli Lumturitë, dhe shpjegon si është ftesa për të hyrë në risinë e Mbretërisë së Zotit. Ai na zbulon menjëherë kuptimin e vërtetë të parimeve të përfshira në Ligjin e Moisiut: “jo për të na plotësuar një nevojë të jashtme fetare dhe për t'u ndjerë të drejtë para Zotit", por për të "na sjellë në një marrëdhënie me Të dhe me vëllezërit e motrat tona". Prandaj, nuk është më e thjeshtë çështja e një ndërgjegjeje të pastër, por e një drejtësie më të lartë, që na angazhon për të dashur.

Përkryerja e Ligjit është pikërisht dashuria, e cila realizon kuptimin e thellë dhe qëllimin përfundimtar. Bëhet fjalë për fitimin e një "drejtësie më të lartë" se ajo e skribëve dhe e farizenjve, drejtësi që nuk kufizohet vetëm në respektimin e urdhërimeve, por na hap udhën për dashuri e edhe na angazhon për dashuri.

Kuptimi i nevojës për dashuri

Kjo është një e re tronditëse, por që nuk e mohon të kaluarën. Përkundrazi, na tregon se Ligji, dhënë Moisiut dhe profetëve, është vetëm një rrugë për të filluar ta njohim Zotin dhe planin e Tij mbi historinë. Pastaj, me ardhjen e Krishtit, hyjmë në një marrëdhënie të re, si bij të Atit, si vëllezër ndërmjet nesh. E atëhere, çfarë do të thotë ta respektosh ligjin? Shembujt që na jep Ungjilli janë shumë e konkretë e, mbi të gjitha, kanë të bëjnë me jetën e përditshme, me njerëzit që i duam, armiqtë tanë, kundërshtarët tanë dhe sjelljet tona.

Jezusi na mëson se drejtësia e vërtetë është dashuri dhe se, brenda çdo parimi të Ligjit, duhet të kuptojmë pikërisht nevojën për dashuri. Në të vërtetë, nuk mjafton të mos vrasësh fizikisht një njeri, nëse më pas e vras​​me fjalë ose nuk e respektoj dinjitetin e tij. Po kështu, nuk mjafton të jesh zyrtarisht besnik ndaj bashkëshortit/bashkëshortes dhe të mos kryesh shkelje kurore, nëse kësaj marrëdhënieje i mungon butësia e ndërsjellë, dëgjimi, respekti, kujdesi për njëri-tjetrin dhe ecja së bashku në një projekt të përbashkët.

Logjika e Zotit

Ndërsa i kërkon ndihmën Marisë që të na ndihmojë të hyjmë në logjikën e Mbretërisë së Zotit dhe ta kuptojmë plotësisht këtë revolucion dashurie, Leoni XIV arrin në zemër të Shkrimit Shenjt:

Ungjilli na ofron këtë mësim të çmuar: drejtësia minimale nuk është e mjaftueshme; nevojitet dashuri e madhe, që është e mundur falë forcës së Zotit.

15 shkurt 2026, 13:00

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >