Kërko

Përfundon Jubileu i dy Papëve

Çfarë bilanci mund të bëhet për këtë Vit të Shenjtë tashti që Leoni XIV përgatitet, këtë të martë më 6 janar, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, të mbyllë Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit dhe kështu të përfundojë Jubileun 2025? Miliona shtegtarë u dyndën në Romë, një Papë pasoi një tjetër, bota përjetoi tronditje, por Shpresa shkëlqeu dhe jehoi gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve.

R.SH. – Vatikan

Për herë të dytë në histori, një Papë do të mbyllë Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit të hapur nga një Papë tjetër. Kjo e veçantë bëri që numri i shtegtarëve në Romë të kapte shifra të larta, duke i tejkaluar parashikimet më optimiste. Dy Papë, pra, por një fill i vetëm përçues: ai i Shpresës, Shpresa që nuk zhgënjen, një virtyt i paçmueshëm në këtë periudhë pasigurie, tensionesh gjeopolitike dhe paqëndrueshmërie ekonomike e shoqërore. Thirrja për paqe, për më tepër, jehoi fuqishëm gjatë tërë Jubileut.

Burgu i Rebibbias, Bazilikë e vuajtjes

Një gjest që nuk kishte ndodhur kurrë më parë ishte ai në burgun romak, ku Papa Françesku çeli Portën e dytë të Shenjtë të Jubileut, një ditë pas Krishtlindjes. Dy net më parë, Bergoglio ishte ngritur për pak çaste nga karrigia e tij me rrota për të hapur Portën e Bazilikës së Shën Pjetrit. Një sprovë shumë e rëndë për një Papë tashmë shumë të dobësuar, një pamje tronditëse e transmetuar drejtpërdrejt në mbarë botën, diçka mbresëlënëse në histori. Dhe, në mënyrë domethënëse, pikërisht botës së burgjeve iu kushtua edhe ngjarja e fundit e madhe e këtij Viti të Shenjtë: Mesha e kryesuar nga Leoni XIV më 14 dhjetor, për Jubileun e të burgosurve.

Sipas kategorive të veçanta ose në shtegtimet dioqezane, të organizuara në bazë të një profesioni apo një teme, në grup ose individualisht, më shumë se tre milionë besimtarë ecën pas Kryqit përgjatë itinerarit të përgatitur posaçërisht në Udhën e Pajtimeve (Via della Conciliazione në Romë) që të çon në Bazilikën e Shën Pjetrit. Me guxim, pavarësisht vapës mbytëse romake, ditëve të ftohta, me shi apo me erë, ata ndoqën rrugën e shënjuar, nën vështrimin e turistëve, romakëve dhe gazetarëve nga e gjithë bota. Të varfër dhe qeveritarë, artistë dhe personel mjekësor, rregulltarë e familje, katekistë, punëtorë, sipërmarrës etj… të gjithë në të njëjtin udhëtim të lutjes dhe të fesë.

Brezat e rinj në plan të parë

Meshë, takime, hapësira reflektimi, koncerte dhe ekspozita shkoqitën ritmin e këtij Jubileu të 25-të të zakonshëm. Ndër momentet më të paharrueshme, kanonizimi i dy të rinjve italianë: Carlo Acutis, një influencer i Zotit, shenjti i parë i mijëvjeçarit, i cili vdiq prej leucemisë në moshën 15-vjeçare. I dyti, Pier Giorgio Frassati, alpinisti i Zotit, që jetoi në fillim të viteve 1900 dhe vdiq në moshën 24-vjeçare. Ndërsa kriza e thirrjeve dhe e praktikës fetare e sfidon Kishën, Jubileu i Rinisë – që tërhoqi rreth një milion e gjysmë të rinj nga e gjithë bota – ishte një sukses i papritur.

Edhe pse Viti i Shenjtë mbetet para së gjithash një ngjarje shpirtërore, dimensioni kulturor dhe artistik ishte po ashtu i pranishëm. Për herë të parë, piktura kryevepra që nuk kishin dalë kurrë nga vendi i tyre i zakonshëm, si «Kryqëzimi» i Salvador Dalísë ose «Kryqëzimi i Bardhë» i Marc Chagallit, u ekspozuan në Romë.

Sukses i padiskutueshëm, me gjithë vështirësitë

Ishte një vit i veçantë, me javë pasigurie gjatë shtrimit në spital të Françeskut, me Meshë jubilare të kremtuara pa praninë fizike të Papës, me funeralin papnor në ditën kur ishte planifikuar Jubileu i adoleshentëve dhe me konklav që u zhvillua gjatë periudhës së Pashkëve. Sipas vetë rrëfimit të imzot Fisichellës, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin – përgjegjës, nga ana e Vatikanit, për organizimin e Vitit të Shenjtë – «periudha e ndërmjetme ka shkaktuar një vështirësi objektive të caktuar». Para shtrimit në spital, Françesku kishte kryesuar vetëm dy ngjarje madhore: Jubileun e botës së komunikimit dhe atë të forcave të armatosura dhe të policisë.

 Sidoqoftë, vdekja e Papës dhe zgjedhja e pasardhësit të tij, në një farë mënyre, erigjallëruan Jubileun si në aspektin e pjesëmarrjes ashtu edhe për vëmendjen që i kushtuan mediat. Aq më tepër që Papa i ri, vendosi menjëherë të zbatojë angazhimet e programuara, duke shtyrë për më vonë trajtimin e dosjeve të tjera të rëndësishme për jetën e Kishës. Dhe besimtarët erdhën, gjithnjë e më të shumtë me kalimin e muajve. Sipas shifrave zyrtare, mbi 30 milionë shtegtarë dhe turistë udhëtuan drejt Romës në vitin 2025. Mes tyre, pavarësisht luftërave, pati edhe besimtarë nga Ukraina, Siria, Palestina, Nigeria, Sudani i Jugut.

Drejt Vitit të Shenjtë të Shëlbimit

Ndonëse është koha për bilance, prap shifrat nuk thonë gjithçka. Më 31 dhjetor, përpara «Te Deum»-it të fundvitit, Papa Leoni XIV u rikthye te kuptimi i thellë i Vitit të Shenjtë: «një shenjë e madhe e një bote të re, të ripërtërirë dhe të pajtuar sipas planit të Zotit». Ndërsa përgatitet të kryesojë Konsistorin e tij të parë dhe të përballet me çështje të ngutshme për jetën e Kishës, Leoni XIV i ka drejtuar tashmë të krishterët drejt një jubileu tjetër: Vitit të Shenjtë të Shëlbimit në vitin 2033, në perspektivën e një rikthimi në Jeruzalem dhe me shpresën që kjo ngjarje të çojë drejt unitetit të plotë.

05 janar 2026, 10:20