Papa: Zoti e dëgjoftë rënkimin e heshtur të fëmijëve pa paqe dhe dinjitet
R.SH. – Vatikan
Këngët dhe ngjyrat e Krishtlindjes vazhdojnë edhe për disa ditë të banojnë në zemrat e shumë njerëzve. Dritat ende nuk janë shuar, meloditë jehojnë në kujtesë. E megjithatë, ka nga ata që këtë festë e kanë kaluar në errësirë dhe në heshtje. Janë shumë fëmijë, në shumë vise të botës, të privuar madje edhe nga të drejtat më themelore, rënkimi i heshtur i të cilëve bëhet klithma që më shumë se çdo tjetër nuk mund të mbetet e padëgjuar. Këtyre “të vegjëlve” Papa Leoni XIV ia kushton Koncertin e Krishtlindjes të Kapelës Muzikore Sikstine, mbajtur këtë mbrëmje, më 3 janar, në kornizën sugjestive të afreskeve të Mikelanxhelos.
Muzika që flet mendjes dhe zemrës
Meditimi i Krishtlindjes, pohon Ati i Shenjtë duke iu drejtuar pjesëmarrësve në përfundim të veprimtarisë, shpaloset edhe përmes “gjuhës së muzikës dhe të këngës”, e aftë t’i flasë si me mendjes ashtu edhe zemrës. Këtë e shprehin zërat e korit, më i vjetër se 1500 vjet, i drejtuar nga mjeshtri monsinjor Marcos Pavan, së bashku me Mjeshtrin e Pueri, zërat e bardhë, Michele Marinelli, të dy të falënderuar nga Leoni XIV.
Meloditë e natës së Betlehemit
“Nuk ka Krishtlindje pa këngë”, pranon më pas Papa, duke vënë në dukje shprehjet e tyre të ndryshme sipas gjuhëve dhe kombeve. Një aspekt pothuajse i natyrshëm, pasi rrëfimi ungjillor tregon se, në çastin kur Maria solli në jetë Jezusin, “engjëjt në qiell këndonin: ‘Lavdi Hyjit dhe paqe mbi tokë’”. “Dëgjuesit” e atyre melodive jubilare, të atij “koncerti të parë të Krishtlindjes”, ishin barinjtë e Betlehemit, të cilët, gjithmonë sipas Ungjillit, “u kthyen duke lavdëruar dhe falënderuar Hyjin”, ndoshta – siç pëlqen të mendojë Papa – “duke kënduar e ndoshta duke luajtur ndonjë flaut të thjeshtë”.
Dëgjimi i Marisë
Por atë natë, "muzika qiellore" jehonte edhe në një vend më intim dhe "tejet të ndjeshëm": në zemrën e Marisë.
Le të mësojmë prej saj të dëgjojmë në heshtje zërin e Zotit, për të ndjekur me besnikëri pjesën që Ai na beson në partiturën e jetës.
Krishtlindja e fëmijëve “pa drita”
Një soditje drite, që afrohet pranë asaj të heshtur, por të dhimbshme, të “fëmijëve që, në shumë pjesë të botës, e kanë jetuar këtë Krishtlindje pa drita, pa muzikë, pa pasur as atë që është e domosdoshme për dinjitetin njerëzor, dhe pa paqe”.
Zoti, të cilit sonte deshëm t’ia ngremë këngët tona të lavdit, e dëgjoftë rënkimin e heshtur të këtyre të vegjëlve dhe i dhuroftë botës, me ndërmjetësimin e Virgjrës Nënë, drejtësi dhe paqe.
