Papa për Venezuelën: kapërcimi i dhunës duke garantuar sovranitetin e vendit
R.SH. – Vatikan
Me shpirtin të mbushur me shqetësim, ndjek zhvillimet e situatës në Venezuelë. E mira e popullit të dashur venezuelian duhet të mbizotërojë mbi të gjitha konsideratat e tjera e të çojë në kapërcimin e dhunës dhe ndjekjen e rrugëve të drejtësisë e të paqes, duke garantuar sovranitetin e vendit dhe duke siguruar sundimin e ligjit të shkruar në Kushtetutë.
Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Vatikan, Papa Leoni XIV bëri thirrje për Venezuelën dhe popullin e saj, duke i nxitur ta respektojnë "sovranitetin" dhe "sundimin e ligjit".
Dje, e shtunë, 3 janar, në orën 2:00 të mëngjesit sipas kohës lokale, kryeqyteti i Vendit jugamerikan, Karakas, u godit nga një seri shpërthimesh të dëgjuara në disa lagje të qytetit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpjegoi se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës e se presidenti, Nicolás Maduro, u kap së bashku me gruan e tij dhe u zhvendos jashtë vendit".
Mes pasigurisë të situatës, shqetësimi i Papës u përqendrua te më të ligshtit e Kombit, të cilët vuajtën për më se një dekadë nga kriza dramatike ushqimore. Prej këndej, ftesa e Leonit XIV për të respektuar "të drejtat njerëzore e civile të çdo njeriu dhe për të punuar së bashku për ndërtimin e një ardhmërie të qetë bashkëpunimi, stabiliteti dhe harmonie, me vëmendje të veçantë tek më të varfrit, që vuajnë nga situata e vështirë ekonomike".
Ndërmjetësimi i Pajtores së Vendit
Së fundmi, Papa i nxiti besimtarët t’ia besojnë kërkesën e tyre për paqe Pajtores së Venezuelës, Zojës së Coromotos dhe dy shenjtorëve të parë të vendit, shpallur së bashku më 19 tetor 2025.
Ju ftoj të luteni, duke ia besuar lutjet tona ndërmjetësimit të Zojës së Coromotos dhe Shenjtorëve José Gregorio Hernández dhe Motër Carmen Rendiles.
E pasi i përshëndeti shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV kërkoi edhe një herë për t’u lutur pandërprerë, duke bërë thirrje për solidaritet me popullatat e prekura nga konflikti:
Të dashur, të kemi besim të vazhdueshëm në Zotin e paqes: të lutemi dhe të jemi solidarë me popullatat, që vuajnë për shkak të luftave.
Zjarri në Crans Montana, natën e Shën Silvestrit
Në fund të lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, Papa reflektoi edhe mbi viktimat e zjarrit të natës së Vitit të Ri, në qytetin zviceran Crans-Montana, e mbi familjet:
Dëshiroj të shpreh edhe një herë afërsinë time me ata që janë në zi për tragjedinë në Crans-Montana, Zvicër. I siguroj se lutem për të rinjtë që vdiqën, për të plagosurit dhe për familjet e tyre.
Zyrtarët dhe policia janë ende duke hetuar për të kuptuar rrethanat e zjarrit që shpërtheu në barin "Le Constellation" në Crans-Montana, Zvicër, natën e Vitit të Ri. Numri tragjik i viktimave është të paktën 40 të vdekur, 119 të plagosur dhe shumë të djegur rëndë, që luftojnë për jetën. Sipas Prokurores së Përgjithshme të Valais, Beatrice Pilloud, hamendja më e mundshme është se zjarri, i pasuar nga një shpërthim, filloi "nga fishekzjarret ose qirinjtë e shndritshëm të vendosur në shishe, shumë afër tavanit". Në lokal, në dhomën e bodrumit, festimet e Vitit të Ri ishin në kulm.
Dhimbja e Papës për viktimat e zjarrit në Crans-Montana
Të premten, më 2 janar, Papa Leoni XIV, në një telegram nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinal Pietro Parolin, shprehu afërsinë e tij me të plagosurit dhe familjet e viktimave, shumë prej të cilëve ishin të rinj.
Gjatë Meshës së sotme në Crans-Montana, në kujtim të viktimave të zjarrit të Natës së Vitit të Ri, Ipeshkvi i dioqezës së Sionit imzot Jean-Marie Lovey lexoi një mesazh nga Papa Leoni XIV i cili, kujtoi Prelati, "bashkohet me ne në pikëllimin tonë e dëshiron të shprehë dhembshurinë dhe shqetësimin e tij për familjet e viktimave, duke e mbështetur guximin e atyre që vuajnë".
