Papa: jo ndarjeve të të krishterëve, e errësojnë dritën e Krishtit
R.SH. – Vatikan
“Ne jemi një! Jemi që tani! Ta njohim këtë, ta përjetojmë, ta dëshmojmë!” Fjalët e Papa Leonit jehojnë në Bazilikën e Shën Palit, jashtë mureve, në Romë, gjatë lutjes së dytë Mbrëmësore të solemnitetit të kthimit të Shën Palit sotme, 25 janar, që përmbyll Javën e 59-të të Lutjes për Bashkimit të Krishterëve. Janë fjalë që vijnë si një nxitje, një ftesë frytdhënëse për vëllezërit e Kishave dhe bashkësive të ndryshme të krishtera të pranishme në Bazilikën e Shën Palit Apostull, për të vazhduar rrugëtimin së bashku, që të arrijnë të “komunikojnë” me “një zë të vetëm fenë te burrat dhe gratë e kohës sonë”.
Takimi që transformon
“I ndezur nga flakët e Tij, ai u shkri për emrin e Krishtit. Dogji për Të pa kursim, duke predikuar dashurinë e Krishtit”. Është himni Excelsam Pauli gloria, i kënduar nga Kori i Bazilikës së Shën Palit dhe i Kapelës Sikstina, në të cilin lartësohej “ngadhënjimi i lavdishëm i Palit”, për të treguar ndryshimin e “më të voglit ndër apostujt”, i vetëquajtur kështu sepse nuk e konsideronte veten të denjë për shkak të së kaluarës së tij si përndjekës i Kishës.
Një e kaluar që megjithatë nuk e bën atë rob – nënvizon Papa – ai vetë përkundrazi e përkufizon veten si “rob për shkak të Zotit”: një perspektivë krejtësisht e ndryshme. Ndryshimi i njeriut kalon përmes një emri tjetër, jetës së re që Zoti dhuron në takimin me Të.
“Kështu na kujtohet – pohon Leoni XIV – se misioni i tij është gjithashtu misioni i të gjithë të krishterëve të sotëm: të shpallim Krishtin dhe të ftojmë të gjithë të kenë besim tek Ai”.
Çdo takim i vërtetë me Zotin, në fakt, është një moment transformues që jep një vizion të ri dhe një drejtim të ri për të përmbushur detyrën e ndërtimit të Trupit të Krishtit.
Ndarjet e të krishterëve
Ungjilli nuk mund të heshtet, ai duhet të shpallet sepse, siç lexohet në Lumen Gentium (kushtetuta dogmatike fryt i Koncilit II të Vatikanit), ai ndriçon njerëzit me dritën e Krishtit “që shkëlqen mbi fytyrën e Kishës”. Një dritë që ngushëllon, por që mund edhe të hijezohet.
Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve na thërret çdo vit të përtërijmë angazhimin tonë të përbashkët në këtë mision të madh, me vetëdijen se ndarjet mes nesh, ndonëse nuk e pengojnë dritën e Krishtit të shkëlqejë, e bëjnë gjithsesi më të errët atë fytyrë që duhet ta pasqyrojë atë në botë.
Një zë i vetëm për fenë
Papa Leoni kujton kremtimin e fundit, së bashku me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeun I, në Iznik – Nikenë e lashtë – të 1700-vjetorit të Koncilit, që u zhvillua më 28 nëntor 2025 gjatë udhëtimit të tij të parë apostolik në Turqi dhe Liban. “Recitimi i përbashkët i Besojmës (Kredos) së Nikesë në vetë vendin e hartimit të saj – pohon Papa – ishte një dëshmi e çmuar dhe e paharrueshme e unitetit tonë në Krishtin”.
“Një moment vëllazërimi” dhe falënderimi, sepse Zoti “ka vepruar në Etërit e Nikesë, duke i ndihmuar ata të shprehin me qartësi të vërtetën e një Zoti që u bë i afërt me ne, duke na takuar në Jezu Krishtin”.
Uroj që edhe sot Shpirti i Shenjtë të gjejë në ne një mendje të bindur dhe të hapur, për të komunikuar me një zë të vetëm fenë burrave dhe grave të kohës sonë!
“Një”
Duke iu referuar më pas temës së Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve – “Një është trupi, një është Shpirti, ashtu siç është një edhe shpresa në të cilën Zoti ju ka thirrur” – nga Letra drejtuar Efesianëve, Leoni XIV kujton rëndësinë dhe këmbënguljen e asaj fjale “një”, e cila të godet dhe të prek, dhe që nxit “drejt unitetit të plotë dhe dëshmisë së përbashkët të Ungjillit”.
Të komunikojmë atë që jemi
Të ecurit së bashku na kthen sërish te rrugëtimi sinodal të cilin Françesku, siç vëren Papa Prevost, e konsideronte “ekumenik”, aq sa në Sinodet e viteve 2023 dhe 2024 ishin të pranishëm disa delegatë vëllazërorë të Kishave tjera. Një rrugë kjo, thekson Leoni XIV, “për t’u rritur së bashku në njohjen e ndërsjellë të strukturave dhe traditave përkatëse sinodale”, veçanërisht duke pasur parasysh vitin 2033, në Jubileun dy-mijëvjeçar të Shëlbimit.
Le të angazhohemi për të zhvilluar më tej praktikat sinodale ekumenike dhe për t’i komunikuar njëri-tjetrit atë që jemi, atë që bëjmë dhe atë që mësojmë.
Shërimi i kujtesës
Ati i Shenjtë Leoni XIV kujton më pas se materialet për javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve të këtij viti janë përgatitur nga Kishat në Armeni, shprehje e “një dëshmie të guximshme të krishterë të popullit armen gjatë historisë, një histori në të cilën martirizimi ka qenë një tipar i vazhdueshëm”. Papa fton të shikohet te shenjti Katolikos Shën Nersès Šnorhali, “i Hirshmi”, i cili punoi për unitetin e Kishës në shekullin XII. Ai ishte i aftë të kuptonte se kërkimi i unitetit u përket të gjithë besimtarëve e përfshin edhe “shërimin e kujtesës”.
Shën Nersès mund të na mësojë gjithashtu edhe qëndrimin që duhet të mbajmë në ecjen tonë ekumenike, siç ka kujtuar paraardhësi im i nderuar Shën Gjon Pali II: «Të krishterët duhet të kenë një bindje të thellë të brendshme se uniteti është thelbësor jo për një përfitim strategjik apo një fitim politik, por për interesin e shpalljes së Ungjillit».
Fara të unitetit dhe të paqes
Në tokat e Armenisë, kombi i parë i krishterë, Ungjilli zuri rrënjë shumë herët. Falë “shpallësve të patrembur të Fjalës që shpëton, popujt e Evropës Lindore dhe Perëndimore e pranuan fenë në Jezu Krishtin”.
Le të lutemi që farat e Ungjillit të vazhdojnë të japin në këtë Kontinent fryte uniteti, drejtësie dhe shenjtërie, edhe për të mirën e paqes ndërmjet popujve dhe kombeve të mbarë botës.
