Kërko

2025.12.31 Videomessaggio SEEK 2 gennaio 2026

Papa: mos kini frikë nëse Zoti ju thërret, në Të zemrat gjejnë paqe

Leoni XIV u dërgon një mesazh Konferencave SEEK26, që vijojnë njëkohësisht në Ohajo, Teksas dhe Kolorado. Duke iu drejtuar të rinjve, u kujton se zelli misionar lind nga një takim autentik me Krishtin; gëzim që është e pamundur të mos ndahet.

R.SH. / Vatikan

"Të dashur të rinj, çka kërkoni? Pse jeni këtu, në këtë konferencë?". Këto janë pyetjet që Papa Leoni u drejtoi, në një video mesazh, në anglisht, pjesëmarrësve në SEEK26, nismë që filloi të enjten, më 1 janar, dhe do të përfundojë të hënën, më 5 janar, e që po mbahet njëkohësisht në Columbus, Ohio, Fort Worth, Teksas dhe Denver, Kolorado. Në këtë ngjarje, mijëra katolikë të pranishëm luten, adhurojnë të Shenjtueshmin Sakrament të Eukaristisë, ndjekin konferencat e kremtimet liturgjike.

Pyetjet e Papës arrijnë në zemrën e atij, që dëgjon. Janë fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve e që edhe sot na sfidojnë e na krijojnë vështirësi. Pyetje që na shqetësojnë, na bëjnë të reflektojmë, na nxisin përudhë. Përgjigja gjendet te një vetje. Vetëm Zoti Jezus na sjell paqe e gëzim të vërtetë dhe na e realizon secilën nga dëshirat tona më të thella

Zelli misionar

Leoni XIV na fton të jemi "gati ndaj asaj që Zoti ka rezervuar" për çdo njeri të pranishëm. Konferencat, thekson ai, mund të jenë mundësi për t'u takuar me Krishtin për herë të parë ose për të thelluar marrëdhënien tonë me Të. Megjithatë, është e qartë se pas takimit me Të, gjithçka ndryshon. E ashtu si dishepujt, mund të themi: "E gjetëm atë që kërkonim!" - prej këndej lind fryma misionare.

Zelli misionar lind nga një takim me Krishtin. Dëshirojmë ta ndajmë me të tjerët atë që morëm, në mënyrë që edhe ata të mund ta njohin përkryerjen e dashurisë dhe të së vërtetës, që gjendet vetëm në Të.

Lëreni t’ju udhëheqë

Papa Leoni na siguron për lutjet e tij, sepse kështu ndahet gëzimi i takimit të vërtetë me Zotin, që i nxit të rinjtë, gjatë këtyre ditëve të miqësisë dhe të adhurimit eukaristik, të mos kenë frikë të pyesin se çfarë pret Jezusi prej tyre: meshtarinë, jetën rregulltare, martesën, jetën familjare.

Nëse dëgjoni se Zoti ju thërret, mos kini frikë. Edhe një herë, më lejoni të theksoj se vetëm ai i di dëshirat më të thella, ndoshta të fshehura, të zemrës suaj dhe rrugën që do t'ju çojë drejt përkryerjes së vërtetë. Lëreni t’ju udhëheqë e të udhëhiqeni prej Tij!

Së fundi, Papa ia beson Virgjërës Mari konferencat, nisur në Solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit, në mënyrë që nëpërmjet saj të mund të arrijmë te Jezusi, te dashuria e tij, për të gjetur paqe në Atë, që e kërkuam prej kohësh.

02 janar 2026, 10:58