Leoni XIV mbyll Derën e Shenjtë të Jubileut të Shpresës: me Zotin, gjithçka ndryshon
R.SH. / Vatikan
I gjunjëzuar, në heshtje, me duar të bashkuara, me mitren në kokë. Pastaj, në këmbë, ai hap derën e djathtë së pari, e menjëherë pas, të majtën. Me një zhurmë të shurdhër, Papa mbyll Portën Shenjte, e bashkë me të, edhe Jubileun e Shpresës, i cili filloi më 24 dhjetor 2024. Riti simbolik që shënon përfundimin e Vitit të Shenjtë, përplot me histori, traditë dhe frymëzim, zhvillohet në orën 9:40 të mëngjesit. Plani i Zotit - ai që "të çuditë" përsëri e përsëri, siç do të thoshte në homelinë e tij - deshi që një Papë, Françesku, ta fillojë këtë kohë të veçantë për Kishën e për botën, e një tjetër, Leoni XIV, ta përfundojë atë. Ka pak precedentë në histori. LEXONI TEKSTIN E PLOTË TË HOMELISË SË PAPËS LEONI XIV
Çaste solemne
Një Papë i zhytur në lutje, ndonjëherë i emocionuar, i vetëdijshëm për solemnitetin e çastit: këtë shohim para derës së madhe prej bronzi, të rrethuar me lule e degë të gjelbra, mbi të cilat gdhenden çastet e spikatura të historisë së shëlbimit. Ky imazh i Pasardhësit të Pjetrit përsëritet edhe në Meshën për Solemnitetin e Epifanisë - Ujit të Bekuar - kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, me thirrjet në homeli - të fuqishme, por të shprehura butësisht - drejtuar të krishterëve për të vazhduar udhëtimin e Jubileut duke e dashur dhe duke e kërkuar "paqen", duke shmangur çdo dhunë e edhe këtë "ekonomi të shtrembëruar" që "përpiqet të përfitojë nga gjithçka", duke u bërë, në vend të saj, shenjë e një Kishe që përhap "aromën e jetës", duke shpallur "Zotin që na kthen në rrugë", rrugët e të cilit nuk janë rrugët e botës, e të cilin asnjë person i dhunshëm ose i fuqishëm në botë nuk mund ta "sundojë" as "ta bllokojë" kurrë.
Mijëra besimtarë
Në këtë çast liturgjik Papën e shoqërojnë 10,000 besimtarë të mbledhur – pavarësisht nga të ftohtit dhe paralajmërimit për mot - në Sheshin e Shën Pjetrit, shndërruar për 378 ditë në kishë Jubileu mes lutjeve, këngëve dhe shtegtimeve të mbi 33 milionë besimtarëve nga mbarë bota. Të gjithë e kaluan këtë hyrje, të kurorëzuar nga Çelësat e Primatit gdhendur në gur të gjallë, me dy pllaka në qendër të sipërme, me mbishkrime që kujtojnë Vitin e Shenjtë 1975, të dëshiruar nga Pali VI, dhe Jubileun e Madh të Vitit 2000, kulm i fundit të shekullit dhe fillim i mijëvjeçarit të ri. 5,800 vetë të tjerë janë ulur në Bazilikë për kremtim. Ndërmjet tyre, Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të bijën, Laura. Të pranishëm, edhe Kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, Presidenti i Rajonit të Lacios, Francesco Rocca dhe Alfredo Mantovano, Sekretar i Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane.
Një Portë gjithmonë e hapur
Para Meshës, në atriumin rrethuar nga kardinalët - të cilët do të mblidhen më 7 dhe 8 janar për Koncistorin e jashtëzakonshëm - nga ipeshkvijtë dhe kanonikët e Shën Pjetrit, Leoni XIV lexon hyrjen e, më pas, lutjen:
“Me shpirt mirënjohës, përgatitemi ta mbyllim këtë Portë Shenjte, të kaluar nga një mori besimtarësh, të sigurt se Bariu i Mirë e mban gjithmonë derën e zemrës së tij hapur për të na mirëpritur sa herë që ndihemi të lodhur dhe të shtypur”.
Prej andej, kryhet riti i mbylljes së Portës Shenjte. Të gjithë të pranishmit, më pas, vazhdojnë procesionin drejt altarit, ndërsa Schola cantorum intonon Adeste fideles. Gjatë kremtimit, një diakon këndon Ungjillin e Epifanisë (Mateu 2:1-12); pastaj, në latinisht, shpallet e diela e Pashkëve, e cila këtë vit bie më 5 prill, së bashku me datat e solemniteteve liturgjike të ardhshme: fillimi i Kreshmëve, më 5 mars; Ngjitja e Zotit, më 29 maj; Rrëshajët, më 8 qershor dhe e Diela e Parë e Kohës së Ardhjes më 30 nëntor.
"Zoti zbulohet e asgjë nuk mund të mbetet e pandryshuar"
Në homelinë e Papës ndërthurën gëzimi dhe trazirat, rezistenca dhe bindja, frika dhe dëshira. Këto janë ndjenjat e Tre Mbretërve dhe Mbretit Herod, simbol i të gjitha "kontrasteve" që duken në Shkrimin Shenjt sa herë që Zoti e zbulon vetveten. Sot ne festojmë Ujin e Bekuar të Zotit, theksoi Leoni XIV, "të vetëdijshëm se në praninë e tij asgjë nuk mbetet siç ishte më parë".
Ky është fillimi i shpresës. Zoti zbulon veten dhe ky është fillimi i shpresës. Zoti zbulon veten dhe asgjë nuk mund të qëndrojë në vend. Një lloj qetësie po mbaron, lloji që e bën melankolikun të përsërisë: "Nuk ka asgjë të re nën diell". Diçka fillon, nga e cila varet e tashmja dhe e ardhmja.
Jetë në lëvizje, në një botë të trazuar
Vështrimi i Papës zhvendoset te Porta e Shenjtë, e fundit që mbyllet pas atyre të Shën Marisë së Madhe, Shën Gjonit në Lateran dhe Shën Palit Jashtë Mureve. Ky kalim, vëren Papa, "ka njohur rrjedhën e panumërt të burrave e të grave, shtegtarë të shpresës, që udhëtojnë drejt Qytetit, dyert e të cilit janë gjithmonë të hapura, Jeruzalem i ri. Çfarë i shtyu të gjithë këta njerëz?" Kërkimi shpirtëror është pyetje serioze në fund të Vitit Jubile: "Miliona prej tyre e kaluan pragun e Kishës. Çfarë kanë gjetur? Çfarë zemrash, çfarë vëmendjeje, çfarë korrispondence?". Ashtu si Magjistarët, këta njerëz pranuan "sfidën e secilit për të rrezikuar udhëtimin e vet, që në një botë të trazuar si e jona, në shumë mënyra të neveritshme dhe të rrezikshme, ta ndiejnë nevojën për të shkuar, për të kërkuar".
Por të gjithë ne, pohon Papa Leoni, "jemi jetë në udhëtim". Është Ungjilli që e nxit këtë dinamizëm, duke na drejtuar kah Zoti, i cili "mund të na shqetësojë, sepse Ai nuk rri i fortë në duart tona si idhuj prej argjendi dhe ari". Ai është Zot "i gjallë dhe jetëdhënës", e kjo "aromë jete" tani duhet të përhapet nga të gjitha ato vende - katedrale, bazilika dhe faltore - që janë bërë vise të shtegtimit të Jubileut. Tani ato duhet t'u japin atyre "përshtypjen e pashlyeshme se ka filluar një botë tjetër".
A ka jetë në Kishën tonë? A ka vend për atë që po lind? A e duam dhe e shpallim një Zot që na vë përsëri në udhëtim?
Ungjilli të bën guximtar dhe krijues
Gëzimi i Ungjillit të çliron dhe të bën të matur, po, por edhe të guximshëm, të vëmendshëm e krijues; këshillon shtigje të ndryshme nga ato që janë përshkuar tashmë”, thekson Papa. Domethënë, sugjeron rrugët e Zotit, shumë të ndryshme nga ato të botës:
“Rrugët e Tij nuk janë rrugët tona, e të dhunshmit nuk mund t’i dominojnë, as fuqitë e botës nuk mund t’i bllokojnë”.
Ta duam paqen, ta kërkojmë paqen
“Zoti vë në dyshim rendin ekzistues”, theksoi më tej Papa Leoni, “Ai është i vendosur të na shpengojë nga format e vjetra dhe të reja të skllavërisë”. Nuk bën “zhurmë”, por Mbretëria e tij “po mbin tashmë kudo në botë”. Ashtu si në të kaluarën, edhe sot ajo “i nënshtrohet dhunës, dhe të dhunshmit e marrin nën kontroll”. Provë për këtë, vëren Papa, janë “shumë konflikte me të cilat njerëzit mund t’i rezistojnë dhe madje ta sulmojnë të Renë që Zoti ka rezervuar për të gjithë”.
Të duash paqen, të kërkosh paqen, do të thotë të mbrosh atë që është e shenjtë dhe pikërisht për këtë arsye është në lindje: e vogël, delikate, e brishtë si ferishte.
Ekonomi e shtrembëruar
"Përreth nesh, një ekonomi e shtrembëruar përpiqet të përfitojë nga gjithçka. Ne e shohim këtë: tregu e transformon edhe etjen njerëzore për të kërkuar, për të udhëtuar, për të filluar nga e para në biznes" - denoncoi Papa Leoni XIV. E më pas u bëri besimtarëve një pyetje tjetër: "A na ka mësuar Jubileu të ikim nga ai lloj efikasiteti që e redukton gjithçka në produkt dhe qenien njerëzore në konsumator? Pas këtij viti, a do të jemi më të aftë ta njohim vizitorin si shtegtar, të huajin si kërkues, të largëtin si fqinj, të ndryshmin si shoqërues udhëtimi?".
Brezni e agimit
Nga Krishti, shtoi, ne mësojmë të perceptojmë "shenjat e kohërave". Fëmija, ai që "nuk na pret në vende prestigjioze, por në realitete të përulura", dhe të cilin Magjistarët e adhurojnë, "është një e Mirë pa çmim e pa masë". Askush nuk mund të na e shesë, pohon Papa: "Është Epifania e faljes".
Po, Zoti na çuditë e na mrekullon akoma! Na bën ta gjejmë!
"Nëse nuk i reduktojmë në monumente kishat tona, nëse komunitetet tona do të jenë shtëpi, nëse i rezistojmë të bashkuar lajkat e të fuqishmëve, atëherë do të jemi brezi i agimit" - kjo është shpresa e Papës Leoni. Ai shpreson për "një njerëzim madhështor, të transformuar jo nga iluzionet e plotfuqishmërisë, por nga Zoti, që nga dashuria u bë njeri".
Lutje para Krishtit Fëmijë
Në bashkë-kremtim me Papën në altar ishin Kardinalët Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit të Kardinalëve; Zëvendës-Dekani Leonardo Sandri; Sekretari i Shtetit Pietro Parolin dhe Marc Ouellet, Prefekt Nderi i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe paraardhës i vetë Rektorit. Në fund të kremtimit, Papa iu afrua shtatores së Krishti Fëmijë në Bazilikë për një çast nderimi; pastaj kaloi për të përshëndetur besimtarët, të cilët në orën 12:00 do të ishin në Shesh për të ndjekur Engjëllin nga Lozha e Bekimeve.
