Kërko

Papa: Papa: lutja për të ringjallur shpresën në një botë të re

Në videomesazhin me ndjetin e lutjes për muajin janar – “Për lutjen me Fjalën e Zotit” – Leoni XIV inauguron projektin “Lutu për Papën” dhe nxit rizbulimin e lutjes për të na bërë “bij e vëllezër, dishepuj e misionarë” të mbretërisë së Zotit. Iniciativa është në vazhdimësi me misionin e nisur nga Papa Françesku, lindur për t’u bashkuar shpirtërisht në lutje me Pasardhësin e Pjetrit.

R.SH. – Vatikani

“Dritë që udhëheq hapat tanë”, “ushqim në lodhje, shpresë në errësirë dhe forcë në bashkësitë tona”. Kështu e përshkruan Papa Leoni lutjen në video dhe audio mesazhin që nisin iniciativën “Lutu me Papën”, promovuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes dhe nga Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin. Ndjeti i parë i lutjes për janarin 2026, muaj në të cilin kremtohet e diela e Fjalës së Hyjit (më 25 janar), ka si temë: “Për lutjen me Fjalën e Zotit”. Tema e ndjetit të lutjes të muajit janar 2026 është një ftesë për të rizbuluar forcën shpirtërore të Shkrimeve të Shenjta si vend i takimit të veçantë me Krishtin.

Ungjilli, prehje për një zemër të shqetësuar

Në videomesazh, Papa Leoni XIV thotë, në italisht, anglisht dhe spanjisht një lutje në Kishën e Shën Pelegrinit në Vatikan, e cila është kapela e Xhandarmërisë, vend heshtjeje dhe besimi edhe për punonjësit e Vatikanit. Leoni XIV në mesazhin e tij nënvizon se “Jezusi, Fjala e gjallë e Atit” është “drita që udhëheq hapat tanë”.

"Ne e dimë se zemra njerëzore jeton e shqetësuar, e uritur për kuptim, dhe vetëm Ungjilli yt mund t'i japë prehje dhe plotësi."

Ushqim dhe shpresë

Ftesa e Papës është që të mësojmë të dëgjojmë çdo ditë Shkrimet e Shenjta për t'u lënë të pyetemi e të mrekullohemi nga zëri i Tij, si dhe për të shoshitur vendimet që duhen marrë në afërsi me zemrën e Tij.

"Le të jetë Fjala Jote ushqim në lodhje,

shpresë në errësirë

dhe forcë në bashkësitë tona".

Një botë e re

“O Zot, - pohon Papa - mos mungoftë kurrë mbi buzët tona e as në zemrën tonë Fjala që na bën bij e vëllezër, dishepuj e misionarë të Mbretërisë Tënde".

"Bëna një Kishë që lutet me Fjalën,

që mbi të ndërtohet dhe e bashkëndan atë me gëzim,

me qëllim që në çdo person të rilindë shpresa për një botë të re"/

Takim dhe falje

Një lutje që kthehet në veprim: ky është urimi i Leonit XIV, sepse pikërisht në takimin me Fjalën gjithçka ndryshon…

"Duke na shtyrë nga zemra për të shkuar drejt të tjerëve,

për t'u shërbyer më të cenuarve,

për të falur,

për të ndërtuar ura

dhe për të kumtuar jetën".

Duke u lutur me Papa Leonin

“Lutu me Papën” gjendet në faqen e internetit dhe në platformat digjitale të Rrjetit Botëror të Lutjes të Papës, i cili bashkë me Dikasterin e Vatikanit për Komunikimin synon t'i japë hov të ri shpërndarjes së ndjetit të lutjes, besnikë ndaj misionit fillestar por me gjuhë dhe mjete gjithnjë e më moderne.

Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës është një Vepër Papnore që i është besuar Shoqërisë së Jezusit (Jezuitëve), e pranishme në mbi 90 shtete dhe bashkon një komunitet shpirtëror prej më shumë se 22 milionë njerëzish. Në qendër të këtij misioni janë ndjetet mujore të lutjes së Papës, të cilat na ftojnë për t'u përqendruar mbi sfidat e njerëzimit dhe të misionit të Kishës.

.

07 janar 2026, 12:21