Kërko

Papa Leoni XIV – në terrin dhe travajet e jetës, Pagëzimi është dritë dhe pajtim

Në fillim të kohës së zakonshme të vitit liturgjik që nis sot, Papa, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot, para Sheshit të Shën Pjetrit të mbushur me 25,000 besimtarë, foli rreth «planit të çuditshëm të dashurisë për të gjithë njerëzimin». Ai i ftoi të gjithë të pagëzuarit të angazhohen për të dëshmuar dhuratën e këtij sakramenti «me gazmend dhe pa u lëkundur", me sigurinë se «Zoti nuk e vështron botën tonë nga larg, pa prekur jetën tonë, problemet tona dhe dëshirat tona".

R.SH. / Vatikan

«Sa bukur është ta kremtojmë si një familje e vetme dashurinë e Zotit, i cili na thërret me emër, një për një, dhe na dlir nga e keqja

E gjithë Trinia Shenjte bëhet e pranishme në histori. Pikërisht kjo gjë ndodhi kur Jezusi u pagëzua në ujërat e lumit Jordan. Shpirti Shenjt zbriti mbi Birin e Hyjit dhe nëpërmjet Tij, dhurata e shëlbimit i përçohet mbarë njerëzimit. Këtë aspekt përkujtoi Ati i Shenjtë Prevost, sot, më 11 janar, në katekizmin e Lutjes së Engjëllit të Tenzot, pas ritit të Pagëzimit të 20 fëmijë të punonjësve të Vatikanit, në Kapelën Sikstine.

Hyji nuk e shikon botën nga larg

Ekziston një vështrim hyjnor mbi njerëzimin dhe ky vështrim është i vëmendshëm, i vazhdueshëm dhe i mëshirshëm. Misteri i Hyjit të bërë njeri na flet neve për një marrëdhënie ku nuk ekziston largësia, por dëgjimi i vëmendshëm i Hyjit, prania e Tij.

«Të dashur», u shpreh Papa, «Zoti nuk e shikon botën nga larg, pa prekur jetën tonë, problemet tona dhe pritjet tona! Ai vjen mes nesh me urtësinë e Fjalës së tij të mishëruar, duke na përfshirë në një plan të çuditshëm dashurie për të gjithë njerëzimin.»

Jezusi vjen për të shërbyer, jo për të sunduar

Papa theksoi më pas, tiparin e veçantë të mishërimit i cili karakterizon besimin e krishterë. «Në shenjtërinë e tij, Zoti pagëzohet si të gjithë mëkatnorët, për të na zbuluar mëshirën e paskajshme të Hyjit.»

«Biri i Njëlindur, tek i Cili jemi vëllezër dhe motra, vjen për të shërbyer dhe jo për të sunduar, për të shpëtuar dhe jo për të dënuar. Ai është Krishti Shëlbues: Ai merr mbi Vete atë që është e jona, përfshirë mëkatin, dhe na jep atë që është e Tija, domethënë hirin e jetës së re dhe të pasosme.»

Pagëzimi është dritë. Dëshmojeni me hare dhe qëndresë

Pasardhësi i Pjetrit na ftoi të gjithëve të rizbulojmë vlerën e madhe të Pagëzimit, posaçërisht sot, sepse është një «dhuratë e madhe që marrim». Mandej, Papa Prevost na nxiti të gjithëve të angazhohemi për ta dëshmuar atë «me gëzim dhe qëndrueshmëri». Është limfa e jetës, veçanërisht ndër travajet e saj:

«Në ditët kur na mbulon terri, Pagëzimi është dritë; në telashet e jetës, Pagëzimi është pajtim; në çastin e mbramë, Pagëzimi është porta e qiellit», përfundoi Papa Leoni XIV.

11 janar 2026, 14:13

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >