Kërko

Papa: le të përurojmë një epokë paqeje dhe miqësie midis të gjithë popujve

Në katekizmin e tij, para Lutjes së Engjëllit të Tenzot, Papa na nxit të gjithëve të lutemi për t'u dhënë fund konflikteve dhe vuajtjeve, nëpër botë dhe në familjet tona. Në fund të Vitit të Shenjtë, Papa Leoni na fton të vijojmë me të njëjtin «stil», si Hyji dhe viti i Jubileut: të kthejmë zemrat tona, të falim padrejtësitë dhe ta shndërrojmë dhimbjen në ngushëllim.

R.Sh. Vatikan

«Në këtë ditë, le të lutemi të gjithë së bashku për paqe: para së gjithash midis kombeve të përgjakura nga lufta dhe varfëria, por edhe në shtëpitë tona, në familjet e plagosura nga dhuna dhe dhimbja.»

Sot më 1 janar, në lutjen e parë të Engjëllit të Tenzot të këtij viti të ri, e cila përkon me Ditën e 59-të Botërore të Paqes, Papa Leoni XIV na fton t'i kërkojmë Zotit dhuratën e përfundimit të luftërave dhe vuajtjeve të familjeve në të gjithë botën.

Një dëshirë për mirësi që i jep kuptim historisë. Këshilla e Papës pasqyron dëshirën e Zotit i cili, në «ritmin përsëritës të muajve, na fton të përtërijmë kohën tonë, duke inauguruar më në fund një epokë paqeje dhe miqësie midis të gjithë popujve». Kjo «dëshirë për mirësi», shpjegon më tej Papa, përshkon mbarë historinë njerëzore, dhe pa të «nuk do të kishte kuptim të kthenim faqet e kalendarit dhe të mbushnim ditarët tanë».

Falja është «stili» i Hyjit

«Jubileu që gati po përfundon» e ka ripërtërirë këtë dëshirë tek ne, shton Leoni XIV, duke na mësuar se si të «kultivojmë shpresën e një bote të re: duke i kthyer zemrat tona te Zoti, duke i shndërruar kështu gabimet në falje, dhimbjen në ngushëllim dhe ndjetin e mirë të virtytit në vepra të mira». Viti i Shenjtë na ka mësuar faljen, që shpreh «stilin» dhe mënyrën e dashurisë së Hyjit, ai stil me të cilin «vetë Zoti banon në histori dhe e shpëton atë nga harresa, duke i dhuruar botës Shëlbuesin». Jezusi, vazhdon Papa në fjalën e tij, «ndriçon ndërgjegjet vullnetmira, në mënyrë që të mund të ndërtojmë të ardhmen si një shtëpi mikpritëse për çdo burrë dhe grua që i afrohet dritës».

Zemra e Krishtit rreh për të gjithë

Zemra e Jezusit, të cilën «Maria ishte e para që e dëgjoi të rrihte», «rreh për çdo burrë dhe çdo grua. Për ata që janë gati ta mirëpresin, si barinjtë, dhe për ata që nuk e duan, si Herodi». «Zemra e tij rreh për të drejtët, që të mund të këmbëngulin në përkushtimin e tyre, por dhe për të padrejtët, që të mund të ndryshojnë jetën e tyre dhe të gjejnë paqe».

Papa Leoni XIV na fton të kundrojmë te Maria «ngjarjen» e Shpëtimtarit Jezus që «vjen në botë, i lindur nga një grua»: një mrekulli që pasqyrohet sa herë lind një njeri, duke na zbuluar «shëmbëlltyrën hyjnore që e kemi të ngulitur në vetë trupin tonë».

Pastaj, në mbyllje të katekizmit, Papa Leoni XIV duke na kujtuar se Krishti është «dielli i drejtësisë që nuk shuhet kurrë», ia besoi ndërmjetësimit të Marisë lutjen e tij për një botë të dlirë nga mjerimi dhe dhimbja.

01 janar 2026, 11:53

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >