Kërko

Papa institucioneve të përfshira në Jubile: “falë jush, Roma ka qenë shtëpi mikpritëse”

Duke pritur në audiencë ata që kanë bashkëpunuar në realizimin e Vitit të Shenjtë, Leoni XIV kujton imazhin e syve “të kthjellët” dhe njëkohësisht “të brishtë” të shumë adoleshentëve që kanë mbërritur në Romë, duke theksuar barrën e përbashkët ndaj së ardhmes së tyre, e cila përkon me atë të mbarë botës. Papa shpreh gjithashtu mirënjohjen për çdo vullnetar që i ka shoqëruar shtegtarët në rifillimin e “udhëtimit të jetës”, duke i mbështetur me “fe” dhe “dashuri”.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV priti sot paradite në audiencë, në sallën Pali VI, në Vatikan, të gjitha autoritetet, si edhe përfaqësuesit e institucioneve civile dhe kishtare që kontribuuan në kremtimin e Vitit Jubilar të Shpresës. Në mënyrë të veçantë, Papa shprehu mirënjohjen e tij ndaj qeverisë italiane, forcave të sigurisë dhe të gjitha Dikastereve të Selisë së Shenjtë të përfshira, së bashku me shumë të tjerë në organizimin dhe mbarëvajtjen e Vitit Jubilar.

Këto organizata dhe institucione, shpjegoi Leoni XIV, “ofruan një kontribut shumëdimensional, shpesh të fshehtë, gjithmonë kërkues dhe plot përgjegjësi, falë të cilit më shumë se tridhjetë milionë shtegtarë patën mundësinë të ndërmarrin udhëtimin jubilar në Romë nga vende të ndryshme të botës”.

Shpresa është pjesë e udhëtimit të shtegtarëve

Këto vizita te Dyert e Shenjta dhe te varret e Apostujve ishin përvoja konkrete të një shprese që nuk zhgënjen. Papa Leoni theksoi se Shën Augustini shkruante se “shpresa është e domosdoshme në udhëtimin e shtegtarëve”, dhe se këta vullnetarë ua bënë të mundur vizitorëve të rizbulonin shpresën.

Në veçanti, Ati i Shenjtë vuri në dukje numrin e madh të të rinjve që udhëtuan drejt Qytetit të Përjetshëm, Romës, nga të gjitha anët e botës. Leoni XIV e përshkroi dëshminë e tyre si të bukur, sepse shtegtarët ishin “kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri, e megjithatë të bashkuar dhe të rregullt (edhe falë shërbimit tuaj të çmuar!)”.

“Faleminderit”-i i Papës

Sa shumë mirësi ka në botë. Ju jeni prova se sa shumë mirësi ka në botë!

Lista e falënderimeve të Atit të Shenjtë nis me kryeipeshkvin Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, për t’u shtrirë më pas te Qeveria italiane – në Sallën Pali VI është e pranishme edhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Italisë, Giorgia Meloni – te Bashkia e Romës dhe Rajoni i Lacios. Papa shpreh gjithashtu mirënjohje ndaj forcave të sigurisë, Prefekturës dhe Mbrojtjes Civile, shoqatave të vullnetarëve dhe Agjencisë Jubileu 2000.

Falënderimi përfshin edhe vetë Dikasterin e Vatikanit për Ungjillëzimin – Seksioni për çështjet themelore të ungjillëzimit në botë – së bashku me Dikasteret e tjera dhe organet vatikanase: Xhandarmërinë, Gardën Zvicerane Papnore, Guvernatoratin e Shtet Qytetit të Vatikanit dhe Prefekturën e Shtëpisë Papnore. Për ta plotësuar mozaikun, janë edhe komisionet e ndryshme – baritore, kulturore, të komunikimit, ekumenike, teknike dhe ekonomike –, meshtarët rrëfyes, përfaqësuesit e dioqezave dhe të Konferencave Ipeshkvore, ekspertët e përfshirë në ngjarjet e veçanta dhe pesë mijë “Vullnetarët e Jubileut”, të çdo moshe dhe prejardhjeje.

Të gjithëve ju shpreh mirënjohjen time të përzemërt për gjithçka keni bërë, si në fazat e vështira përgatitore, ashtu edhe gjatë gjithë Vitit Jubilar.

Falë jush, Roma u ka ofruar të gjithëve fytyrën e saj si një shtëpi mikpritëse, si një bashkësi e hapur, e gëzueshme dhe njëkohësisht e përmbajtur e respektuese, duke ndihmuar secilin ta jetojë me fryt këtë moment të madh të fesë.

Takimi me Zotin
Jubileu pati shumë momente të rëndësishme feje e shprese: vizita te varret e Pjetrit dhe Palit, të apostujve të tjerë dhe të martirëve; ecja drejt Portës së Shenjtë; “përvoja e faljes dhe e mëshirës së Hyjit”. Emëruesi i përbashkët ishte takimi “frytdhënës me Zotin Jezus”, përmes të cilit, siç shprehej motoja e Vitit të Shenjtë, u bë e mundur të përjetohej se “shpresa nuk zhgënjen”.

Sepse Ai, Krishti Zot jeton dhe ecën në ne dhe me ne, si në çastet kulmore të jetës ashtu edhe në përditshmërinë e çdo dite, dhe sepse me Të mund të arrijmë te caku.

Domosdoshmëria e shpresës

Në udhën e jetës dhe në shpresat që e mbështesin atë, Leoni XIV i referohet edhe shën Augustinit, për të kujtuar se puna e të gjithëve ka ndihmuar në rifillimin e “udhëtimit të jetës” së shtegtarëve, me “fe të ripërtërirë dhe synime bamirësie”.

Shpresa është e domosdoshme në jetën e shtegtarëve. Udhëtari, në fakt, kur lodhet gjatë rrugës, e duron lodhjen pikërisht sepse shpreson të arrijë në cak. Hiqja shpresën për të mbërritur dhe menjëherë rrëzohen mundësitë për të vazhduar përpara.

Trashëgimia e Jubileut

Mandatin përfundimtar të Jubileut, Leoni XIV e gjen në Bulën e shpalljes së paraardhësit të tij, Papa Françeskut:

Le të lejojmë që qysh tani të na tërheqë shpresa dhe të bëjmë që, përmes nesh, ajo të bëhet ngjitëse për ata që e dëshirojnë. Uroj që jeta jonë të mund t’u thotë atyre: “Shpreso në Zotin, bëhu i fortë! Ji zemërfortë dhe shpreso në Zotin”.

Dhurata e Papës

Urimi përfundimtar i Atit të Shenjtë është që farat e së mirës, të mbjella gjatë vitit 2025, të mund të vazhdojnë të rriten dhe të zhvillohen. Audienca përfundoi me një dhuratë simbolike për të pranishmit: Kryqin e Jubileut, një miniaturë e atij që ka shoqëruar shtegtarët.

Qoftë ky Kryq për ju një kujtim i kësaj përvoje bashkëpunimi. Ju bekoj dhe ju uroj çdo të mirë për vitin e ri.

 

10 janar 2026, 14:29