Papa gjykatës 'Rota Romana': të shkëlqejë shërbimi ndaj së vërtetës në dashuri
R.SH. – Vatikanit
E vërteta, dashuria, drejtësia. E vërteta që duhet ruajtur “me rreptësi, por pa ngurtësi”; dashuria që duhet ushtruar “pa lëshime”; drejtësia, fryt i ekuilibrit të duhur ndërmjet shërbimit ndaj një të vërtete “objektive” dhe “kujdesit” të dashurisë, pa relativizime të rrezikshme apo dhembshuri të keqkuptuara – sidomos në fushën e pavlefshmërisë martesore – dhe gjithmonë duke pasur parasysh horizontin e salus animarum, shpëtimin e shpirtrave, si “ligjin suprem në Kishë”. Në këto tri udhëzime Papa Leoni XIV përmbledh të gjithë veprimtarinë e Gjykatës Apostolik të Rotës Romake: e vërteta, dashuria, drejtësia.
“Shërbimi ndaj së vërtetës në dashuri duhet të ndriçojë të gjithë veprimtarinë e gjykatave kishtare”, tha Ati i Shenjtë Prevost në fjalimin drejtuar rreth 400 prelatëve auditorë të të ashtuquajturës “Sacra Rota”, të pritur sot paradite më 26 janar, në audiencë në Vatikan, me rastin e hapjes së Vitit Gjyqësor.
Duke cituar paraardhësit e tij, nga Piu XII deri te Françesku, Leoni XIV e përqendroi fjalimin në “lidhjen e ngushtë që ekziston ndërmjet së vërtetës së drejtësisë dhe virtytit të dashurisë”.
Jo dy parime të kundërta, por “dy përmasa të bashkuara në mënyrë të brendshme”, siguroi Papa. Pikërisht “tensioni dialektik” ndërmjet kërkesave të së vërtetës objektive dhe kujdesit të dashurisë del shpesh në pah në ushtrimin gjyqësor; madje, nganjëherë – vëren Papa – rrezikohet edhe “një identifikim i tepruar me rrethanat, shpesh të mundimshme, të besimtarëve”. Kujdes, paralajmëron Ati i Shenjtë, sepse kjo mund të “çojë në një relativizim të rrezikshëm të së vërtetës”.
Një dhembshuri e keqkuptuar, edhe pse duket e nxitur nga zelli baritor, rrezikon të errësojë përmasën e domosdoshme të verifikimit të së vërtetës që i përket detyrës gjyqësore.
Kjo ndodh dhe mund të ndodhë në çështjet e pavlefshmërisë martesore, ku – vëren Papa Leoni – mund të arrihet në “vendime me shije baritore, por pa një themel të fortë objektiv”, si edhe në çdo lloj procedure tjetër, duke cenuar rreptësinë dhe barazinë e drejtësisë.
Në këtë drejtim, Papa rekomandon që të gjykohet “me shumë kujdes” natyra “në dukje e qartë” e shkakut të pavlefshmërisë martesore që e bën të mundur këtë lloj procesi. Procedura, thekson Leoni XIV, duhet të “zbatohet siç duhet për të konfirmuar ekzistencën e pavlefshmërisë martesore ose për të përcaktuar nevojën për t’iu drejtuar procesit të zakonshëm”.
Është thelbësore që të vazhdohet studimi dhe zbatimi i së drejtës martesore kanonike me seriozitet shkencor dhe besnikëri ndaj Magjisterit të Kishës.
Po aq e rëndësishme – vëren Papa – është të mos kufizohemi në “një pohim të ftohtë dhe të shkëputur të së vërtetës, që nuk merr parasysh gjithçka që kërkon dashuria ndaj personave, duke lënë pas dore ato kujdesje të diktuara nga respekti dhe mëshira, të cilat duhet të jenë të pranishme në të gjitha fazat e një procesi”. “Veritatem facientes in caritate” (Të bësh të vërtetën me dashuri), është udhëzimi i Leonit XIV. Në praktikë kjo do të thotë jo vetëm “t’iu përshtatesh një të vërtete spekulative”, por “ta bësh të vërtetën”; “një të vërtetë që duhet të ndriçojë çdo veprim” dhe që duhet përmbushur “në dashuri”, e cila është “motori i madh” i një drejtësie të vërtetë.
E vërteta duhet kërkuar, gjetur dhe shprehur në “përmasën” e dashurisë, por dashuria nga ana e saj duhet kuptuar, vlerësuar dhe praktikuar në dritën e së vërtetës.
Qëllimi është gjithmonë salus animarum. Kështu që “shërbimi ndaj së vërtetës së drejtësisë” të bëhet “kontribut dashurie për shpëtimin e shpirtrave”. Brenda kësaj kornize vendosen të gjitha aspektet e proceseve kanonike. Para së gjithash – pohon Papa – “veprimi i protagonistëve të ndryshëm të procesit” duhet të udhëhiqet nga “dëshira konkrete” për të ndriçuar vendimin e drejtë, me “ndershmëri të rreptë intelektuale”, “kompetencë teknike” dhe “ndërgjegje të drejtë”.
Qëllimi që i bashkon të gjithë operatorët e proceseve gjyqësore, secilin në besnikëri ndaj rolit të vet, është kërkimi i së vërtetës, i cili nuk reduktohet në përmbushje profesionale, por duhet kuptuar si shprehje e drejtpërdrejtë e përgjegjësisë morale.
Duhet “të shkohet përtej kërkesave të drejtësisë së thjeshtë, për t’i shërbyer sa më shumë që të jetë e mundur të mirës së gjithanshme të personave, pa shtrembëruar funksionin e vet, por duke e ushtruar atë me ndjenjë të plotë kishtare”, nxit më tej Papa Leoni. Ai shpreson që “shërbimi ndaj së vërtetës në dashuri” i gjykatave kishtare të vlerësohet “nga ata që kërkojnë gjykimin për bashkimin e tyre martesor”, por edhe “nga ai që akuzohet se ka kryer një krim kanonik, nga ai që e konsideron veten viktimë të një padrejtësie të rëndë, nga ai që pretendon një të drejtë”.
Proceset kanonike duhet të frymëzojnë atë besim që buron nga serioziteti profesional, nga puna intensive dhe e kujdesshme, nga përkushtimi i bindur ndaj asaj që mund dhe duhet të perceptohet si një thirrje e vërtetë profesionale.
Papa Leoni XIV kërkon gjithashtu edhe “një ushtrim të drejtë dhe në kohë të funksioneve procedurale”, sepse “është një rrugëtim që ndikon mbi ndërgjegjet dhe jetët”. “Të gjithë operatorët e drejtësisë duhet të veprojnë sipas një deontologjie, e cila duhet studiuar dhe praktikuar me kujdes”. Në këtë kuptim, “një stil i frymëzuar nga deontologjia” duhet të përshkojë punën e avokatëve kur “ndihmojnë besimtarët në mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke mbrojtur interesat e palës pa e tejkaluar kurrë atë që në ndërgjegje konsiderohet e drejtë dhe në përputhje me ligjin”.
Promotorët e drejtësisë dhe mbrojtësit e lidhjes janë shtylla të administrimit të drejtësisë, të thirrur nga misioni i tyre për të mbrojtur të mirën publike. Një qasje thjesht burokratike në një rol kaq të rëndësishëm do të sillte një dëm të dukshëm në kërkimin e së vërtetës.
Një fjalë nga Papa edhe për gjyqtarët, “të thirrur në përgjegjësinë e rëndë për të përcaktuar të drejtën, që është e vërteta”: “Drejtësia dhe paqja synojnë të mirën e secilit dhe të të gjithëve; për këtë arsye ato kërkojnë rend dhe të vërtetë. Kur njëra kërcënohet, të dyja lëkunden; kur fyhet drejtësia, vihet në rrezik edhe paqja”. Në këtë kuptim, gjyqtari bëhet “veprimtar i paqes” që kontribuon në “forcimin e unitetit të Kishës”.
Së fundi, një përmendje për temën e kontradiktoritetit në procesin gjyqësor, i cili në vetvete nuk është “një tension mes interesave kundërshtare”, por “mjet i domosdoshëm” për të dalluar të vërtetën dhe drejtësinë në një rast. Kontradiktoriteti “është një metodë dialoguese për verifikimin e së vërtetës”.
Përvoja juridike e fituar dëshmon rolin e pazëvendësueshëm të kontradiktoritetit dhe rëndësinë vendimtare të fazës hetimore.
Gjyqtari, duke ruajtur “pavarësinë” dhe “paanshmërinë”, duhet të “zgjidhë çështjen sipas elementeve dhe argumenteve të dala në proces”.
Mosrespektimi i këtyre parimeve themelore të drejtësisë – dhe favorizimi i një pabarazie të pajustifikuar në trajtimin e situatave të ngjashme – përbën një cenim të rëndë të profilit juridik të bashkimit kishtar.
