Kërko

Papa Leo XIV në Sallën e Sinodit për punimet e Koncistorit të Jashtëzakonshëm Papa Leo XIV në Sallën e Sinodit për punimet e Koncistorit të Jashtëzakonshëm

Papa hap Koncistorin: “Jam këtu për të dëgjuar. Le të mësojmë të punojmë së bashku”

Fjalimi i Papës hap punimet e mbledhjes në Vatikan me anëtarët e Kolegjit Kardinalor. Leoni XIV tregon sinodalitetin si “rrugën që Zoti i kërkon Kishës së mijëvjeçarit të tretë” dhe fton në unitetin që “tërheq”, ndërsa “ndarja shpërndan”. “Nga mënyra se si mësojmë të punojmë së bashku, mund të fillojë diçka e re, që vë në lojë të tashmen dhe të ardhmen”.

R.SH. - Vatikani

“Jam këtu për të dëgjuar”. Papa Leoni hap Koncistorin e jashtëzakonshëm të thirrur prej tij në Vatikan për sot, 7 janar, dhe nesër, e enjte 8 janar, dhe tregon si metodologji të punimeve atë të mësuar gjatë dy asambleve të Sinodit të Ipeshkvijve (më 2023 dhe 2024), domethënë dëgjimin.

“Nuk duhet të arrijmë në një tekst, por të çojmë përpara një bashkëbisedim që më ndihmon në shërbimin tim për misionin e mbarë Kishës”, pohon Papa Leoni XIV në fjalimin e tij të hapjes së takimin në Sallën e Sinodit, në Vatikan, ku është mbledhur pjesa më e madhe e anëtarëve të Kolegjit Kardinalor.

“Çdo moment i këtij lloji është një mundësi për të thelluar vlerësimin tonë të përbashkët për sinodalitetin”, nënvizon Papa.

Rrugëtimi i sinodalitetit është udha që Zoti pret nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë.

Një parashikim i rrugëtimit të ardhshëm

“Kjo ditë e gjysmë që do të kalojmë së bashku do të jetë një parashikim i rrugëtimit tonë të ardhshëm”, vëren Ati i Shenjtë. “Edhe nga mënyra se si mësojmë të punojmë së bashku, me vëllazëri dhe miqësi të sinqertë, mund të fillojë diçka e re, që vë në lojë të tashmen dhe të ardhmen”.

Papa Leoni XIV u rikonfirmon kardinalëve natyrën dhe objektivat e këtij takimi të rëndësishëm: “Një moment bashkësie dhe vëllazërie, reflektimi dhe bashkëndarjeje, që ka si synim për të mbështetur dhe këshilluar Papën në përgjegjësinë e rëndë të qeverisjes së Kishës universale”.

Misioni, Praedicate Evangelium, Sinodi, liturgjia

Katër janë temat mbi të cilat do të shtjellohet reflektimi i përbashkët. Para së gjithash, Evangelii Gaudium, nxitja apostolike që shërbeu si "udhërrëfyes" i papnisë së Françeskut dhe, rrjedhimisht – shpjegon Leoni – i “misionit të Kishës në botën e sotme”. Pastaj kushtetuta apostolike Praedicate Evangelium, domethënë “shërbimi i Selisë së Shenjtë, veçanërisht ndaj Kishave lokale”. Më tej, tematikat mbi “Sinodin dhe sinodalitetin, si mjet dhe stil bashkëpunimi” dhe “liturgjia, burim dhe kulm i jetës së krishterë”.

Për arsye kohe dhe për të nxitur një thellim real, vetëm dy nga këto tema do të jenë objekt i një trajtimi specifik. Kardinalët, të ndarë në 20 grupe, do të kontribuojnë në zgjedhjen e tematikave, por – shpjegon Papa – “pasi për mua është më e lehtë të kërkoj këshillë nga ata që punojnë në Kurie dhe jetojnë në Romë, grupet që do të raportojnë do të jenë 9 prej tyre që vijnë nga Kishat vendore”.

Temat e zgjedhura do të thellohen duke u nisur nga një pyetje-udhëzuese:

Duke parë rrugëtimin e një ose dy viteve të ardhshme, cilat vëmendje dhe prioritete mund të orientojnë veprimin e Atit të Shenjtë dhe të Kuries Romake mbi këtë çështje?

“Non multa sed multum!”

Mënyrën e procedimit në Koncistor e sqaron vetë Papa është: “Të dëgjojmë mendjen, zemrën dhe shpirtin e secilit; të dëgjojmë njëri-tjetrin; të shprehim vetëm pikën kryesore dhe në mënyrë shumë të shkurtër, ashtu që të gjithë të mund të flasin”.

“Non multa sed multum!” (Jo shumë gjëra, por shumë cilësi!), thotë Ati i Shenjtë, duke cituar romakët e lashtë. Dhe nënvizon se “në të ardhmen, ky stil i dëgjimit të ndërsjellë, duke kërkuar udhëheqjen e Shpirtit Shenjt dhe duke ecur së bashku, do të vazhdojë të jetë ndihmë e madhe për shërbesën pjetrine që më është besuar”.

Mësimi i Lumen Gentium

Leoni XIV mbështetet më pas te Lumen Gentium, kushtetuta e Koncilit II të Vatikanit, për të rikonfirmuar “vështrimin” drejt dritës së Zotit, e cila “i mundëson të gjithë popujt të ecin mes errësirës së botës”. Një vështrim që gjeti shprehje në papninë e Shën Palit VI dhe të Shën Gjon Palit II, e po kështu që edhe Benedikti XVI e Françesku e morën dhe e rijetësuan, duke e përmbledhur në një fjalë: tërheqje.

Forca e tërheqjes

Papa Benedikti, kujton Leoni XIV, e bëri këtë në homelinë e hapjes së Konferencës së Apareçidës (2007), kur shqiptoi fjalinë e njohur: “Kisha nuk bën prozelitizëm. Ajo zhvillohet më tepër përmes tërheqjes”. Papa Françesku u deklarua “plotësisht dakord” me këtë parim dhe e ka përsëritur disa herë në kontekste të ndryshme. Edhe Leoni XIV tani e rimerr dhe e bashkëndan me kardinalët, duke shpjeguar – i frymëzuar përsëri nga Benedikti XVI – se “forca” që udhëheq këtë lëvizje tërheqjeje është Charis, Agape, Dashuria e Zotit e mishëruar në Krishtin dhe e dhuruar Kishës.

Në fakt, nuk është Kisha ajo që tërheq, por Krishti; dhe nëse një i krishterë apo një bashkësi kishtare tërheq, kjo ndodh sepse përmes atij ‘kanali’ mbërrin lëngu jetësor i Dashurisë (Caritas) që buron nga Zemra e Shpëtimtarit Jezus.

Në këtë kuptim, është domethënës fakti që Papa Françesku e nisi papninë e tij me Evangelii Gaudium “mbi kumtimin e Ungjillit në botën e sotme” dhe e përfundoi atë me Dilexit Nos “mbi dashurinë hyjnore dhe njerëzore të Zemrës së Krishtit”.

Modeli i kolegjialitetit

“Uniteti tërheq, ndarja shpërndan”, vë në dukje Papa Leoni XIV, “më duket se këtë e vërteton edhe fizika, si në mikro ashtu edhe në makrokozmos”. Prandaj, “për të qenë një Kishë vërtet misionare, domethënë e aftë për të dëshmuar forcën tërheqëse të dashurisë së Krishtit, duhet para së gjithash të zbatojmë në praktikë urdhrin e Tij”: “Sikurse unë ju kam dashur ju, ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin”.

Kjo është, pra, për Papa Leonin XIV, pika e nisjes për këtë Koncistor të parë dhe për rrugëtimin kolegjial që duhet kryer. “Ne jemi një grup shumë i larmishëm, i pasuruar nga prejardhje, kultura, tradita kishtare dhe shoqërore të shumta, rrugëtime formuese dhe akademike, përvoja baritore dhe, natyrisht, karaktere dhe tipare personale”, nënvizon Ati i Shenjtë Prevost. “Jemi të thirrur para së gjithash të njihemi dhe të dialogojmë, që të mund të punojmë së bashku në shërbim të Kishës”.

Shpresoj që të mund të rritemi në bashkësi (njësim) për të ofruar një model kolegjialiteti.



07 janar 2026, 21:29