Leoni XIV: të shpallet zanati i paqes, jo “industria e luftës”
R.Sh. Vatikan
Duke folur nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, në lutjen e Engjëllit të Tenzot, sot në ditën e Dëftimit të Zotit, Papa Leoni XIV na nxiti të angazhohemi për vëllazëri dhe harmoni midis popujve. Thirrja e Jubileut 2025, që u mbyll sot, për «drejtësi të themeluar te bujaria», e cila çon «në organizimin e ri të bashkëjetesës, në shpërndarjen e drejtë të tokës dhe burimeve», duhet të na frymëzojë që t’ua dhurojmë të tjerëve veten tonë dhe të bëjmë vend për Krishtin.» Kështu u shpreh Ati i Shenjtë, Leoni XIV në katekizmin e tij para lutjes kushtuar Virgjërës Mari. Ky është mësimi që na japin Tre mbretërit, sikurse na tregon Ungjilli i Mateut. Këta të tre u nisën nga Lindja dhe rrezikuan jetën e tyre për t’u përkulur me nderim para Foshnjes hyjnore të lindur në Betlehem, duke i dhuruar ar, kem dhe mirrë.
Shpresa që shpallim duhet të jetë e vërtetë. Ajo zbret nga qielli por për të lindur, këtu mes nesh, një histori të re. Te dhuratat e Tre mbretërve, pra, shohim se çfarë mund të japë secili prej nesh, çfarë nuk mund ta mbajmë më për vete, por ta ndajmë, në mënyrë që Jezusi të rritet në mesin tonë. U rrittë Mbretëria e Tij! U realizofshin te ne fjalët e Tij! U bëfshin vëllezër dhe motra të huajt dhe kundërshtarët tanë! Pabarazia u zëvendësoftë nga barazia. Në vend të industrisë së luftës, u forcoftë mjeshtria e paqes!
Endësit e Shpresës
Grishja e Papës, që bota të ndryshojë, është të bëhemi «endës shprese» dhe të nisemi kah e «ardhmja» nëpër një rrugë tjetër.
Të jemi të hapur dhe të qëndrojmë së bashku
Në katekizmin e tij të shkurtër, Papa Leoni sqaroi kuptimin e Epifanisë, pra, të Dëftimit të Zotit, duke shpjeguar se Zoti u shfaq në Jezusin «me qartësi të padiskutueshme». «Jeta e Hyjit u zbulua», dhe kështu njerëzit e dinë se «edhe mes shumë mundimeve» është e mundur «të shpresojmë», sepse «Zoti shpëton. Ai nuk ka qëllime të tjera». »Vetëm ajo që çliron është epifani e Hyjit", sqaroi Papa, duke na ftuar më pas të reflektojmë rreth vizitës së Tre mbretërve para Jezusit.
Të gjunjëzohesh, sikurse vepruan Tre mbretërit para Foshnjës së Betlehemit, do të thotë edhe për ne të tregojmë se kemi gjetur njerëzimin e vërtetë, tek i cili shkëlqen lavdia e Zotit. Tek Jezusi u shfaq jeta e vërtetë, njeriu i gjallë, domethënë ai që nuk ekziston për veten, por është i hapur dhe në bashkim me të tjetër. Është ajo çka na bën të themi: «si në tokë, ashtu edhe në qiell.»
Me një fjalë, Jezusi tregon se «jeta hyjnore është brenda mundësive tona» dhe «shpaloset me dinamizmin e saj çlirues, e cila e shuan frikën dhe na bashkon në paqe».
T’ua dhurojmë veten të tjerëve
Duke u ndalur pastaj te dhuratat që sjellin Tre mbretërit për Jezusin Foshnje, ari, kemi dhe mirra – «dhurata të çmuara» që nuk duken «të dobishme për një foshnje» – Papa Leoni na ftoi të vërejmë këtu një kuptim më të thellë.
Kush jep gjithçka, jep shumë.
Një shembull është «vejusha e varfër e cila i bie në sy Jezusit, ngaqë kishte hedhur monedhat e saj të fundit – gjithçka që kishte – në visarin e Tempullit». Përsa i përket Tre mbretërve, është «kthimi i tyre, rrezikimi i tyre, vetë dhuratat e tyre», që na sjell në kujtesë «se gjithçka, përnjëmend, gjithçka që jemi dhe zotërojmë, duhet t'i dhurohet Jezusit, si një visar i paçmueshëm».
Urimet më të mira për Kishat Lindore
Pas lutjes së Engjëllit të Tenzot, Leoni XIV kujtoi se sot në Itali është Dita Misionare e Fëmijëve, kremtuar nga Kishat e secilit vend, në të gjithë botën, në data të ndryshme.
Në mbyllje, pastaj, Ati i Shenjtë u shprehu urimet më të mira bashkësive Lindore që festojnë Krishtlindjen më 7 janar, sipas kalendarit julian.