Kërko

Leoni XIV pagëzon 20 fëmijë: "Feja, e mirë themelore për të jetuar"

Papa kremtoi Meshën në Kapelën Sikstine për Festën e Pagëzimit të Zotit dhe u dha sakramentin 12 djemve e 8 vajzave, bij të punonjësve të Vatikanit. Në predikim kujtoi se do të vijë dita kur të vegjlit "do të bëhen të rëndë për t'u mbajtur në krahë" dhe kur "do të jenë ata, që do t'i mbajnë prindërit”. "Pagëzimi na bashkon në familjen e vetme të Kishës", shtoi Papa, dhe i siguroi prindërit: "Zoti do t'i shoqërojë gjithmonë hapat tuaj".

R.SH. / Vatikan

Bëlbëzimet e më të rriturve, të qarat e të porsalindurve dhe disa "ma-ma" dhe "uuuééé" janë notat muzikore për MeshënPapa Leoni XIV e kremtoi sot në mëngjes, 11 janar, në Kapelën Sikstine për Festën e Pagëzimit të Jezusit. Rast në të cilin, siç është traditë e nisur në vitet 1980 nga Shën Gjon Pali II, Papa pagëzon fëmijët e punonjësve të Vatikanit. Këtë vit, ka njëzet prej tyre nën kryeveprat e Michelangelo-s, e në krahët e nënave dhe të baballarëve, që i tundin, i argëtojnë me biberona, ose i habisin duke u treguar afresket madhështore mbi kokat e tyre.

20 të pagëzuarit

Dymbëdhjetë djem dhe tetë vajza morën Sakramentin e Pagëzimit nga duart e Papës Leoni: Matilde Maria Agata; Federico; Caterina Inti; Cristopher Francesco; Chiara; Damiano; Marcello; Flavio; Viola; Giuseppe Mattia; Simona; Beatrice; Davide Maria Beatrice; Niccolò; Mattia; Leonardo; Matteo; Vittoria; Mattia.

Sot, "u shndërruan në krijesa të reja", thotë Papa në homelinë e shkurtër gjatë kremtimit, shoqëruar nga këngët e Schola Cantorum e duke nisur me formulat e kërkuara nga riti: "Çfarë emri po u vini fëmijëve tuaj? Çfarë kërkoni për ta? A jeni të vetëdijshëm për përgjegjësinë tuaj?". "Fëmijë të dashur, Kisha e Zotit ju mirëpret me gëzim të madh", pohon Papa, pas përgjigjeve të prindërve dhe kumbarëve. Pastaj vë shenjën e kryqit në ballin e secilit prej të vegjëlve, duke luajtur me disa prej tyre, duke i përkëdhelur ose duke ua cikur butësisht duart e njoma.

"Nëse ushqimi dhe veshja janë të nevojshme, feja është më se e nevojshme"

Leximi i parë është marrë nga libri i Izaisë profet; i dyti, nga Veprat e Apostujve; Ungjilli, ai i Mateut, rrëfen Pagëzimin e Jezusit në brigjet e lumit Jordan. Leoni XIV frymëzohet nga ky i fundit për të theksuar, në reflektimin e tij, se "kur Zoti hyn në histori, takon jetën e çdo njeriu me  zemër të hapur dhe të përulur". Biri i Zotit "përuron një epokë të re". Dhe e njëjta gjë ndodh sot me këta njëzet kandidatë për pagëzim: "Meqë Zoti i do, bëhen të krishterë, vëllezërit dhe motrat tona".

"Ashtu siç morën jetën nga ju, prindërit e tyre", shtoi Papa, duke iu drejtuar nënave dhe baballarëve, "kështu tani marrin kuptimin për ta jetuar atë: fenë. Kur e dimë se një e mirë është themelore, ne menjëherë e kërkojmë për ata, që i duam. Kush prej nesh do t'i linte të porsalindurit pa rroba a pa ushqim, duke pritur që ata të zgjedhin se si do të vishen dhe çka do të hanë kur të rriten?"- pyeti Papa Leoni. “Nëse ushqimi dhe veshja janë të nevojshme për jetën, feja është më se e nevojshme, sepse me Zotin, jeta gjen shëlbimin”.

Dashuria e Zotit nëpërmjet prindërve

Dashuria e Zotit, prandaj, “manifestohet në tokë” nëpërmjet prindërve që kërkojnë “fenë” për fëmijët e tyre. “Sigurisht”, vërejti Leoni XIV, “do të vijë dita kur ata të bëhen të rëndë për t’u mbajtur në krahët tuaj; do të vijë edhe  dita kur do të jenë ata që do t’ju​​mbështesin. Pagëzimi, i cili na bashkon në një familje të vetme të Kishës, uroi, i shenjtëroftë të gjitha familjet tuaja në çdo kohë, duke i dhënë forcë dhe qëndrueshmëri dashurisë që ju bashkon”.

Shenjat e Liturgjisë

Në fund të predikimit, Papa numroi gjestet që karakterizojnë liturgjinë pagëzimore: “Dëshmi tejet të bukura”. Uji i burimit, larje që “pastron nga çdo mëkat”; petku i bardhë, “petku i ri, që Zoti Atë ua jep për kremtimin e përjetshëm të Mbretërisë së tij”; qiriu, i ndezur nga qiriu i Pashkëve, simbol i "dritës së Krishtit të Ngjallur, që ndriçon rrugën tonë". Papa shpreson që ky udhëtim të vazhdojë "me gëzim" gjatë gjithë vitit që sapo ka filluar dhe "gjatë gjithë jetës", gjithmonë me sigurinë "se Zoti do t'i shoqërojë përherë në hapat e tyre".

Mesha vazhdoi me lutjet e besimtarëve - lutje për Papën dhe ipeshkvijtë, për të sapopagëzuarit, udhëheqësit e qeverisë, familjet, për të gjithë fëmijët, për mëkatarët dhe të dhunshmit, e edhe për vuajtjet e ankthet – si dhe me litanitë e shenjtorëve. Dy bashkëkremtuesit, Imzot Filippo Iannone, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë, dhe Imzot Vittorio Viola, Sekretar i Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, e lyen kraharorin e çdo të porsalinduri me vajin e shenjtëruar.

Riti i Pagëzimit

Një nga një, sipas radhës, çdo familje shkon te gurra e pagëzimit ku Papa Leoni spërkatë ujë të shenjtë mbi kokat e ferishteve që pagëzohen: "Zot... ti i thërret të pagëzuarit të shpallin me gëzim Ungjillin e Krishtit në mbarë botën. E tani bekoje këtë ujë për Pagëzimin e fëmijëve, të cilët i zgjodhe dhe i thirre në lindje të re në fenë e Kishës, që ata të kenë jetën e amshuar". Papa buzëqesh përballë protestave të porsalindurve ose brohoret "bravo", "brava", kur nuk ankohen.

Fëmijëve u dorëzohet petku i bardhë, simbol i "rilindjes" për krijesat e reja, për të cilat foli Papa; çdo atë ndez një qiri nga qiriu i Pashkëve.

Përshëndetja e prindërve

Në fund të ritit, në Kapelën Sikstine nisën buzëqeshjet e prindërve dhe të afërmve, madje edhe të disa prej atyre, që u pagëzuan vetë, veçanërisht kur, në fund, Papa - duke kënduar nën zë këngën tradicionale Adeste Fideles - përshëndeti personalisht secilën familje. Shtrëngime duarsh, edhe një herë përkëdhelje e bekime mbi kokat e të vegjëlve. Familjeve, edhe një dhuratë nga Papa.

11 janar 2026, 14:06

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >