Leoni XIV: një skandal në Kishë kur viktimat e abuzimeve nuk mirëpriten
R.SH. - Vatikan
Nuk ishte një temë specifike e Koncistorit të jashtëzakonshëm, të zhvilluar më 7 dhe 8 janar në Vatikan, e megjithatë Papa, përpara rreth 170 kardinalëve (zgjedhës dhe jo), të ardhur nga çdo kontinent, deshi të përmendte një problem që “ende sot është me të vërtetë një plagë në jetën e Kishës në shumë vende”, që është “kriza” e gjeneruar nga abuzimet seksuale. Një temë kjo e denoncuar vazhdimisht nga Papa amerikan gjatë këtyre muajve të papnisë. Edhe në Koncistor – i përqendruar tërësisht në tematikat e sinodalitetit dhe misionit, të votuara me shumicë nga kardinalët – Leoni XIV nuk deshi të linte pa përmendur këtë plagë të Kishës. Ai e bëri këtë në fjalimin përmbyllës të dy ditëve të punës, teksti i plotë i të cilit u publikua sot, më 10 janar.
“Vetë abuzimi shkakton një plagë të thellë që ndoshta zgjat gjithë jetën; por shumë herë skandali në Kishë ka ndodhur sepse dera është mbyllur dhe viktimat nuk janë pritur, nuk janë shoqëruar me afërsinë e barinjve të vërtetë”, ka pohuar Papa në ndërhyrjen e tij në Sallën Pali VI gjatë Koncistorit të 7 e 8 janarit. Denoncimin e Papës e vërteton edhe dëshmia e një viktime, me të cilën Ati i Shenjtë ka pasur mundësinë të flasë kohët e fundit: “Më tha se, për të, gjëja më e dhimbshme ishte pikërisht fakti që asnjë ipeshkëv nuk donte ta dëgjonte. Dhe kështu, edhe këtu: dëgjimi është thellësisht i rëndësishëm”, ka theksuar Papa Leoni.
Takimet e ardhshme
Dëgjimi, një temë e dashur për Papën, është një domosdoshmëri edhe në marrëdhënien ndërmjet Pasardhësit të Pjetrit dhe Kolegjit të Kardinalëve. Për këtë arsye, Leoni XIV u ka kërkuar kardinalëve të vazhdojnë udhën e Koncistorit, në mënyrë që të thellohet njohja e ndërsjellë, të forcohet dialogu dhe të zbatohet më tej sinodaliteti. Ai ka njoftuar kështu se dëshiron të “vazhdojë takimet” edhe në të ardhmen, “por ndoshta për më shumë ditë, një herë në vit: tre ose katër ditë, siç kanë sugjeruar disa grupe. Një ditë e parë reflektimi, lutjeje dhe takimi, pastaj dy ose tre ditë pune”.
Ndërkohë, për këtë vit, Papa ka caktuar një takim në fund të qershorit për një Koncistor të dytë, duke hamendësuar një datë pranë Solemnitetit të Shën Pjetrit dhe Palit. “Do të doja të sugjeroja që, për këtë vit, ta bëjmë edhe një herë për dy ditë”, ka thënë Ati i Shenjtë, duke inkurajuar gjithashtu kardinalët që “kanë vështirësi për shkak të burimeve ekonomike” të kërkojnë ndihmë: “Flisni. Dhe mendoj se edhe unë, edhe ne, mund të shprehim pak solidaritet mes nesh, dhe do të ketë mënyra, me njerëz bujarë që do të ndihmojnë për këte”.
Dërgimi me shkrim i propozimeve dhe vlerësimeve
“Ballafaqimi është i destinuar të vazhdojë”, ka siguruar Papa. Në këtë kuadër, Ati i Shenjtë u ka kërkuar kardinalëve të “dërgojnë me shkrim” vlerësimet e tyre mbi katër temat e propozuara – përveç sinodalitetit dhe misionaritetit, edhe liturgjia dhe Kushtetuta Praedicate Evangelium – si edhe vlerësime mbi Koncistorin “në tërësinë e tij” dhe mbi “marrëdhënien e kardinalëve me Atin e Shenjtë dhe me Kurien Romake”. “Edhe unë – ka premtuar Leoni XIV – do t’i lexoj me qetësi raportet dhe mesazhet personale dhe më pas, më vonë, do t’ju jap një feedback, një përgjigje dhe do të vazhdoj dialogun”.
Mirënjohës ndaj të pranishmëve dhe pranë të munguarve
Në ndërhyrjen e tij përmbyllëse, Papa ka bërë një vlerësim pozitiv të kësaj përvoje të parë të kolegjialitetit që, siç ka theksuar, “është ngushtësisht e lidhur me atë që kemi përjetuar në Konklav”, para të cilit, gjatë kongregacioneve të përgjithshme, shumë prej kardinalëve kishin shprehur “dëshirën për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të dhënë kontributin dhe mbështetjen tuaj”. Koncistori 7 e 8 janarit përfaqësoi kështu “një moment të privilegjuar për të shprehur misionin e Kishës dhe për ta bërë këtë së bashku, në bashkim”. Papa Leoni u shpreh “thellësisht mirënjohës” për praninë dhe pjesëmarrjen e kardinalëve, “të gjithë të orientuar për të më mbështetur shërbimin tim si Pasardhës i Pjetrit”. Në veçanti, Ati i Shenjtë Prevost shprehu falënderim për më të moshuarit që bënë përpjekjen për të ardhur: “Dëshmia e tyre është vërtet e çmuar”. Njëkohësisht, ai shprehu afërsinë e tij me kardinalët nga pjesë të ndryshme të botës që nuk mundën të vinin, për arsye të ndryshme: “Jemi me ju dhe ju ndiejmë pranë!”. “Personalisht – shtoi Papa – kam ndier një bashkim dhe harmoni të thellë me të gjithë ju dhe mes shumë ndërhyrjeve”.
Rëndësia e formimit
Duke u ndalur te nxitjet që dolën gjatë punimeve të Koncistorit, veçanërisht ato të 20 grupeve të ndara sipas gjuhës, Papa Leoni vuri në dukje çështjen e rëndësisë së formimit. “Formimi i të gjithëve” – në seminare, i meshtarëve, i ipeshkvijve, i laikëve bashkëpunëtorë – duhet “të jetë i rrënjosur në jetën e përditshme dhe konkrete të Kishës vendore, të famullive kishtare dhe të shumë vendeve të tjera domethënëse ku njerëzit takohen, veçanërisht ata që vuajnë”. Është e vështirë që në pak kohë të hyhet thellë në një temë të tillë; prandaj është e nevojshme që puna e zakonshme të jetë “rast formimi dhe rritjeje për ata me të cilët punojmë, në të gjitha nivelet, nga ai famullitar deri te Kuria Romake”. Një shembull janë vizitat baritore dhe të gjitha organet e pjesëmarrjes “që duhen rigjallëruar”.
