Leoni XIV: Koncistori është një bashkësi feje, jo një ekip ekspertësh
R.SH. - Vatikan
“Nuk jemi këtu për të promovuar ‘agjenda’ – personale apo grupore –, por për t’ia besuar projektet dhe frymëzimet tona shoshitjes së një dallimi që na tejkalon ‘aq sa qielli lartësohet mbi tokën’ dhe që mund të vijë vetëm nga Zoti”.
Këto janë fjalët e shqiptuara nga Papa Leoni XIV sot në mëngjes, të enjten e 8 janarit, në Altarin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë Meshës së bashkëkremtuar nga 155 kardinalë të mbledhur në Koncistorin e jashtëzakonshëm. I pranishëm ishte edhe kardinali shqiptar Ernest Simoni, meshtar i kryedioqezës Shkodër-Pult (Shqipëri). Pranë Altarit të Bazilikës së Vatikanit qëndron shtatorja prej druri e "Zojës së Shpresës", e nderuar në famullinë e Shën Markut Ungjilltar në Castellabate, Itali: ishte parashikuar të qëndronte deri në Epifani, por u vendos që të mbetet në Bazilikë gjatë gjithë Koncistorit.
Papa mori fjalën, nxiti dashurinë e ndërsjellë, veçanërisht në një "moment hiri që shpreh unitetin tonë në shërbim të Kishës", përkatësisht Koncistori - i pari i papnisë së tij - i cili u hap dje pasdite në Sallën e Sinodit, në Vatikan, dhe puna e të cilit do të përfundojë sot në orën 19:00. Dy ditë lutjeje, bashkëndarjeje dhe reflektimi, nën flamurin e vëllazërisë dhe bashkimit, për anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve të pranishëm.
Të ndalemi për të shoshitur çfarë kërkon Hyji
Homelia e Papës nis me një vëzhgim etimologjik mbi fjalën latine “consistorium” (asamble), parë në dritën e foljes “consistere”, që do të thotë “të ndalesh”. “Në fakt, të gjithë ne jemi ‘ndalur’ për të qenë këtu”, reflektoi Ati i Shenjtë, duke pezulluar aktivitetet për t’u gjendur bashkë për të shoshitur atë që Zoti kërkon për të mirën e Popullit të Tij. Një gjest që në vetvete është “shumë domethënës, profetik, veçanërisht në kontekstin e shoqërisë frenetike ku jetojmë”.
Ai kujton, në fakt, rëndësinë, në çdo rrugëtim të jetës, të ndalemi për t'u lutur, për të dëgjuar, reflektuar dhe kështu të kthehemi për të fokusuar gjithmonë më mirë vështrimin te qëllimi e caku, duke e orijentuar drejt tij çdo përpjekje dhe burim, për të mos rrezikuar të vrapojmë verbërisht ose të rrahim ajrin kot, siç paralajmëron Pali apostull (krh 1 Kor. 9, 26).
Të mbledhur si bashkësi feje për të dëgjuar zërin e Zotit
Ftesa, pra, është që çdo “dëshirë dhe mendim të vihet mbi Altar”, që ato të kthehen të “pastruara, të ndriçuara dhe të shndërruara” në një “Bukë të vetme”. Vetëm kështu, shpjegon Leoni XIV, “do të dimë të dëgjojmë vërtet zërin e Tij”.
Kolegji ynë, ndonëse i pasur me shumë kompetenca dhe dhunti të shquara, nuk është i thirrur të jetë, në radhë të parë, një ekip ekspertësh, por një bashkësi feje në të cilën dhuratat që sjell secili, ofruar Zotit dhe rikthyer prej Tij, të prodhojnë, sipas Provanisë së Tij hyjnore, frytin maksimal.
Maturi dhe guxim
Për më tepër, vëren Papa, Dashuria e Zotit “dishepuj dhe apostuj të së cilës jemi” është “trinitare”, “relacionale”, burim i një “spiritualiteti të bashkimit”. Ja pra “ndalja” është, vijon Ati i Shenjtë, para së gjithash “një akt i madh dashurie” – ndaj Zotit, ndaj Kishës dhe ndaj burrave e grave të mbarë botës –, me të cilen duhet ta lëmë veten të “formësohemi” nga Shpirti: “në lutje dhe në heshtje” para së gjithash, por, më pas, edhe në “të shikuarit e njëri-tjetrit në fytyrë, në dëgjimin e ndërsjellë dhe në t’u bërit zë të njëri-tjetrit”, përmes bashkëndarjes, me të tjerët, të gjithë ata që, në viset më të ndryshme të botës, i janë besuar “kujdesit tonë si Barinj”.
Një akt që duhet jetuar me zemër të përvuajtur dhe bujare, në vetëdijen se jemi këtu në saje të hirit të Zotit, dhe se nuk ka asgjë nga ajo që sjellim që nuk e kemi marrë si dhuratë dhe talent që nuk duhet lënë të shkojë dëm, por duhet investuar me maturi dhe guxim.
Bukuria poliedrike e Kishës
Leoni XIV citon Shën Leonin e Madh dhe nxit për të punuar së bashku me shpirtin e atij që dëshiron që “në Trupin mistik të Krishtit çdo anëtar të bashkëpunojë me rregull për të mirën e të gjithëve”, duke ushtruar me dinjitet dhe në plotësi “shërbesën e tij nën udhëheqjen e Shpirtit, i lumtur të ofrojë dhe të shohë pjekjen e fryteve të punës së vet”, si dhe ato të punës së të tjerëve. Një mister, ky, të cilin Kisha e mishëron prej dymijë vjetësh në “bukurinë e saj poliedrike”.
Kjo asamble vetë është dëshmi e kësaj, në shumëllojshmërinë e prejardhjeve dhe të moshave, si dhe në unitetin e hirit të Zotit dhe të fesë që na mbledh dhe na vëllazëron.
Njerëzimi është i uritur për të mirën dhe paqen
Dhe, Papa pranon, se mund të ndihemi, “si dishepujt” e Jezusit, “të papërshtatshëm dhe pa mjete” përpara “turmës së madhe” të një njerëzimi që “ është i uritur për të mirën dhe paqen”, në një botë ku “ngopja dhe uria, bollëku dhe mjerimi, lufta për mbijetesë dhe zbrazëtia e dëshpëruar ekzistenciale” vazhdojnë të “ndajnë dhe të lëndojnë njerëzit, kombet dhe bashkësitë”.
Nuk do të arrijmë gjithmonë të gjejmë zgjidhje të menjëhershme për problemet me të cilat duhet të përballemi. Megjithatë, gjithmonë, në çdo vend dhe rrethanë, mund të ndihmojmë njëri-tjetrin – dhe veçanërisht të ndihmojmë Papën – për të gjetur ato “pesë bukë dhe dy peshq” që Provania Hyjnore nuk i lë kurrë të mungojnë aty ku bijtë e saj kërkojnë ndihmë; dhe t’i mirëpresim, t’i dorëzojmë, t’i marrim e t’i shpërndajmë ato, të pasuruara me bekimin e Zotit dhe me fenë e dashurinë e të gjithëve, ashtu që askujt të mos i mungojë e nevojshmja.
Një përgjegjësi e rëndë dhe sfiduese
Duke iu drejtuar kardinalëve, Papa e cilëson shërbimin e tyre si “diçka të madhe dhe jashtëzakonisht personale e të thellë, unike për secilin dhe e çmuar për të gjithë”, dhe përgjegjësia e bashkëndarë me Pasardhësin e Pjetrit është “serioze dhe të kushtueshme”. Së fundi, Papa falënderon kardinalët dhe ia beson punimet e Koncistorit Zotit i cili, tha Papa duke kujtuar Rrëfimet e Shën Augustinit: “Jep atë që urdhëron dhe urdhëro atë që dëshiron
