Leoni XIV: bota nuk shpëtohet duke mprehur shpatat, por duke falur dhe pranuar të gjithë
R.SH. – Vatikan
Një vit i ri, një jetë e re
në fillim të vitit të ri, Liturgjia na kujton se çdo ditë mund të jetë, për secilin prej nesh, fillim i një jete të re, falë dashurisë bujare të Zotit, mëshirës së tij dhe përgjigjes të lirisë sonë. Dhe është bukur të mendojmë në këtë mënyrë për vitin që nis: si një rrugëtim i hapur, për t’u zbuluar, në të cilin mund të luajmë, përmes hirit, të lirë dhe mbartës të lirisë, të falur dhe shpërndarës të faljes, plot besim në afërsinë e mirësinë e Zotit, që na shoqëron gjithmonë.
Duke ndjerë përqafimin atëror të Zotit
Në fillim të vitit, ndërsa nisemi drejt ditëve të reja dhe unike që na presin, t'i kërkojmë Zotit ta ndiejmë në çdo çast, rreth nesh dhe sipër nesh, ngrohtësinë e përqafimit të tij atëror dhe dritën e bekimit të tij, në mënyrë që të mund ta kuptojmë gjithnjë e më mirë dhe të jemi vazhdimisht të vetëdijshëm për atë që jemi dhe për fatin e mrekullueshëm drejt të cilit po shkojmë (krh. Koncili i Dytë Ekumenik i Vatikanit, Kushtetuta Baritore Gaudium et Spes, 41). Në të njëjtën kohë, megjithatë, edhe ne t'i japim lavdi, me lutje, me shenjtërinë e jetës dhe duke ia pasqyruar mirësinë e tij njëri-tjetrit.
Bota nuk shpëtohet duke i zhdukur vëllezërit
E kjo është për të na mësuar se bota nuk shpëtohet duke mprehur shpatat, duke gjykuar, duke shtypur ose duke eliminuar vëllezërit dhe motrat tona, por duke u përpjekur pa u lodhur për t’i kuptuar, për t’i falur, për t’i çliruar dhe për t’i mirëpritur të gjithë, pa llogaritje e pa frikë.
Maria, takimi ndërmjet realitetit të saj "të paarmatosur" dhe atij të Zotit
Maria e la çdo mbrojtje, duke hequr dorë nga pritjet, kërkesat dhe garancitë, siç dinë të bëjnë nënat, e duke ia kushtuar jetën pa rezerva të Birit, që e kishte marrë me anë të hirit e që Ai t'ia jepte botës. Në Amësinë Hyjnore të Marisë shohim kështu takimin e dy realiteteve të mëdha "të paarmatosura": atë të Zotit, që heq dorë nga çdo privilegj i hyjnisë së tij, për të lindur sipas mishit (krahaso Fil 2,6-11) dhe atë të personit që e përqafon plotësisht vullnetin e Tij, duke i bërë nderime, në një akt të përsosur dashurie, të fuqisë e Tij më të madhe: lirisë.
Duke soditur Betlehemin
Në këtë Festë solemne, në fillim të vitit të ri, ndërsa i afrohemi përfundimit të Jubileut të shpresës, t'i afrohemi Shpellës së Betlehemit me besim, si vend i paqes "së paarmatosur e çarmatosëse" par excellence, vend i bekimit, ku mund të kujtojmë mrekullitë që Zoti kryen në historinë e shpëtimit dhe në jetën tonë, për t’u nisur pastaj përsëri, si dëshmitarë të përvuajtur në shpellë, "duke lëvduar dhe madhëruar Hyjin" (Lk 2,20) për gjithçka pamë e dëgjuam. Qoftë ky angazhimi ynë, vendimi ynë për muajt që vijnë e gjithmonë për jetën tonë të krishterë.
