Kërko

FILE PHOTO: The words "AI Artificial Intelligence" are shown in this illustration

Leoni dhe fuqia e padukshme e platformave të IA-së: a është pengesë gazetaria?

Alarmi i Leonit XIV mbi përqendrimin e fuqisë dixhitale, u kujton mediave përgjegjësinë e tyre: të mos udhëhiqen nga algoritmet, por të mbrojnë të vërtetën me transparencë dhe aftësi dalluese. Në një ekosistem të sunduar nga pak privatë, gazetaria mbetet pengesë e nevojshme për të mbrojtur fytyrat, zërat dhe cilësinë e demokracisë.

R.SH. / Vatikan

Nuk e dimë se kush vendos, për çka do të lexojmë nesër. Nuk është sekret shtetëror: është boshllëk. Pas rrjedhës së lajmeve, që arrijnë çdo ditë, nuk ka fytyrë, as firmë, e nuk është askush që kërkon llogari. Pushteti nuk është më i përhapur, por i përqendruar. Papa Leoni XIV, në mesazhin e tij për 60-vjetorin e Ditës Botërore të Komunikimit, këtë e quan boshllëk: "një grusht kompanish" që mund të "rishkruajnë historinë njerëzore - duke përfshirë edhe historinë e Kishës - shpesh pa qenë askush vërtet i vetëdijshëm për të". Kjo nuk është gjuhë diplomatike. Është diagnozë politike e, në të njëjtën kohë, kujtesë për të mos ngatërruar novacionin me progresin.

Është e rrallë që një dokument magjisterial të flasë kaq hapur për përqendrimin e pushtetit. Megjithatë, kjo është pikërisht zemra e mesazhit: jo reflektim abstrakt mbi rreziqet e teknologjisë, por identifikim i saktë i një problemi politik. Disa subjekte private, të pazgjedhura dhe të padepërtueshme, kontrollojnë infrastrukturën përmes së cilës kalon pjesa më e madhe e informacionit të botës. E bëjnë këtë sipas një logjike, që shpërblen emocionin e shpejtë, penalizon reflektimin dhe i mbyllin njerëzit në flluska miratimi të lehtë. Papa nuk i dredh fjalët: flet për "arkitektë" të aftë të modelojnë në mënyrë të padukshme perceptimin e realitetit.

Ka diçka të re në këtë denoncim. Për vite me radhë, debati publik i  trajtoi platformat dixhitale si hapësira neutrale, thjesht kontejner. Silicon Valley e kultivoi me kujdes këtë rrëfim: ne ofrojmë mjete, përdorimi i tyre varet nga ju. Leoni e përmbys perspektivën. Mjetet nuk janë kurrë të pafajshme. Ata që hartojnë një algoritëm, bëjnë zgjedhje që ndikojnë mbi miliona jetë. Ata që vendosin cilën përmbajtje ta amplifikojnë dhe cilën ta heshtin, ushtrojnë një pushtet që dikur i përkiste shteteve, kishave dhe institucioneve kulturore. Dallimi është se sot ky pushtet nuk i përgjigjet askujt, përveç aksionarëve të tij.

Ndryshimi më i rëndësishëm për kë punon në informacion, ka të bëjë me mediat. Papa shkruan se kompanitë e komunikimit "nuk mund të lejojnë që algoritmet e orientuara drejt fitimit të betejës për disa sekonda shtesë vëmendjeje me çdo kusht, të mbizotërojnë mbi besnikërinë e tyre ndaj vlerave profesionale". Kjo është kujtesë që i paraqet gazetarisë një zgjedhje: të bëhet fortesë - ose bashkëpunëtor. Fortesë, nëse e përballon tundimin për të ndjekur algoritmin dhe vazhdon të bëjë atë që asnjë makinë nuk mund ta bëjë - të jetë e pranishme, të verifikojë dhe të dallojë të vërtetën nga e mundshmja. E bashkëpunëtor, nëse i dorëzohet logjikës së viralitetit, e nëse heq dorë nga puna e rrëfimit të historive, për rehatinë e përpilimit automatik.

Ky nuk është manifest ludist. Leoni bën thirrje për aleancë ndërmjet palëve të ndryshme të interesuara - industrisë, ligjvënësve, edukatorëve, gazetarëve - për të ndërtuar një qytetari dixhitale të vetëdijshme. Përgjegjësi, bashkëpunim, alfabetizim: këto janë tri shtyllat që i përshkruan. Por mbetet, në sfond, edhe një pyetje: kush do t'i mbrojë rojet? Kush do ta mbikëqyrë atë grusht kompanish, që mund ta rishkruajnë historinë, pa i dhënë llogari askujt?

Përgjigja nuk mund të vijë vetëm nga institucionet. Varet nga ndërgjegjja e atyre që prodhojnë informacion, e atyre që e konsumojnë atë, e atyre që e rregullojnë atë. Është përgjegjësi e përbashkët, që nuk pranon delegime. Sepse të mbrosh fytyrat dhe zërat njerëzorë, në fund të fundit, do të thotë të mbrosh vetë mundësinë e një shoqërie të lirë dhe të informuar.

26 janar 2026, 12:04