Koncistori i ri në qershor, Papa: do ta bëjmë një çdo vit
R.SH. / Vatikan
Koncistori i parë i thirrur nga Leoni XIV përfundoi mbrëmë, ndërsa përgatitet tjetri: dy ditë në qershor të ardhshëm, afër Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër dhe Pal. Një Koncistor i jashtëzakonshëm i pret në Vatikan Papën Leoni XIV dhe kardinalët e mbarë botës. Papa e njoftoi këtë takim të dytë veror dje pasdite në fjalimin e fundit, që mblodhi së bashku 170 kardinalë zgjedhës dhe jo-zgjedhës në Koncistorit e 7 dhe 8 janarit. Papa, duke shpjeguar se takimi dy-ditor është "në vazhdimësi" me kërkesat e Kongregacioneve të Përgjithshme para Konklavit, shprehu edhe dëshirën për të vazhduar Koncistorët në baza vjetore dhe për një kohëzgjatje prej tri deri në katër ditësh. E kishte parashikuar tashmë në fjalimin e tij të së mërkurës, duke kujtuar se këto dyzet e tetë orë koncistori janë "parapërcaktim i shtegtimit tonë të ardhshëm". Papa Leoni kujtoi edhe Asamblenë Kishtare të tetorit 2028, shpallur marsin e kaluar.
Faleminderit të pranishmëve e afërsi të munguarve
Përveç njoftimeve, Leoni XIV i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Falënderime të veçanta edhe kardinalëve të lartë, që u përpoqen për të ardhur: "Dëshmia juaj është e çmuar" - kujtoi - duke shprehur afërsinë e tij me kardinalët e botës, që nuk mundën të jenë të pranishëm në Romë këto ditë: "Jemi me ju, e jemi pranë jush".
Ishte "sinodalitet jo-teknik" ai që Leoni theksoi se e përjetoi ndërmjet të mërkurës dhe së enjtes, "harmoni dhe bashkësi e thellë", me një metodologji të zgjedhur për të nxitur mirëkuptimin më të mirë të ndërsjellë, duke pasur parasysh larminë e prejardhjes dhe të përvojës së secilit. Papa kujtoi edhe Koncilin e II të Vatikanit, themel i udhëtimit dhe ripërtëritjes së Kishës, dhe sqaroi se dy temat e tjera të propozuara për kët Koncistor, por të pavotuara nga asambleja - liturgjia dhe Praedicate evangelium - janë të lidhura ngushtë me Koncilin e II të Vatikanit dhe nuk duhen harruar.
Së fundmi, Leoni XIV, si dhe të gjithë anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve, reflektuan mbi situatën e përgjithshme në botë, gjë që e bën "gjithnjë e më urgjente" përgjigjen e Kishës. Një Kishe, që u drejtohet Kishave lokale, të cilat vuajnë nga lufta e nga dhuna.
Një mendim për Venezuelën
Në këtë drejtim, ndonëse temat e tjera të Koncistorit ishin të ndryshme - sinodaliteti dhe misioni në dritën e Evangelii Gaudium, votuar nga kardinalët "me shumicë të plotë" - u shpreh edhe një mendim, veçanërisht nga kardinalët latino-amerikanë, për situatën në Venezuelë. Kardinali Luis Jose Rueda Aparicio, Kryeipeshkëv i Bogotá-s në Kolumbi, foli për këtë çështje gjatë konferencës së mbrëmjes së djeshme në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, së bashku me Kardinalët Stephen Brislin, Kryeipeshkëv i Johanesburgut, Afrika e Jugut, dhe Pablo David, Ipeshkëv i Kalookan në Filipine.
Nuk qe tema zyrtare e Koncistorit, por ishte "e pashmangshme" që anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve "të shqetësohen për atë që po ndodh" dhe "të bëjnë pyetje" lidhur me drejtimin që po merret, me ndryshimin e gjeopolitikës së Amerikës Latine dhe me diskutimin e rolit të Kishës në shoqërimin e njerëzve.
Ta jetosh sinodalitetin si "shokë udhe"
Tre kardinajtë që diskutuan më pas për Koncistorin e posapërfunduar, përshkruan temat dhe atmosferën e përgjithshme të punës së Koncistorit që u mbajt në Sallën Pali VI. Sinodaliteti, të jetuarit si “shoqëri udhe”, nevoja që të reflektohet në ushtrimin e autoritetit, në formimin dhe punën e nuncëve apostolik dhe "ndërkombëtarizimi më i madh" brenda Kuries Romake, e më pas, rileximi i thirrjes së Papës Françesku Evangelii Gaudium, tekst që nuk "skadoi" me papninë e mëparshme, por që ende ka të bëjë me dioqezat, Kurien Romake dhe vetë Papën, ishin subjektet e reflektimeve të grupeve gjuhësore gjatë koncistorit.
Njëzet grupe: njëmbëdhjetë të përbërë nga kardinalë jo-zgjedhorë, nëntë kardinalë zgjedhës, ordinarë dioqezanë dhe nuncë ende në shërbim, shpjegoi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni.
"Papa mbajti shënime, ishte shumë i vëmendshëm".
Kardinali Brislin e quajti përvojën "shumë pasuruese", falë perspektivave të ndryshme që i lejuan të thellohej më shumë në nevojat e botës. Ishte mundësi për të mësuar dhe për t'u njohur me njëri-tjetrin. "Fakti që ka një takim të ri në qershor, është shenjë që tregon se Ati i Shenjtë Leoni XIV e mori shumë seriozisht faktin se ne mund ta ndihmojmë në rolin e tij si Pasardhës i Pjetrit", tha ai. "Tetë muaj pas Konklavit, Papa donte të na mblidhte për të na dëgjuar", përsëriti kardinali Rueda, "kjo na forcon në misionin e Kishës". Kardinali David nga ana e tij vlerësoi para së gjithash formatin e përdorur për punën e Koncistorit, pastaj bisedën në Shpirt, falë së cilës "të gjithë ishin në gjendje të flisnin", dhe vlerësoi faktin që Papa "dëgjoi - më shumë sesa foli": "Ai mori shënime, ishte shumë i vëmendshëm, kontributi që dha ishte shumë pasurues për të gjithë ne". Papa Leoni XIV, shtoi Kryeipeshkvi i Johanesburgut, kardinalit Brislin, "dëshiron të jetë kolegjial, dëshiron të dëgjojë, dëshiron të mbështetet në përvojën dhe njohuritë e kardinalëve, që vijnë nga pjesë të ndryshme të botës, sepse kjo mund ta ndihmojë t’i prijë Kishës".
