Koncili II i Vatikanit i shpjeguar nga Papët
R.SH.– Vatikan
Koncili II Ekumenik i Vatikanit “na ka ndihmuar të hapemi ndaj botës dhe të kuptojmë ndryshimet dhe sfidat e kohës moderne në dialog dhe bashkëpërgjegjësi”. Këto fjalë, të shqiptuara nga Papa Leoni XIV në audiencën e parë të përgjithshme të vitit, mbajtur më 7 janar 2026 në Vatikan, janë një ftesë për të reflektuar mbi këtë ngjarje qendrore në historinë e Kishës. Pyetjet thelbësore mbi Koncilin, mbi natyrën dhe frytet e tij, mund të jenë, veçanërisht, nyjet e një rrugëtimi që degëzohet përmes reflektimeve të Papëve.
Kush e thirri Koncilin?
Koncili II Ekumenik i Vatikanit u thirr nga Papa Gjoni XXIII dhe u hap më 11 tetor 1962. Papa Benedikti XVI mori pjesë në atë ngjarje fillimisht si këshilltar teologjik i kardinalit të Këlnit, Frings, dhe më pas si ekspert (perit). Më 11 tetor 2012, gjatë Meshës për hapjen e Vitit të Fesë, Papa Ratzinger kujtoi fjalët e shqiptuara nga Papa Roncalli në përurimin e asaj ngjarjeje:
Në fjalimin e hapjes, ai paraqiti qëllimin kryesor të Koncilit në këto terma: «Kjo ka të bëjë kryesisht me Koncilin Ekumenik: që depozita e shenjtë e doktrinës krishtere të ruhet dhe të mësohet në mënyrë më efektive. (…) Qëllimi kryesor i këtij Koncili, pra, nuk është diskutimi i ksaj apo asaj teme të doktrinës… Për këtë nuk ishte e nevojshme një Koncil… Është e nevojshme që kjo doktrinë e sigurt dhe e pandryshueshme, që duhet respektuar besnikërisht, të thellohet dhe të paraqitet në mënyrë që t’u përgjigjet kërkesave të kohës sonë» (AAS 54 [1962], 790.791-792). Kështu Papa Gjon, në hapjen e Koncilit. Në dritën e këtyre fjalëve, kuptohet ajo që unë vetë pata mundësinë ta përjetoja atëherë: gjatë Koncilit kishte një tension emocionues për detyrën e përbashkët për të bërë të shkëlqejë e vërteta dhe bukuria e fesë në kohën tonë të tanishme, pa e sakrifikuar atë për kërkesat e së tashmes, as duke e mbajtur të lidhur me të kaluarën: në fe rijehon e tashmja e përjetshme e Zotit, që kalon kohën dhe megjithatë mund të pranohet nga ne vetëm në sotmen tonë të papërsëritshëm.
Përse u shpall Koncili?
Koncili II Ekumenik i Vatikanit kremtohet “në një moment në të cilin Kisha ndjen më të gjallë dëshirën për të forcuar fenë e saj me forca të reja dhe për t'u parë në imazhin e mrekullueshëm të unitetit të vet”. Këtë nënvizoi Papa Gjoni XXIII në Kushtetutën apostolike Humanae Salutis. Papa Roncalli, në këtë dokument, ndalet edhe te arsyeja pse u thirr Koncili:
E kemi konsideruar detyrë tonën urgjente të drejtojmë mendimin, duke bashkuar forcat e të gjithë Bijve tanë, për të bërë që Kisha të dëshmohej gjithnjë e më e aftë për të zgjidhur problemet e njerëzve bashkëkohorë. Për këtë arsye, si duke iu bindur një zëri të brendshëm të sugjeruar nga një frymëzim i ardhur nga lart, kemi gjykuar se tashmë kohët ishin pjekur për t'i ofruar Kishës katolike dhe mbarë komunitetit njerëzor një Koncil të ri Ekumenik që do të vazhdonte serinë e 20 Koncileve të mëdhenj, të cilët kanë kontribuar mjaft mirë gjatë shekujve në rritjen e hirit qiellor në shpirtrat e besimtarëve dhe në përparimin e krishterimit.
Çfarë ishte Koncili?
Koncili iu përgjigj sfidës “për të kuptuar më intimisht, në një periudhë ndryshimesh të shpejta, natyrën e Kishës dhe marrëdhënien e saj me botën”. Papa Gjoni Pali II, i cili mori pjesë në këtë ngjarje të madhe si atë konciliar, në fjalimin e tij në vitin 2000 në një konferencë ndërkombëtare studimore mbi zbatimin e Koncilit, përshkruan kuptimin e kësaj ngjarjeje:
Koncili II Ekumenik i Vatikanit ishte një dhuratë e Shpirtit Shenjt për Kishën e tij. Është për këtë arsye që ai mbetet si një ngjarje themelore jo vetëm për të kuptuar historinë e Kishës në këtë fund shekulli, por edhe, dhe mbi të gjitha, për të vërtetuar praninë e përhershme të të Ngjallurit (Krishtit) pranë Nuses së tij midis ngjarjeve të botës. Përmes Asamblesë konciliare... u mundua të konstatohej se sa shumë trashëgimia dymijëvjeçare e fesë ishte ruajtur në autenticitetin e saj origjinal. Me Koncilin, Kisha bëri para së gjithash një përvojë feje, duke iu braktisur Hyjit pa rezerva në qëndrimin e atij që beson dhe ka sigurinë se është i dashur. Është pikërisht ky akt dorëzimi ndaj Zotit që, nga një shqyrtim i qetë i Aktëve, dalin në pah me forcë. Kush do të donte të afrohej Koncilit pa e pasur këtë çelës të kuptimit do të humbiste mundësinë për të depërtuar në shpirtin e tij të thellë. Është vetëm në një perspektivë feje që ngjarja konciliare hapet para syve tanë si një dhuratë, e cila ka nevojë të dihet të kapet pasuria e saj ende të fshehur.
Çfarë lë pas Koncili?
Duhet të shohim trashëgiminë e Koncilit, si një burim gjithnjë të gjallë për të ardhmen e Kishës. Pali VI, në audiencën e përgjithshme të 12 janarit 1966, ndalet mbi këtë “ngjarje aq të rrallë e aq të madhe”. Kujtimi, shpjegon Papa Montini, i referohet një fakti të kryer: “kujtesa e mbledh, historia e regjistron, tradita e ruan; por i gjithë ky proces i përket një momenti të përfunduar, një ngjarjeje të kaluar”. Ngjarja e Koncilit, përkundrazi, nuk është e mbyllur në të kaluarën e saj.
Koncili lë diçka pas vetes, që zgjat dhe që vazhdon të veprojë. Koncili është si një burim, nga i cili rrjedh një lumë; burimi mund të jetë larg, por rryma e lumit na ndjek. Mund të thuhet se Koncili i lë Kishës, që e kremtoi atë, vetveten. Koncili nuk na detyron aq shumë të shohim prapa, drejt aktit të kremtimit të tij; por na detyron të shohim trashëgiminë që ai na ka lënë, e cila është e pranishme dhe do të zgjasë për të ardhmen. Cila është kjo trashëgimi? Trashëgimia e Koncilit përbëhet nga dokumentet që u shpallën në momente të ndryshme përfundimtare të diskutimeve dhe të vendimeve të tij; këto dokumente janë të natyrave të ndryshme; dhe konkretisht janë Kushtetuta (katër), janë Dekrete (nëntë) dhe janë Deklarata (tri); por të gjitha së bashku formojnë një trup doktrinash dhe ligjesh, që duhet t’i japin Kishës atë përtëritje për të cilën u nxit Koncili. Njohja, studimi dhe zbatimi i këtyre dokumenteve është detyra dhe fati i periudhës pas-konciliare.
Çfarë i tregon Koncili Kishës sot?
Koncili duhet rizbuluar “për t’i dhënë sërish përparësinë Zotit, asaj që është thelbësore”. Papa Françesku, më 11 tetor 2022, në 60-vjetorin e fillimit të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, kujton drejtimin që Kisha sot është e thirrur të ndjekë, duke ecur pas hapave të etërve konciliarë.
Koncili i tregon Kishës këtë rrugë: e bën atë të kthehet, si Pjetri në Ungjill, në Galile, te burimet e dashurisë së parë, për të rizbuluar në varfëritë e saj shenjtërinë e Hyjit (krh. Lumen gentium, 8c; kreu V). Edhe ne, secili prej nesh ka Galilenë e vet, Galilenë e dashurisë së parë, dhe sigurisht secili prej nesh sot është i ftuar të kthehet në Galilenë e vet për të dëgjuar zërin e Krishtit Zot: “Ndiqmë”. Dhe atje, për të gjetur sërish në vështrimin e Zotit të kryqëzuar e të ngjallur gëzimin e humbur, për t’u përqendruar te Jezusi. Të rigjejmë gëzimin: një Kishë që ka humbur gëzimin, ka humbur dashurinë. Në fund të ditëve të tij, Papa Gjoni XXIII shkruante: «Kjo jeta ime që po shkon drejt perëndimit nuk do të mund të zgjidhej më mirë sesa duke u përqendruar te Jezusi, biri i Marisë… një afërsinë e madhe dhe të vazhdueshme me Jezusin, i soditur në imazh: fëmijë, i kryqëzuar, i adhuruar në Sakrament» (Ditari i shpirtit, 977-978). Ja vështrimi ynë i lartë, ja burimi ynë gjithmonë i gjallë: Jezusi, Galileja e dashurisë, Jezusi që na thërret, Jezusi që na pyet: “A më do?”. Vëllezër e motra, le të kthehemi te burimet e pastra të dashurisë së Koncilit.
Si ta njohim trashëgiminë e Koncilit?
Si ta bëjmë Koncilin të afërt me rrugëtimin e përditshëm të Kishës? Kjo pyetje shoqëron katekezën e Leonit XIV në audiencën e përgjithshme të 7 janarit 2026. Koncili duhet njohur “përsëri nga afër”. Dhe ky duhet të jetë një hap që duhet bërë “jo përmes ‘të dëgjuarave’ apo interpretimeve që i janë bërë atij”.
Duke iu afruar Dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit dhe duke rizbuluar profecinë dhe aktualitetin e tyre, ne mirëpresim traditën e pasur të jetës së Kishës dhe, në të njëjtën kohë, pyesim veten mbi të tashmen dhe përtërijmë gëzimin e të vrapuarit drejt botës për të çuar atje Ungjillin e mbretërisë së Zotit, mbretërisë së dashurisë, mbretërisë së drejtësisë dhe paqes.
Rileximi i dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit dhe reflektimi mbi përmbajtjen e tyre: kjo është, pra, udha kryesore për të rizbuluar bukurinë dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje kishtare. Një “ballë për ballë” themelor edhe për të kuptuar se çfarë ka qenë në të vërtetë Koncili dhe çfarë frytesh, edhe sot, vazhdon të sjellë në rrugëtimin e Kishës.
