Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Fjalët e paqes të Leonit, e buxhetet e luftës të botës

Shpenzimet ushtarake po shënojnë një rritje të ndjeshme në shumë vende dhe, për disa qeveri, riarmatimi është një përparësi absolute. Ndërsa bota po armatoset, fjalët e Papës janë një thirrje për një ndryshim rrënjësor drejtimi: nuk shpëtohet “duke mprehur shpatat”.

R.SH. – Vatikan

Lidhur me temën e armatimeve, për fat të keq, ekziston një disonancë e fortë ndërmjet fjalëve të thëna, madje edhe kohët e fundit, nga Papa Leoni XIV dhe vendimeve të marra nga qeveritë në shumë vende. Viti 2026 filloi me thirrjen e fuqishme të Papës gjatë Meshës për Solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit: "Bota - kujtoi Ati i Shenjtë - nuk shpëtohet duke mprehur shpatat, duke gjykuar, duke shtypur ose duke i zhdukur vëllezërit dhe motrat tona, por duke u përpjekur pa u lodhur për t’i kuptuar, për t’i falur, për t’i çliruar dhe për t’i mirëpritur të gjithë, pa llogaritje e pa frikë". Por shtëpia e përbashkët e familjes njerëzore vazhdon të jetë e banuar nga logjika shtypëse, që e përhapin dhe e nxisin frikën.

Armatosja është përparësi për shumë qeveri. Në këtë rritje të riarmatimit, zëri i vëllazërisë shpesh mbingarkohet nga logjika e armëve, ndërsa rritje të konsiderueshme të shpenzimeve po regjistrohen në buxhetet e shumë vendeve. Në disa rajone të botës, veçanërisht në më të varfrat, rritja e shpenzimeve ushtarake ka pasoja sociale. Prirja për rritje është e rëndësishme aty ku hierarkitë ushtarake përfaqësojnë elitën politike. Konfliktet, më pas, prishin ekonominë globale, me efekte që shtrihen përtej kufijve gjeografikë të territoreve të shkatërruara nga lufta. Kohët e fundit, rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake nxiten nga konfliktet, veçanërisht në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Epërsia e Shteteve të Bashkuara

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpenzimet më të larta ushtarake në botë: arrijnë afërsisht në 997 miliardë dollarë në vitin 2024, të barabarta me 37% të totalit global dhe 66% të shpenzimeve të NATO-s. Përqendrohen në teknologjitë e përparuara ushtarake, luftëtarët e fshehtë, raketat e sakta dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Përveç Shteteve të Bashkuara, vendet me shpenzimet më të larta ushtarake në botë janë Kina, Rusia, Gjermania dhe India.

Ekonomitë e Luftës

Në Rusi, shpenzimet ushtarake përbëjnë 38% të buxhetit, nivel i paparë që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Përqendrohen kryesisht në raketa, municione artilerie dhe dronë, si dhe në zgjerimin e prodhimit të tankeve. Nga ana tjetër, Ukraina shpenzon afërsisht 31% të PBB-së së saj për mbrojtje. Merr edhe ndihmë ushtarake nga vende të ndryshme. Shpenzimet e Kievit përqendrohen në armë moderne dhe të përparuara, veçanërisht në sistemet e mbrojtjes ajrore. Në Izrael, shpenzimet ushtarake janë rritur ndjeshëm, me një rritje prej 65 % deri në vitin 2024. Pajisjet ushtarake të Izraelit përfshijnë një gamë të gjerë armësh, duke përfshirë automjete të blinduara, artileri, raketa, aeroplanë dhe helikopterë.

Evropa

Gara e armatimeve shkallëzohet edhe në Evropë. Në Gjermani, shpenzimet ushtarake në rritje përqendrohen kryesisht në tanke, sisteme raketash dhe teknologji të përparuara. Planet parashikojnë mbi 1 trilion euro deri në vitin 2029. Polonia synon të dyfishojë forcat e saj të armatosura dhe të ndërtojë një arsenal të konsiderueshëm me armë moderne dhe avionë luftarakë. Varshava i ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake, afërsisht 4.5-5% të PIL në vitet 2024-2025. Në Itali, shpenzimet ushtarake tejkaluan 30 miliardë euro në vitin 2025 dhe po shtohen vazhdimisht për shkak të modernizimit teknologjik dhe sistemeve të armëve për ushtrinë, marinën dhe forcat ajrore. Spanja njoftoi kohët e fundit një rritje prej 2 miliardë eurosh në shpenzimet ushtarake. Në vitin 2018, Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles Fernandez, kujtoi në një intervistë se "shpenzimet e mbrojtjes ishin vetëm 0.9% e PIL, ndërsa tani "shfrytëzohen të gjitha aftësitë".

Azia

Në Kinë, shpenzimet ushtarake janë të përqendruara në raketa hipersonike, raketa balistike strategjike të armatosura me armë bërthamore, dronë të përparuar (ajrorë, tokësorë dhe nënujorë) dhe teknologji në zhvillim si sistemet lazer dhe elektromagnetike. Kina është shpenzuesja e dytë më e madhe ushtarake në botë, me një buxhet që i tejkaloi 300 miliardë dollarë në vitet 2023-2024. Shpenzimet ushtarake të Koresë së Veriut janë shumë disproporcionale me PIL (Prodhimi i Brendshëm Brut) Ajo ka një nga forcat e armatosura më të mëdha në botë (mbi 1.2 milion ushtarë aktivë) me investime të konsiderueshme në artileri të rëndë, nëndetëse dhe programe raketash. Në Korenë e Jugut, shpenzimet ushtarake po rriten vazhdimisht, duke arritur në rreth 48 miliardë dollarë vitet e fundit, me parashikime që tregojnë rritje të mëtejshme. Në Japoni, pavarësisht ligjeve jashtëzakonisht kufizuese për armët, po merret në konsideratë ndryshimi i politikave në këtë sektor. Edhe industria e vendit, që jetoi tmerrin e bombës atomike, po përgatitet të hyjë në tregun global të armëve.

Afrika

Armë - apo zhvillim? Kjo pyetje shqetëson shumë udhëheqës afrikanë, ku shpenzimet ushtarake arritën në 52.1 miliardë dollarë në vitin 2024, rritje prej 3% krahasuar me vitin e kaluar. Sudani i Jugut, pavarësisht se është   vend me nevoja të konsiderueshme zhvillimi, ka rritje të ndjeshme të shpenzimeve ushtarake. Rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake janë regjistruar edhe në Republikën Demokratike të KongosAlgjeri Tunizi. Shpenzimet ushtarake në kontinent nxiten kryesisht nga konfliktet që shkatërrojnë rajone të ndryshme edhe nga prania e organizatave terroriste.

Amerika e Jugut

Shpenzimet ushtarake në Amerikën Latine lidhen gjithashtu me planet për të luftuar dhunën dhe pasigurinë e brendshme në disa vende. Në Brazil janë rreth 21 miliardë dollarë. Vendi ka një ushtri të madhe dhe importon armë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, Austria dhe Italia. Në Kolumbi, shpenzimet ushtarake përfaqësojnë afërsisht 3% të PBB-së dhe ndahen kryesisht për sigurinë e brendshme. Në Meksikë, shpenzimet ushtarake po rriten: do të arrijnë gati 12 miliardë dollarë në vitin 2023, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara, kryesisht për të luftuar dhunën kriminale.

Investim në paqe

Në vende dhe rajone të tjera të botës, riarmatimi konsiderohet si domosdoshmëri. Megjithatë, bota ka nevojë për diçka tjetër: duhet të investojë në rritjen njerëzore, jo në shkatërrimin e saj. Paqja nuk duhet të mbrohet me armë, por duhet të ndërtohet çdo ditë përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. "Shpenzimi" kryesor dhe më i rëndësishëm për paqen, në fund të fundit, është investimi falas: besimi tek të tjerët, të parë si vëllezër dhe motra.

Kjo është perspektivë që Papët e përmendin shpesh, duke kujtuar fragmente të Ungjillit. Por investimi në paqe është qartë çmim shumë i lartë për t'u paguar, nëse nuk arrijmë të mbathim këpucët e fqinjëve tanë, të cilët shpesh vazhdojmë t'i konsiderojmë thjesht si armiq. Prandaj është e nevojshme ta ndryshojmë perspektivën tonë, t’i hapim zemrat tona. Është ky ndryshim ritmi që sfidon veçanërisht qeveritë. "Zoti", tha Leoni XIV gjatë  lutjes së Engjëllit të Tënzot më 1 janar 2026, "na fton ta përtërijmë kohën tonë, duke përuruar, më në fund, epokën e paqes e të miqësisë ndërmjet gjithë popujve".

04 janar 2026, 09:54