Kërko

Papa Leoni XIV në Sallën Pali VI për punimet në fund të seancës së parë të Koncistorit të Jashtëzakonshëm Papa Leoni XIV në Sallën Pali VI për punimet në fund të seancës së parë të Koncistorit të Jashtëzakonshëm

Papa Leoni i drejtohet koncistorit: «Do të vijojmë këtë proces dialogu»

Koncistori dyditor me kardinalët nuk do të jetë një rast i vetëm. Kështu u shpreh Papa Prevost duke folur para 170 kardinajve nga e gjithë bota, në fund të sesionit të parë të koncistorit të jashtëzakonshëm që po zhvillohet në Vatikan nga data 7 deri më 8 janar.

R.Sh. Vatikan

Leoni XIV mbylli me një fjalim të çastit (jashtë tekstit të shkruar) seancën e parë të djeshme të mbledhjes me kardinalët, pas punimeve në grupe gjuhësore në sallën Pali VI. Papa falënderoi për dy temat, sinodalitetin dhe misionin në dritën e Evangelii Gaudium, të zgjedhura përmes votimit nga një listë me katër propozime. "Faleminderit për këtë zgjedhje, temat e tjera nuk do të humbasin. Ka çështje shumë konkrete dhe specifike, të cilat ende duhet t'i shqyrtojmë".

«Shpresoj që secili prej jush të ndihet vërtet i lirë të komunikojë me mua ose me të tjerët, dhe ne do ta vazhdojmë këtë proces dialogu dhe diskutimesh» – u tha Leoni XIV kardinajve pjesmarrës në koncistorin e parë dhe të jashtëzakonshëm që po mbahet në Vatikan. «Mund të ketë diçka që na frikëson. Ka dyshim, pyesim “Ku po shkojmë? Si do të përfundojmë?” Por nëse besojmë te Zoti, te prania e Tij, mund të bëjmë shumë.»

«Faleminderit për temat e përzgjedhura. Mendoj se zgjedhja e bërë nga të gjithë të pranishmit në tryezë është mjaft e qartë për shumicën. Dhe gjithashtu më duket shumë e rëndësishme, nga diskutimet e tjera» – vijoi më tej Papa – «që një temë nuk mund të ndahet nga tjetra. Në fakt, ka shumë gjëra që mund të shqyrtojmë së bashku. Por ne dëshirojmë të jemi Kishë që nuk shikon vetëm veten, por që është misionare, që shikon përtej, drejt të tjerëve. Arsyeja pse Kisha ekziston nuk është për kardinalët, as për ipeshkvijtë, as për klerin. Arsyeja e ekzistencës është të shpallë Ungjillin.»

Duke reflektuar mbi dy temat që po diskutohen dje [7 janar], sinodin dhe veprimtarinë misionare, Leoni XIV tha: «Sinodi dhe metoda e sinodit, si shprehje e përpjekjes për të qenë një Kishë misionare në botën e sotme, dhe «Evangelii Gaudium», që do të thotë «hareja e ungjillit», duke shpallur kerygmën, që është të shpallurit e Ungjillit, dhe Ungjilli me Krishtin në qendër. Ky është misioni ynë, dhe për këtë, ju falënderoj.»

Kjo do të na ndihmojë të organizohemi për punën e sotme [8 janar] për dy seancat. Temat e tjera nuk duhen anashkaluar. Ka çështje shumë konkrete dhe specifike që duhet të shqyrtohen ende. Shpresoj që secili prej jush të ndihet vërtet i lirë të komunikojë me mua ose me të tjerët», e mbylli Papa Leoni fjalën e tij drejtuar kardinajve të pranishëm në koncistor.

08 janar 2026, 15:28