Papa: Evropa ka një rol të rëndësishëm për paqen, nuk është realiste ta përjashtosh
R.SH. / Vatikan
Ukraina, lufta, plani i paqes, roli i Evropës dhe një udhëtim i mundshëm i tij në vend. Pastaj zhvendosja në Pallatin Apostolik dhe vizita në Xhaminë Blu “Sultan Ahmed” të Stambollit. Si çdo të martë, Leone XIV përfundon ditën e tij të pushimit dhe punës në Castel Gandolfo me një takim me një grup gazetarësh që e presin jashtë rezidencës papnore. Leoni XIV, i përshëndetur nga brohoritjet e njerëzve të mbledhur në rrugë, u përgjigjet pyetjeve mbi çështjet aktuale, duke filluar nga audienca e këtij mëngjesi, pikërisht në Castel Gandolfo, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. “Tema kryesore është çështja e luftës, mënyrat për të kërkuar një marrëveshje, një armëpushim. Kemi folur posaçërisht për çështjen e fëmijëve të rrëmbyer, të burgosurve, si mund të ndihmojë Kisha për t’i rikthyer fëmijët në Ukrainë”, shpjegon Papa.
Selia e Shenjtë e gatshme për negociata
Ati i Shenjtë përsërit se “Selia e Shenjtë është e gatshme të ofrojë hapësirë dhe mundësi për bisedime dhe negociata”. “Deri tani oferta nuk është pranuar, megjithatë ne jemi të gatshëm të kërkojmë një zgjidhje dhe një paqe, të qëndrueshme dhe të drejtë”, thekson Leone XIV. Sa i përket ftesës së përsëritur nga Zelensky për të vizituar Ukrainën – një “sinjal i fortë mbështetjeje për popullsinë”, siç shkroi presidenti sot në platformën sociale X – Papa Leoni përgjigjet: “Shpresoj që po, nuk e di kur. Duhet të jemi realistë në këto gjëra, ndoshta do të mund të bëhet”.
Puna për riatdhesimin e fëmijëve
Sërish mbi Ukrainën, Papa sqaron se puna për rikthimin e fëmijëve ukrainas nga Selia e Shenjtë “fatkeqësisht është shumë e ngadaltë” dhe “zhvillohet prapa skenes”. “Prandaj preferoj të mos komentoj, por të vazhdojmë punën për t’i rikthyer ata fëmijë në shtëpitë e tyre, te familjet e tyre”, thotë ai. Leoni shton se nuk dëshiron të komentojë as planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, duke sqaruar se ende nuk e ka lexuar të plotë. “Fatkeqësisht, mendoj se disa pjesë të asaj që pashë sjellin një ndryshim të madh në atë që për shumë, shumë vite ka qenë një aleancë e vërtetë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vërejtjet e bëra për Evropën, edhe në intervistat e fundit, mendoj se përpiqen të çmontojnë atë që unë e konsideroj një aleancë shumë të rëndësishme sot dhe në të ardhmen”.
Rëndësia e rolit të Evropës
Dhe pikërisht mbi rolin e Evropës në procesin e paqes, të vënë në pikëpyetje nga Trump, Papa ndalet sërish. Një çështje për të cilën ai ishte shprehur tashmë gjatë fluturimit nga Bejruti në Romë në udhëtimin e fundit apostolik. “Mendoj se roli i Evropës është shumë i rëndësishëm dhe uniteti i vendeve evropiane është me të vërtetë domethënës, sidomos në këtë rast”, nënvizon Papa. “Të kërkosh një marrëveshje paqeje pa përfshirë Evropën në bisedime nuk është realiste. Lufta është në Evropë dhe mendoj se për garancitë e sigurisë që kërkohen sot dhe në të ardhmen, Evropa duhet të jetë pjesë e tyre”. “Fatkeqësisht – shton Leoni XIV – jo të gjithë e kuptojnë kështu, por mendoj se ka një mundësi shumë të madhe që ideja e Evropës të bashkohet dhe të kërkojë së bashku zgjidhje”.
Vizita në “Xhaminë Blu” të Stambollit
Me vështrimin ende nga udhëtimi në Turqi dhe Liban, Papa ndalet – pas pyetjes së gazetarëve – te vizita në “Xhaminë Blu” të Stambollit, e jetuar “në heshtje, në përqendrim dhe dëgjim, me respekt të thellë për vendin e kultit dhe fenë e atyre që mblidhen aty në lutje”, siç njoftoi atë ditë Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Pyetja e gazetarëve ishte pse Papa nuk kishte lutur “të paktën në mënyrë të dukshme”, siç kishin bërë paraardhësit. “Po kush tha që nuk u luta? Kanë thënë që nuk u luta, por unë dhashë një përgjigje tashmë në avion, përmenda një libër (Praktika e pranisë së Zotit e vëllait Lawrence); mund të jetë që po lutem edhe në këtë moment”. “Unë preferoj të lutem në një Kishë katolike në praninë e Sakramentit të Shenjtë të Eukaristisë”, përfundon Papa Leoni, duke e quajtur “kureshtare” mënyrën si u raportua ai moment në Xhami.
Zhvendosja në Pallatin Apostolik
Së fundi, ndër pyetjet më personale, ajo për zhvendosjen e tij në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Siç dihet, Papa ende jeton, që nga dita e zgjedhjes në Konklav, në apartamentin e tij në Pallatin e Sant'Uffizio-s, në Vatikan. Kur do të zhvendoset në apartamentin papnor dhe me kë? “Nuk ka ende një datë, jam mirë aty ku po jetoj, në Sant'Uffizio”, përgjigjet Papa, duke shpjeguar se për momentin me të jetojnë sekretarët e tij të veçantë: “Nuk do të ketë të tjerë”.
