Papa Leoni dhe skulptura që përshkruan Papa Françeskun (@Vatican Media) Papa Leoni dhe skulptura që përshkruan Papa Françeskun (@Vatican Media)

Tek Leoni XIV, artistët dhe simbolet e tyre të vëllazërisë

Në fund të audiencës jubilare, skulptori Domenico Sepe i dhuroi Papës një skulpturë bronzi me portretin e Papës Françesku. Ndërsa një artist francez i dhuroi Ipeshkvit të Romës "Kryqin e Shpresës", për t’i dorëzuar kështu një dëshmi të historisë mijëvjeçare të ungjillëzimit të Kishës.

R.SH. / Vatikan

"Në një kohë të ngarkuar me konflikte, jo vetëm me luftëra, që tërbohen ndërmjet qenieve njerëzore në të katër anët e botës, i thamë Papës se duam të japim kontributin tonë për një kulture të themeluar me besnikëri, drejtësi dhe respekt, jo vetëm në fushën e sportit". Giuseppe Chiné, prokuror federal i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), shprehu sot kënaqësinë për takimin e mëngjesit me Leonin XIV gjatë audiencës së fundit të Jubileut të vitit.

Në Sheshin e Shën Pjetrit, që ngrohej gradualisht nga një diell që shndriste ndërmjet reve, gjykatësi kalabrez i dhuroi Papës një flamur të ekipit kombëtar italian të realizuar posaçërisht, me mbishkrimin "Për mbrojtjen e besnikërisë, të drejtësisë dhe integritetit në futboll". "Në kohën e Krishtlindjes - vazhdoi Chiné - ne marrim gjithnjë vendime të mira për të përmirësuar veten. Diskriminimi dhe dhuna, që ne i luftojmë, janë të njëjta me ato që Kisha dhe shoqëria civile i përballojnë me aktivitete ndërgjegjësimi, e me synimin për përfshirje dhe vëllazëri. Është i njëjti koncept i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI) dhe Komitetit Paraolimpik Italian (CIP) në takimet e tyre në Vatikan, të martën dhe të enjten e kaluar, me Kardinalin José Tolentino de Mendonça, Prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin si dhe me Athletica Vaticana".

Nga Shtetet e Bashkuara, nën shenjën e Leonit

Studentë të shumtë nga Rome Center, kampus i lidhur ngusht me Universitetin Katolik të Amerikës në Uashington, D.C., morën pjesë në këtë aktivitet. "Universiteti, i miratuar nga Luani XIII, u themelua në vitin 1887 si qendër për kërkim dhe mësimdhënie" - shpjegon Rektori Aaron Domínguez - dhe është universiteti më i vjetër katolik kërkimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne erdhëm te Leoni XIV si shtegtarë, për t’i paraqitur institucionin tonë, i cili e mori frymëzimin nga paraardhësi i tij i shquar, emrin e të cilit e zgjodhi Papa Prevost”.

Një shtatore, në kujtim të migrantëve

Skulptori Domenico Sepe i dhuroi Atit të Shenjtë një skulpturë bronzi me portretin e Françeskut në këtë vepër, kushtuar kujdesit të Papës për migrantët. "Në shtatore radhiten disa fragmente të anijes, që u fundos në Cutro, në vitin 2023, ndërsa një kryq dhe një spirancë simbolizojnë flijimin e shpresën. Për më tepër, Papa paraqitet i veshur me veladon, që të kujton petkun e Shën Françeskut, si dhe i mbështetur mbi dy gurë, që të kujtojnë rëndësinë e shërbesës së Pjetrit".

Në një Kryq, historia e ungjillëzimit të Kishës

Quhet "Kryqi i Shpresës" figura prej druri dhuruar Leonit XIV nga artistja franceze Isabelle Rigal. "Është realizuar - shpjegon ajo - prej një druri të lashtë nga Zelanda e Re. Përdorimi i tij ka për qëllim të nxjerrë në pah historinë mijëvjeçare të ungjillëzimit të Kishës Katolike e, në të njëjtën kohë, të ftojë çdo besimtar të pushtohet nga dashuria e Krishtit".

21 dhjetor 2025, 13:16