Ushtria në Republikën Demokratike të Kongos Ushtria në Republikën Demokratike të Kongos

RD Kongos, Papa: të ndalet çdo dhunë në lindje e të kërkohet dialog konstruktiv

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Leoni XIV shprehu shqetësimin për rifillimin e luftimeve në pjesën lindore të vendit afrikan, por edhe afërsinë e tij me popullin, duke u kërkuar palëve në konflikt t’i ndalojnë të gjitha format e dhunës dhe të respektojnë marrëveshjet e paqes nënshkruar nga presidentët kongolezë dhe ruandezë në qershor, me ndërmjetësimin e SHBA-së.

R.SH. / Vatikan

Në të Dielën e "Gëzimit", nuk mungon as pikëllimi. Pikëllim i shprehur nga Papa Leoni XIV në fund të lutjes së Engjëllit të Zotit, për rifillimin e luftimeve në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, ku Ruanda ka shkelur marrëveshjen për t'i dhënë fund luftës, nënshkruar më 25 qershor në Uashington nga presidentët kongolezë dhe ruandas, në prani të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Të respektohen proceset e paqes

Në Uvira, qytet strategjik në Kongon lindore, pak ditë pasi ra në duart e grupit M23 të mbështetur nga Ruanda, një ofensivë e re vdekjeprurëse ndodhi ditët e fundit që, sipas zyrtarëve rajonalë, shkaktoi mbi 400 vdekje dhe rreth 200,000 persona të zhvendosur. Kjo ndodhi, pavarësisht marrëveshjes së paqes. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, arriti ​​një akuzë e ashpër kundër Ruandës për shkelje të marrëveshjes, së bashku me paralajmërimin se administrata Trump do të ndërhyjë kundër kujtdo që "e shqetëson".

Nga ana e tij, Papa ndjehet sot pranë popullit, tashmë të tronditur nga vitet e brutalitetit dhe sulmeve terroriste, pastaj bën thirrje për të ndaluar çdo dhunë dhe për të respektuar marrëveshjet.

Ndërsa shpreh afërsinë time me popullsinë, u bëj thirrje palëve në konflikt të ndërpresin të gjitha format e dhunës dhe të kërkojnë dialog konstruktiv, duke respektuar proceset e paqes në vazhdim.

Përkujtim i martirëve të luftës civile spanjolle dhe nazizmit

Në përfundin të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Leoni XIV e zhvendosi shikimin në Spanjë e në Francë, ku dje pasdite u ndoqën dy ceremoni lumnimi. Në qytetin spanjoll të Jaén, Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çeshtjet e Shenjtorëve, lartoi në altar Atë Emanuele Izquierdo dhe 58 shoqërues, së bashku me Atë Antonio Montañés Chiquero me 64 shokë të tij, vrarë nga urrejtja për fenë gjatë persekutimit fetar të viteve 1936-38.

Gjithashtu dje, në Paris, në Katedralen e Notre Dame, Kardinali Jean-Claude Hollerich shpalli të lum Raymond Cayré, prift, Gérard-Martin Cendrier, i Urdhrit të Fretërve të Vegjël; Roger Vallé, seminarist; Jean Mestre, laik, dhe 46 shokë të tij, të vrarë nga urrejtja kundër fesë, në vitet 1944-45, gjatë pushtimit nazist.

Papa falënderon Zotin për këto shembuj të shkëlqyer të Kishës

Ta lavdërojmë Zotin për këta martirë, dëshmitarë të guximshëm të Ungjillit, të persekutuar dhe të vrarë për qëndrimin pranë popullit të tyre dhe besnikërinë ndaj Kishës!

14 dhjetor 2025, 14:44

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >