Papët dhe Viti i ri, kohë falënderimi dhe shprese
R.Sh. / Vatikan
Ky vit po shkon drejt fundit dhe një tjetër po na troket në derë. Ky është vështrimi i Kishës rreth kësaj «stafete kronologjike», ndërmjet dy kohëve të dallueshme nga njëra-tjetra por të afërta e që lidhen gjithnjë me Ungjillin dhe që shtrihen drejt një horizonti të dyfishtë: atij të mirënjohjes kundrejt Hyut dhe besimit të plotë në Zotin. Kështu, falënderimi dhe shpresa kthehen në alfabetin që na lejon të lexojmë të kaluarën që jetuam dhe të presim të ardhmen me mundësitë dhe të papriturat që na hedh në prehër.
Kuptimi i kohës
Çasti i «kalimit» nga një faqe pothuajse e përfunduar në një që ende nuk ka filluar është grishje për të reflektuar rreth kohës. Papa Pali VI, në lutjen e Engjëllit të Tënzot më 2 janar 1972 na nxit të shqyrtojmë vlerën e saj. «Para se të hyjmë në vitin e ri, është koha t'i kushtojmë atij pak reflektim.»
Pali VI: Koha është masa e ngjarjeve
Koha është masa, mund të thuhet, e ngjarjeve të njëpasnjëshme. Është masa e jetës sonë të tashme. Një masë që ndjell frikë, sepse na bën të shohim se e djeshmja nuk ekziston më dhe se e nesërmja nuk ekziston ende. Vetëm e sotmja ekziston. Në të vërtetë, për ne, ekziston vetëm çasti i tanishëm, ne jetojmë vetëm një pikë lëvizëse, një çast të vetëm kalimtar... Dhe kjo na mëson të jetojmë me intensitet të arsyeshëm këtë moment të tashëm, zotër të të cilit jemi vetëm ne dhe në të cilin realizohet përvoja jonë e vetme e jetës së tanishme. Domethënë, na mëson vlerën e kohës.»
Mos e mbyllni vitin pa e falënderuar Zotin
Fjalët e Papëve në këtë fazë të vitit shoqërojnë, para së gjithash, këndimin e lutjes «Te Deum». Papa Benedikti XVI, në kremtimin e lutjeve të Mbrëmësores së Parë të Solemnitetit të Marisë, Nënës së Zotit, më 31 dhjetor 2011, flet pikërisht për këtë hapësirë kohore: «Një vit tjetër po mbaron, ndërsa presim një të ri». Ankthi, dëshirat dhe pritjet nuk mund të ndahen nga lavdet drejtuar Zotit.
Benedikti XVI: Ne të gjithë jemi në duart e Zotit
Kisha na këshillon të mos e mbyllim vitin pa e falënderuar Zotin për të gjitha të mirat që na ka dhënë. I përket Zotit të vendos kur vjen çasti ynë i mbramë, kur duhet të mbarojë ora e fundit e kohës dhe e historisë. Po qe se harrojmë këtë qëllim të jetës sonë kemi rënë në një humnerë, po jetojmë pa kuptim. Kjo është arsyeja pse Kisha na shtie ndërmend himnin e lashtë «Te Deum»- që do të thotë: «Ty o Hyj të falenderojmë». Ky është një himn i mbushur me mençurinë e kaq shumë brezave të krishterë, të cilët ndjenin nevojën për t’i lartuar zemrat e tyre, duke e ditur se të gjithë jemi në duart e mëshirshme të Zotit.
Le të mbetemi shtegtarë të shpresës
Fillimi i vitit 2026 është gjithashtu përfundimi i Vitit të Shenjtë të Shpresës, por nuk flitet këtu thjesht për një derë që mbyllet. Shpresa nuk vdes dhe është «lindëse», theksoi Papa Leoni XIV në audiencën e Jubileut të 20 dhjetorit 2025.
Leo XIV: Të shpresosh do të thotë të sjellësh në jetë
Dalëngadalë jubileut po i afrohet fundit, por shpresa që na ka dhënë ky vit nuk mbaron: ne do të mbetemi shtegtarë të shpresës! Dëgjuam nga Shën Pali: «Sepse u shpëtuam me anë të shpresës» (Romakëve 8:24). Pa shpresë, ne jemi të vdekur; me shpresë, ne dalim në dritë. Shpresa sjell në jetë. E në fakt, ajo është një virtyt teologjik, domethënë një forcë e Zotit, dhe si e tillë, ajo gjeneron, nuk vret, por shkakton lindje dhe rilindje. Kjo është forca e vërtetë. Ajo që kërcënon dhe vret nuk është forca, është arroganca, është frika që mësyn, është e keqja që nuk gjeneron asgjë. Forca e Zotit sjell me vete lindjen. Për këtë arsye, do të doja t’ju thoja më në fund: të shpresosh do të thotë të lindësh.»
Një fletë e bardhë letre
Viti i ri që na shfaqet tani para udhës sonë, na paraqitet si një perspektivë e panjohur. Papa Gjon Pali II më 1 janar 1986 na fton t'ia kushtojmë Zotit «këtë fazë të re dhe këtë fletë letre ende të bardhë».
Gjon Pali II: viti i ri është një e panjohur e madhe
Viti i Ri na shfaqet si një e panjohur e madhe, si një hapësirë që duhet ta mbushim me domethënie, si një perspektivë ngjarjesh dhe vendimesh të panjohura që duhen marrë. Si një fazë dhe një hapësirë e re në luftën midis së mirës dhe së keqes tek çdo qenie njerëzore dhe familje, te shoqëria, te popujt, tek i gjithë njerëzimi në tërësi.
Të fitojmë rishtas mirësinë
Për të shkruar në këtë fletë letre të bardhë, së pari duhet të mbështetemi në thesarin e virtyteve. Një nga këto, të cilën na e tregoi Papa Françesku më 31 dhjetor 2022, ka fuqinë t’i bëjë më njerëzore marrëdhëniet dhe të asgjësojë moskokëçarjen:
Papa Françesku: Mirësia është një mënyrë jetese
Të dashur vëllezër dhe motra, besoj se rikthimi i mirësisë si një virtyt personal dhe qytetar mund të ndihmojë shumë në përmirësimin e jetës në familje, bashkësi dhe qytete. Prandaj, duke vështruar nga Viti i ri i qytetit të Romës, do të doja t'ju uroja të gjithëve neve që jetojmë këtu t’a pasurojmë virtytin e mirësisë. Përvoja na mëson se, nëse ky kthehet në një mënyrë jetese, mund të krijojë bashkëjetesë të shëndetshme dhe t’i bëjë më njerëzore marrëdhëniet shoqërore duke e asgjësuar agresivitetin dhe moskokëçarjen.
Ndërtimi i shtëpisë që nuk shembet
Të shikosh drejt së ardhmes do të thotë gjithashtu të vështrosh drejt atyre që na shoqërojnë në jetën tonë: familjes, kolegëve në punë dhe fqinjëve. Një urim i veçantë për Vitin e Ri u drejtua nga Papa Gjoni XXIII në mesazhin e tij të 10 janarit 1960 familjeve të krishtera me rastin e Festës së Familjes së Shenjtë.
Urimi i Gjonit XXIII
Lypset një frymë maturie dhe sakrifice në edukimin e kujdesshëm të fëmijëve: dhe gjithmonë, në çdo rrethanë, nevojitet shqetësimi për të ndihmuar, për të falur, për të treguar dhembshuri, për t'u dhënë të tjerëve besimin që do të donim të na jepej neve. Kështu e ndërtojmë shtëpinë që nuk shembet. Urimi i sinqertë për këtë frymë, e cila është garanci e paqes së amshuar, vjen nga zemra jonë dhe prek secilin prej jush, për t'ju shoqëruar gjatë gjithë Vitit të ri. Ajo merr fuqi nga një lutje e veçantë, të cilën Ne e lartojmë me zjarr drejt qiellit për familjet e kujtdo që na dëgjon, veçanërisht për ata që nuk kanë të ardhura, punësim dhe nuk gëzojnë shëndet, e që përshkohen nëpër vështirësi.
Nga këto fjalë të Papa Roncalli-t dhe me reflektimet e Papëve të tjerë, një urim na drejtohet edhe neve ndërsa i afrohemi vitit 2026.
Qoftë ky Vit i ri për të gjithë një mot i mbarë për të ndërtuar «shtëpinë që nuk shembet», pavarësisht plagëve dhe pasigurive të jetës, pavarësisht tmerreve të luftës që ende e trondisin familjen njerëzore në zona të ndryshme kudo nëpër botë!
