Papa: zëri i Kishës të vazhdojë të dëgjohet në Evropë
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV u tregon anëtarëve të delegacionit të Grupit European Conservatives and Reformists, një grup politik i Parlamentit Evropian i krijuar në vitin 2009 nga partitë konservatore të djathta, shembullin e Shën Tomës More. “Urtësia, guximi dhe mbrojtja e ndërgjegjes” së tij janë “një frymëzim i përhershëm për ata që kërkojnë të promovojnë mirëqenien e shoqërisë”, thotë Ati i Shenjtë në fjalimin drejtuar delegacionit të pritur në audiencë në Pallatin Apostolik në Vatikan para audiencës së përgjithshme mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Të promovosh të mirën e përbashkët” është përgjegjësi e atyre që mbajnë “një post të lartë në shoqëri”, nënvizon Papa Leoni XIV, duke i nxitur ata “të mos humbasin kurrë nga sytë të harruarit, ata persona që janë të mënjanuar, të cilët Jezu Krishti i quajti ‘më të vegjlit’ ndër ne”.
Të lejohet shprehja dhe diskutimi i mendimeve të ndryshme
“Si përfaqësues të zgjedhur në mënyrë demokratike, ju pasqyroni një gamë mendimesh që ndërfuten brenda një spektri më të gjerë pikëpamjesh të ndryshme”, thotë Papa. Një nga qëllimet thelbësore të parlamentit është “të lejojë që këto mendime të shprehen dhe të diskutohen”. Megjithatë, një “shenjtë dalluese” e çdo shoqërie civile është që dallimet të debatohen me mirësjellje dhe respekt, sepse aftësia për të mos qenë dakord, për të dëgjuar me vëmendje dhe madje për të dialoguar me ata që mund t’i konsiderojmë kundërshtarë, dëshmon nderimin tonë për dinjitetin që Zoti u ka dhuruar të gjithë burrave dhe grave”, thekson Papa.
Rrënjët judeo-kristiane të Evropës
Ati i Shenjtë Prevost lidhet më pas me fjalët e paraardhësve të tij, sipas të cilëve “identiteti evropian mund të kuptohet dhe promovohet vetëm duke iu referuar rrënjëve të tij judeo-kristiane”. “Qëllimi i mbrojtjes së trashëgimisë fetare të këtij kontinenti të vjetër nuk është thjesht të ruajë të drejtat e komuniteteve të tij të krishtera, as nuk ka të bëjë kryesisht me ruajtjen e zakoneve të veçanta ose traditave shoqërore që, sidoqoftë, ndryshojnë nga vendi në vend dhe gjatë historisë. Bëhet fjalë para së gjithash për pranimin e një fakti”, sqaron Papa Leoni.
Lidhja mes krishterimit dhe historisë evropiane
Të gjithë, në fakt, “janë përfitues të kontributit që anëtarët e komuniteteve të krishtera kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për të mirën e shoqërisë evropiane”. Në këtë kuadër Papa Leoni XIV kujton zhvillimet e rëndësishme të qytetërimit perëndimor: “Thesaret kulturore të Katedraleve madhështore, arti dhe muzika sublime, dhe përparimet e shkencës, për të mos përmendur rritjen dhe përhapjen e universiteteve”. Këto arritje dëshmojnë “lidhjen e pandashme” mes krishterimit dhe historisë së Evropës. “Një histori që duhet ruajtur dhe kremtuar”, shprehet Leoni XIV.
Zëri i Kishës
Ati i Shenjtë i referohet gjithashtu edhe “parimeve të pasura etike dhe modeleve të mendimit që përbëjnë trashëgiminë intelektuale të Evropës së krishterë”, të domosdoshme për të mbrojtur “vlerën e brendshme të çdo qenieje njerëzore, nga ngjizja deri në vdekjen natyrore” dhe “thelbësore për t’iu përgjigjur sfidave të varfërisë, përjashtimit social, privimit ekonomik, si edhe krizës së vazhdueshme klimatike, dhunës dhe luftës”. “Të sigurosh që zëri i Kishës, edhe përmes doktrinës së saj shoqërore, të vazhdojë të dëgjohet, nuk do të thotë të rivendosim një epokë të kaluar, por të garantojmë që burime kyçe për bashkëpunimin dhe integrimin e ardhshëm të mos humbasin”, thekson Papa Leoni.
Dialogu midis fesë dhe arsyes
Në përfundim Papa Leoni XIV citon Benediktin XVI, i cili në vitin 2010 në Westminster Hall të Londrës foli për nevojën e dialogut midis “botës së arsyes dhe botës së fesë”. Në këtë dialog “politikanët kanë një rol me rëndësi të madhe”, vëren Leoni; ai “është jetik për të respektuar kompetencat specifike të secilit, si dhe për të ofruar atë që tjetri ka nevojë”, domethënë “një rol reciprokisht ‘pastrues’ për të garantuar që asnjëra palë të mos bjerë pre e shtrembërimeve”. Prandaj, lutja është që politikanët të angazhohen “në mënyrë pozitive” në këtë dialog të rëndësishëm “jo vetëm për të mirën e popujve të Evropës, por të gjithë familjes njerëzore”.
