Papa viziton Betlehemin e lindjes së Jezusit në Sheshin e Shën Pjetrit
R.SH. / Vatikan
Pas kremtimit, në Bazilikën e Vatikanit, të Lutjeve të Para të Mbrëmësores së festës së Shën Marisë, Nënës së Zotit, me himnin e falënderimit Te Deum për vitin që sapo përfundoi, Papa Leoni XIV doli në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, për të vizituar shpellën e Betlehemit me skenën e lindjes së Jezusit të vendosur nën obelisk, dhuratë e dioqezës italiane të Nocera Inferiore-Sarno.
I pritur nga presidentja e Guvernatoratit të Selisë së Shenjtë, motra Raffaella Petrini, përballë grumbullimit të besimtarëve që u krijua menjëherë, Ati i Shenjtë Leoni XIV qëndroi për disa minuta përpara Betlehemit, duke soditur figurat dhe duke dëgjuar edhe shpjegimet e rregulltares Petrini. Më pas iu afrua Krishtit Foshnje për t’i bërë homazh dhe për t’u lutur për disa çaste. Në përfundim, para se të largohej nga Sheshi i Vatikanit, Papa Leoni u ndal me qindra besimtarët e pranishëm, duke u shtrënguar duart dhe duke bekuar të pranishmit.
