Kërko

Arsimi katolik në Afrikë mund të jetë një forcë lëvizëse për zhvillim Arsimi katolik në Afrikë mund të jetë një forcë lëvizëse për zhvillim

Papa u drejtohet edukatorëve katolikë në Afrikë: jepini shpresë të rinjve në lëvizje

Në një mesazh nënshkruar nga Kardinali Parolin, drejtuar Fondacionit të Feve e të Shoqërisë, që e ndihmoi Kongresin Afrikan të Edukimit Katolik në Nairobi, nga 4 deri në 7 dhjetor, Leoni XIV fton për të reflektuar sesi të ringjallen talentet e fshehura të të rinjve të kontinentit. "Arsimi nuk është vetëm punë, por edhe mision ungjillëzues", pohon Papa, duke vlerësuar rëndësinë e familjes, ndjenjën e solidaritetit dhe frymën e flijimit në edukimin për të mirën e përbashkët.

R.SH. / Vatikan

Të rigjallërohet dëshira për të ardhmen tek të rinjtë afrikanë. Ky është thelbi i mesazhit të Leonit XIV, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Pietro Parolin, dërguar Imzot Gabriel Sayaogo, bashkëpresident i Fondacionit ndërkombëtar të feve dhe të shoqërisë, me rastin e Kongresit afrikan të edukimit katolik, mbajtur në Nairobi të Kenias nga 4 deri më 7 dhjetor. Takimi, i titulluar "Edukimi katolik dhe shenjat e shpresës në kontekstin afrikan", ishte pjesë e një vizioni për rigjallërimin e edukimit, bazuar në Krishtin. Mesazhi i Papës shpreh kënaqësinë e tij lidhur me angazhimin e Fondacionit për të gjallëruar Paktin Arsimor, "tejet i dashur për Papën Françesku". Arsimi katolik në Afrikë mund të jetë një forcë lëvizëse për zhvillimin.

T’u ngjallet shpresa të rinjve që ikin nga Afrika

Papa - i cili priti Fondacionin në audiencë, në Vatikan, më 7 nëntor, vetëm disa ditë para festimit të Jubileut të Arsimit Botëror - theksoi se qëllimi i arsimit katolik "nuk është vetëm të formojë 'mendje të kulturuara', por edhe 'zemra plot me dashuri dhe shqetësim për të tjerët". Duke pranuar se të rinjtë janë "pasuria e Afrikës", Papa Leoni përsëriti një nga prioritetet e përpjekjeve arsimore: "Gjetjen e mënyrave për të arritur tek të rinjtë që ndjekin shkollat ​​tona dhe përpjekjen për t'i ndihmuar të shohin drejt së ardhmes me besim".

Më pas citon fjalimin drejtuar Vëllezërve të Shkollave të Krishtera, konkretisht rëndësinë e inkurajimit të tyre "për të përballuar çdo pengesë me guxim, në mënyrë që të japin më të mirën e tyre në jetë, sipas planit të Zotit". Pastaj shqyrton një aspekt të hidhur të ngjarjeve aktuale:

“Shumë të rinj, të shtyrë nga dëshpërimi, largohen nga kontinenti, duke rrezikuar jetën në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Në këtë situatë dramatike, mund të reflektoni se si të ringjallni tek këta afrikanë të rinj sigurinë se asgjë nuk është e humbur, me kusht që të shoqërohen nga njerëz, të cilët i ndihmojnë të zbulojnë talentet e tyre të fshehura dhe të ushqejnë ambiciet e mëdha, duke u frymëzuar nga vlerat dhe burimet me të cilat është e pasur Afrika.

Rizgjim i solidaritetit dhe i shpirtit të flijimit

Papa mbështetet edhe në homelinë e tij për Jubileun e Familjeve, ku foli për besëlidhjen martesore si kontekst në të cilin "ndërtohet e ardhmja e popujve", falë fuqisë unifikuese dhe pajtuese të Zotit. Prandaj, ruajtja e familjes, duke e konsideruar  "siç e ka menduar Krijuesi dhe siç e edukon Kisha", do të thotë mbrojtja e saj "nga kërcënimi i ideologjive shkatërruese të përhapura nga bota jonë". Në mesazhin e tij, Papa Leoni vazhdon me një reflektim mbi lidershipin në Afrikë dhe këshillon shfrytëzimin e disa cilësive që të rinjtë afrikanë i kanë e edhe mund t'i zbatojnë në nivel institucional:

Sot, shumë prijës afrikanë dhe udhëheqës politikë janë përgatitur në shkollat ​​tona, por situata në kontinent mbetet kritike në disa aspekte. Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, Papa ju fton të rizgjoni ndjenjën e solidaritetit dhe shpirtin e sakrificës tek të rinjtë e institucioneve tona, dy nga pasuritë e kontinentit tuaj. Është themelore të rizbulohen këto vlera që do t’i transmetojë edukimi katolik, duke formuar njerëz të vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe që  erespektojnë të mirën e përbashkët.

Edukimi është mision ungjillëzues

“Edukimi nuk është vetëm punë”, përfundon Papa, “por mision ungjillëzues”. Duke i bërë jehonë një fragmenti nga paraardhësi i tij, i cili në Ditën e Afrikës dy vjet më parë iu drejtua brezave të rinj si ata që mund dhe duhet të jenë “ambasadorë të vërtetë të paqes”, Leoni XIV tregon rrugën: ata që janë të përfshirë në procesin edukativ duhet të punojnë për të siguruar të tjerët, të cilët u besojnë e të bëhen, nga ana tjetër, aktorët “e kontinentit, që ka nevojë për zhvillimin e tyre”.

10 dhjetor 2025, 15:16