Kërko

Taize në Paris 2025-2026 Taize në Paris 2025-2026

Papa të rinjve të Taizé-së: “bëhuni artizanë të paqes dhe të pajtimit”

Në një mesazh të nënshkruar nga kardinali sekretar i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, drejtuar pjesëmarrësve në Takimin e 48-të Evropian të fundvitit, të organizuar në Paris nga Komuniteti murgar francez i Taizé-së, Papa Leoni XIV uron që çastet e lutjes dhe të bashkëndarjes të mund t’i ndihmojnë ata ta thellojnë fenë dhe të dallojnë “si ta jetojnë Ungjillin në realitetin konkret” të jetës së tyre.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV i inkurajon të rinjtë e Taizé-së “të bëhen shtegtarë të besimit, artizanë të paqes dhe të pajtimit, të aftë për të sjellë një shpresë të përvujatur dhe të gëzueshme për ata që i rrethojnë”. Kështu thuhet në Mesazhin që kardinali sekretar i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, ka dërguar – në emër të Atit të Shenjtë – me rastin e Takimit të 48-të Evropian të të rinjve, të organizuar nga Komuniteti i Taizé-së në Paris (28 dhjetor 2025 – 1 janar 2026).

“Takimi juaj përbën një etapë të re të ‘Shtegtimit të besimit mbi tokë’, të nisur nga Frère Roger pothuajse gjysmë shekulli më parë pikërisht në këtë qytet të Parisit”, kujton Mesazhi i Papës, dhe “në fund të këtij viti, të shënuar nga shumë sprova për familjen tonë njerëzore, mikpritja bujare që keni gjetur në Paris nga besimtarë të çdo prejardhjeje dhe nga njerëz me vullnet të mirë është një mesazh i fuqishëm për botën. Urojmë që çastet e lutjes dhe të bashkëndarjes që do të përjetoni në këto ditë t’ju ndihmojnë të thelloni fenë tuaj, duke dalluar gjithnjë e më qartë se si ta jetoni Ungjillin në realitetin konkret të jetës suaj”. Për më tepër, “ky takim zhvillohet edhe në një moment të veçantë kishtar, të shënuar nga mbyllja e një Viti Jubilar dhe nga përkujtimet e 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë”.

Mesazhi kujton më pas fjalët e Papa Leonit gjatë takimit ekumenik të lutjes mbajtur në Iznik: “pajtimi është sot një thirrje që vjen nga e gjithë njerëzimi i goditur nga konfliktet dhe dhuna. Dëshira për bashkim të plotë ndërmjet të gjithë besimtarëve në Jezu Krishtin shoqërohet gjithmonë me kërkimin e vëllazërisë ndërmjet të gjithë qenieve njerëzore”.

27 dhjetor 2025, 13:39