Papa me profesorë dhe studentë të Institutit Papnor të Arkeologjisë së Krishterë Papa me profesorë dhe studentë të Institutit Papnor të Arkeologjisë së Krishterë

Papa: të promovohet "diplomacia e kulturës" për të kapërcyer kufijtë dhe paragjykimet

Në fjalimin e tij drejtuar profesorëve dhe studentëve të Institutit Papnor të Arkeologjisë Kristiane, me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të tij, Leoni XIV kujton se studimet që lidhen me të kanë të bëjnë me "periudhën historike të Kishës së bashkuar", duke i bërë ato "një mjet të vlefshëm për ekumenizmin". Identifikon burimet letrare dhe monumentale si "rrënjët" e shoqërisë dhe kombeve evropiane.

R.SH. – Vatikan

Kultura si krah i diplomacisë: e shtrirë përtej ndarjeve dhe stereotipeve, e aftë të shfrytëzojë burimet letrare dhe monumentale për të rievokuar një Kishë dhe një Evropë të bashkuar. Këto janë vlera që thërrasin për bashkim, të cilat Papa Leoni XIV i përshkroi paradite, më 11 dhjetor, në fjalimin e tij drejtuar profesorëve dhe studentëve të Institutit Papnor të Arkeologjisë Kristiane, i cili kremton njëqindvjetorin e themelimit të tij, gjatë audiencës në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik në Vatikan.

Mbrojtja e trashëgimisë së gjërave të shenjta

Pikërisht një shekull më parë, kujton Leoni XIV, Papa Piu XI, në Motu proprio I primitivi cemeteri (Varrezat primitive), theksonte ndjenjën e detyrës që Papët kishin për mbrojtjen e trashëgimisë së shenjtë: para së gjithash katakombet, por edhe "bazilikat brenda mureve të Qytetit të Romës me mozaikët e tyre madhështorë, seritë e panumërta të mbishkrimeve, pikturat, skulpturat, orenditë e varrezave dhe orenditë e simbolet liturgjike". Në atë dokument përmendeshin gjithashtu Giovanni Battista de Rossi dhe Antonio Bosio, që konsiderohen si "nismëtarët e arkeologjisë kristiane".

Orientimi i të rinjve drejt studimeve

Me këtë rast, Piu XI kishte vendosur gjithashtu t'i bashkëngjiste Komisionit Papnor të Arkeologjisë së Shenjtë dhe Akademisë Papnore Romake të Arkeologjisë edhe Institutin e ri Papnor të Arkeologjisë Kristiane, me synimin për të "orientuar të rinjtë vullnetarë, nga çdo vend dhe komb, drejt studimeve dhe kërkimeve shkencore mbi monumentet e antikitetit të krishterë".

Një shekull më pas, misioni është më i gjallë se kurrë, falë edhe kongreseve ndërkombëtare të arkeologjisë kristiane, përmes të cilave Instituti promovon studimet në një disiplinë që është karakteristike jo vetëm për shkencat historike, por edhe për fenë dhe identitetin e krishterë.

Arkeologjia krishtere dhe dinjiteti i saj

Për të kremtuar këtë përvjetor, Papa Leoni XIV publikon sot një Letër Apostolike mbi rëndësinë e arkeologjisë. Duke vazhduar fjalimin e tij, Ati i Shenjtë thekson se mësimi i degës së krishtere të arkeologjisë, e kuptuar si studimi i monumenteve të shekujve të parë të Krishterimit, ka një "statut epistemologjik" të vet, të përcaktuar nga "koordinata specifike kohore, historike dhe tematike". Megjithatë, vëren Papa, në kontekste të tjera ajo përfshihet në arkeologjinë mesjetare.

Në këtë drejtim, unë sugjeroj që ju të bëheni përkrahës të specifikës së disiplinës tuaj, ku mbiemri "krishterë" nuk synon të jetë shprehje e një perspektive konfesionale, por e kualifikon vetë disiplinën me një dinjitet të vet shkencor dhe profesional.

"Mjet për ekumenizmin"

Arkeologjia kristiane, pohon Papa, kujton një periudhë kur Kisha ishte e bashkuar, duke e bërë studimin e saj "një mjet të vlefshëm për ekumenizmin". Në të, në fakt, besimet e ndryshme mund të njohin rrënjët e përbashkëta, duke nxitur kështu "aspiratën për bashkimin e plotë". Një aspekt që Leoni XIV thotë se e ka konstatuar personalisht gjatë udhëtimit të tij të fundit apostolik në Iznik, Nikenë e lashtë, ku ka përkujtuar Koncilin e parë ekumenik së bashku me përfaqësues të Kishave dhe Komuniteteve të tjera kishtare.

Prania e mbetjeve të ndërtesave të lashta kristiane ishte emocionuese dhe motivuese për të gjithë ne.

Pikërisht kësaj teme Instituti Papnor i Arkeologjisë Kristiane i ka dedikuar një ditë studimi, në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Ungjillëzimin, nismë e mirëpritur nga Papa.

"Diplomacia e kulturës"

Është pikërisht studimi, në fakt, mjeti kryesor i asaj "diplomacie të kulturës" kaq të nevojshme sot.

Përmes kulturës, shpirti njerëzor kapërcen kufijtë e kombeve dhe kapërcen barrierat e paragjykimeve për t'u vënë në shërbim të së mirës së përbashkët. Edhe ju mund të kontribuoni në ndërtimin e urave, në nxitjen e takimeve, në ushqyerjen e harmonisë.

Të orientuar mes paqes dhe shpresës

Siç u kujtua në Letrën Apostolike, Instituti pozicionohet idealisht i orientuar mes paqes, temë e Jubileut të vitit 1925, dhe shpresës, boshti i Vitit të Shenjtë aktual.

Dhe në të vërtetë ju jeni bartës të paqes dhe të shpresës kudo që punoni me gërmimet dhe kërkimet tuaja, në mënyrë që, duke njohur flamurin tuaj të bardhë dhe të kuq me imazhin e Bariut të Mirë, t'ju hapen dyert jo vetëm si bartës të diturisë dhe shkencës, por edhe si kumtues të paqes.

Krishterimi në rrënjët e Evropës

Papa përfundon duke kujtuar fjalimin e Shën Gjon Palit II Mbi rrënjët e përbashkëta kristiane të Kombeve Evropiane, në të cilin Wojtila pohonte se Evropa "ka nevojë për Krishtin dhe Ungjillin, sepse këtu qëndrojnë rrënjët e të gjithë popujve të saj".

Ndër rrënjët e shoqërisë dhe të Kombeve evropiane është sigurisht Krishterimi me burimet e tij letrare dhe monumentale; dhe puna e arkeologëve është një përgjigje ndaj apelit që sapo e kujtova.

11 dhjetor 2025, 13:15